Erjona Kakeli dhe Salsano Rrapi (Foto Bota sot)
Shfaqja “Zbulimi” e autorit John Mc Cann u vu në skenë në muajin nëntor në Universiteti Arteve, në sallën Black Box, ndërsa gjatë dhjetorit u shfaq në skenën e Teatrit Kombëtar ArtTurbina në kryeqytet.
“Zbulimi” bëri bashkë çiftin e aktorëve në jetë, por edhe në skenë Salsano Rrapi dhe Erjona Kakeli, të cilët kombinonin mjaft mirë në dialogun e tyre në skenë. Në këtë muaj me atmosferë festash, nuk mungoi kjo shfaqje, e cila përcjell dashuri, komedi dhe romancë. Këtë herë e shohim Salsano Rrapin jo vetëm si aktor në teatër, por edhe si regjisor. Vepra “Zbulimi” e autorit John McCann është përshtatur në shqip, duke e sjellë shumë si një komedi romantike, familjare që trajton aktualitetin.
Në shfaqje bëhet fjalë për një çift që edhe pse të divorcuar, vazhdojnë të kenë ndjenja për njeri-tjetrin, dhe janë të lidhur me fëmijët e tyre, të cilët si në çdo familje një nga fëmijët është më i lidhur me mamin dhe tjetri me babin.
Në qendër të veprës është një ministre, që interpretohet nga Erjona Kakeli, e cila duhet të bëjë një fjalim. Ajo ka marrë propozim nga i dashuri për martesë, por ndërkohë i vjen ish-bashkëshorti, për të marrë disa orendi në shtëpisë meqenëse, edhe ai është martuar me një grua më të re se vetja dhe pret të bëhet baba sërish. Mues kujtimesh, sqarimesh, rikthen ndjenjat, emocionet dhe krijohen situata komike. Të dy e kuptojnë që janë ndarë pa asnjë shkak, pa asnjë arsye të fortë, si dhe kuptojnë se ende e duan njëri-tjetrin.
Shfaqja ka si kryefjalë familjen në një aspekt aktual. Kohët e fundit njerëzit nuk komunikojnë më me njëri -tjetrin, e si rrjedhojë në shumicën e rasteve përfundojnë në divorc, ndoshta nga egoizmi apo një kokëfortësi e momentit.
Çifti i aktorëve në jetë (Foto Lajmi.al)
Përveç dy aktorëve, Salsano Rrapi dhe Erjona Kakeli, në skenë shfaqet edhe Flobensa Bezati që është vajza e tyre.
Aktorja Erjona Kakeli është shprehur në media rreth shfaqjes “Zbulimi”:
“Është një tekst mjaft i thellë dhe i ndjerë njëkohësisht, por edhe shumë aktual dhe tema që është shumë e rëndësishme është familja. Në çift kanë pasur mungesa të theksuara të komunikimit, gjë e cila i çoi deri në ndarje, por dashuria ka qenë gjithmonë aty. Ata i dërgojnë mesazhe njëri-tjetrit në distacë dhe hapen më shumë me këtë lloj komunikimi. Ky është një mesazh mjaft i qartë, që të gjithë si në familje, apo në shoqëri, është mirë që ta thonë hapur çdo gjë, e jo të mbajnë gjëra brenda, sepse në rradhë të parë nuk i bën mirë vetes, por edhe personit që ke përballë” është shprehur aktorja Erjona Kakeli.
Moderatori dhe humoristi i njohur Salsano Rrapi dhe aktorja e mirënjohur e teatrit Erjona Kakeli në realitet janë të martuar dhe prindër të dy vajzave. Edhe pse kanë vite që merren me art, ata janë bërë së bashku në skenë për herë të tretë, së fundi me shfaqjen “Zbulimi”. Dy bashkëpunimet e tyre të mëparshme kanë qenë rreth 13 vite më parë, në teatrin “Skampa” të Elbasanit” e tashmë një rikthim në teatër, duke sjellë për publikun një shfaqje me një mesazh mjaft aktual, si “Zbulimi”, i cili u vu në skenën për publikun e kryeqytetit. Kjo histori romance e komike u shfaq në Teatrin Kombëtar ArTurbina me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës.
Sava Lena