Maris Basha dhe Ergys Male kanë vendosur të futen në historinë e zhvillimeve teknologjike të cilat janë tepër të shpejta. Duke punuar si dy kolegë, ata vendosën që të implementojnë një program të vetëm në gjuhën shqipe, duke e pasuruar sa më shumë dhe duke i dhënë karakter të mirëfilltë. Ky program është përgatitur enkas që të ketë mundësi çdokush që ta përdorë dhe t’i shërbejë individit dhe kompanive . Teksti në Zë (Text-to-Speech) dhe Zëri në Tekst (Speech-to-Text) mund të transformojë punën, biznesin dhe tregun shqiptar.
Maris Basha gjate promovimit te Neura.al ( foto personale)
CMG: Maris çfarë është ‘NEURA.AL’?
Maris Basha: Pasi studiuam tregun ne vendosëm që të punojmë mbi një startup, i cili bën të mundur në kohë të shpejtë dhe korrekte përkthimin e fjalës në tekst dhe anasjelltas. Me një larmi të gjerë, por edhe cilësi të lartë zërash dhe kapacitetesh, NEURA.al bën diferencën në treg. Ne menduam ta sjellim këtë gjë në Shqipëri, duke qenë se aftësitë teknike gjykonim se i kishim.
CMG: A ka qenë sipas jush ky program një domosdoshmëri?
Maris Basha: Po ka qenë sepse të gjithëve ju nevojitet një lehtësi në punën e tyre të përditshme dhe ky program të shkurton kohë në çdo gjë që dikush ka nevojë të bëjë dhe të arrijë rezultat të shpejtë.
CMG: Sa kohë ju ka marrë ky program që vihet tërësisht në shërbim të shqiptarëve?
Maris Basha: Kemi shumë kohë që punojmë dhe ka qenë një punë kolosale e cila patjetër që ka dashur edhe shumë përqëndrim, i cili për ne nuk ka qenë i lehtë pasi kemi edhe angazhime të tjera. Megjithatë, kemi qenë të vëndosur që në gjuhën shqipe do të vinte si program.
Maris Basha dhe ministrja Muzhaqi gjate promovimit te Neura.al ( foto personale)
CMG: Cilat janë pikat tuaja të forta, sepse këtë shërbim e ofrojnë edhe platforma të tjera?
Maris Basha: Pikat tona të forta janë kompetencat, dëshira për të sjellë një risi dhe për të përmirësuar sado pak tregun shqiptar dhe përkushtimi që ne i dedikojmë klientëve apo partnerëve tanë strategjikë. Gjuha e implementuar shqip patjetër që e bën të veçantë, por çka është më e rëndësishmja është lloji i zërit dhe sasia e fjalëve me të cilat ne kemi punuar në sistem për të pasur një produkitivitet të lartë dhe njerëzit apo bizneset që do e përdorin qoftë për të përkthyer fjalën në zë apo zërin në fjalë e figurë të kenë diçka sa më cilësore që t’iu shërbejë në punën e tyre.
Ne jemi të specilizuar për tregun shqiptar ku i ofrojmë ndihmë çdo biznesi që do ta intregojë për biznesin e tyre. Në gjashtë muajt e ardhshëm do integrojmë edhe një sistem përkthimi dhe korrigjimi në gjuhën shqipe, të cilat i kalojnë aftësitë e kompetitorëve të huaj. Jemi shumë të dedikuar dhe të përkushtuar për tregun shqiptar.
CMG:Si e keni përshtatur gjuhën?
Maris Basha: Nëse futeni vetëm njëherë në program do ta kuptoni edhe ju vetë se sa gjuhë e thjeshtë është dhe se sa praktik është si program, e kemi ndërtuar të tillë enkas për ta bërë më të thjeshtë për këdo dhe mbi të gjitha ‘Theksi, Fjala, Gjuha’ janë të pastra dhe të qarta. Mjafton të bëni dallimin me programet e ngjashme. të cilat janë në gjuhën shqipe dhe që kanë zërin në shqip. Jemi përpjekur të jemi sa më afër natyrales.
Maris Basha ( foto linkdin)
CMG: A ka çmime të përballueshme?
Maris Basha: Po është një program që është përgatitur enkas që të ketë mundësi çdokush që ta përdorë dhe t’i shërbeje qoftë individit apo kompanive .
Teksti në Zë (Text-to-Speech) dhe Zëri në Tekst (Speech-to-Text) mund të transformojë punën, biznesin dhe tregun shqiptar. Shifrat janë të gjitha të publikuara. Ne e ofrojmë fillimisht falas për një sasi audio apo teksti dhe më pas vjen me një qasje pagese minimaliste. Synojmë që të këmi çmime të personalizuara për këdo që dëshiron ta përdorë, por janë çmime shumë komode si për individin ashtu edhe për biznesin.
Momente gjate promovimit te Neura.al ( foto personale)
CMG: Ku e shihni të ardhmen e këtij programi pas 10 vitesh?
Maris Basha: Nuk mund të parashikojmë dot në plan afatgjatë, por jemi duke punuar që ta rrisim këtë program hap pas hapi, që të bëjmë të mundur risi të ndryshme. Fillimisht do të sjellim edhe zërin përmes figurës pra videos që është tepër e rëndëishme dhe më pas edhe asistime të tjera.
CMG: Si do ta cilësonit këtë përvojë për ju?
Maris Basha: Unike! Të punosh dhe të lësh gjurmë në vendin tënd është ndjesi e bukur, e cila rritet çdo ditë edhe me ndjenjen e përgjegjësisë.
Intervistoi: Megi Latifi