Kina "nuk do ta bëjë një sy të verbër" ndaj provokimeve të Filipineve
2023-12-29 11:26:51

Foto nga MMK

Kina është gjithmonë e angazhuar për t'i zgjidhur dallimet nëpërmjet dialogut e konsultimeve dhe për të bërë përpjekje të përbashkëta për të ruajtur qëndrueshmërinë detare, por nuk do ta  bëjë një sy të verbër ndaj provokimeve të përsëritura dhe ngacmimeve të Filipineve, the të enjten zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes kineze Wu Qian gjatë një konference për shtypin. 

Pala filipinase e ka akuzuar Rojën Bregdetare Kineze për përdorimin e armëve sonike apo lazer kundër ekuipazhit të saj. Zëdhënësi e hodhi poshtë këtë akuzë si krejtësisht pa bazë, duke thënë se Kina nuk ka asnjë qëllim apo nevojë për të përdorur pajisje të tilla.

Pala filipinase, duke mos pasur parasysh paralajmërimet e përsëritura nga pala kineze, këmbënguli në dërgimin e anijeve për të hyrë në ujërat pranë gumës Ren'ai të Kinës dhe në mënyrë provokuese goditi e gërvishti një anije të Rojës Bregdetare Kineze, tha ai, duke shtuar se një sjellje e tillë është shumë e rrezikshme dhe jashtëzakonisht joprofesionale. 

Roja Bregdetare Kineze mori masat e nevojshme në përputhje me ligjin, që ishin krejtësisht të justifikuara e të ligjshme, tha Wu. Sipas tij, Filipinet pretenduan se po kryenin furnizime humanitare; megjithatë, ato anije furnizimi mbanin shumë gazetarë dhe përhapnin dezinformacion.

"Sipas mendimit tim, ky nuk ishte aspak një furnizim humanitar, por synimi ishte krijimi me qëllim i një incidenti, luajtja e rolit të viktimës dhe shfaqja e një farse në emër të furnizimit humanitar," shtoi ai. 

Duke theksuar se pala amerikane e ka inkurajuar palën filipinase të bëjë lëvizje provokative, zëdhënësi i kërkoi ShBA-së të ndalojë menjëherë përzierjen në çështjet e Detit të Kinës Jugore dhe mbështetjen ndaj shkeljeve e provokimeve të Filipineve dhe tha se Kina do të mbrojë sigurinë rajonale me veprime konkrete. 

Problemi i gumës Ren'ai është një çështje mes Kinës e Filipineve dhe çdo palë e tretë nuk ka të drejtë të ndërhyjë, u shpreh ai.