Foto nga Instagrami
Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor përmes aktiviteteve të shumta ka gjallëruar atmosferën kulturore nëpër Shqipëri. Në dhjetor janë vënë në skenë koncerte të ndryshme, vepra të operës dhe baletit, duke e mbyllur këtë sezon vjetor me baletin e njohur “Arrëthyesi”, që arriti një shitje rekord të biletave. Kjo shfaqje erdhi në këtë fundvit për të gjithë familjen shqiptare, duke sjellë atmosferën e festave, me baletin e ëndrrave, magjisë dhe dashurisë.
Ky balet është një ndër krijimet më të bukura të repertori klasik, me muzikën e mrekullueshme të Çajkovskit. Në vigjilje të Krishtlindjes, festat nuk kanë kuptim pa “Arrëthyesin”, baletin emblematik të kësaj feste globale.
Produksioni më i ri ‘’Arrëthyesi’’ i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit erdhi këtë vit për të parën herë në Shqipëri edhe për njerëzit me shikim të kufizuar, nëpërmjet audio përshkrimit. Për personat me shikim të kufizuar, hyrja në sallë u bë 50 minuta para nisjes së shfaqjes. Gjatë kësaj kohe përshkruesi ndau për ta më shumë detaje nga historia e mrekullueshme e “Arrëthyesit”. Përshkrimi zanor u realizua në kohë reale nga folësi Gentian Mumajesi, i specializuar për interpretimin vizual të shfaqjes, i cili solli në jetë përformancën, me sytë e mendjes, me përshkrime të gjalla të lëvizjes së balerinëve si dhe aksionit apo dramës, që ndodh në skenë.
‘’Arrëthyesi’’ për personat me shikim të kufizuar u vu në skenë më 22 dhjetor dhe biletat për përformancën me audio- përshkrim ishin falas për personat e pajisur me librezën e Identitetit për përfituesit e Statusit të të Verberit dhe shoqëruesit e tyre. Festat e fundvitit nuk kanë kuptim pa magjinë e Krishtlindjes dhe pa biskota e ëmbëlsira. Me pak fjalë, festat nuk kanë kuptim pa “Arrëthyesin”, baletin emblematik të festës, me muzikën e pa përsëritshme të Çajkovskit që sjell festën, magjinë, atmosferën e ngrohtë në dhjetorin e ftohtë, si dhe përrallën me fund të lumtur.
Përshkrimi zanor u bë i mundur falë bashkëpunimit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit me United Nations Association Albania si pjesë e Programit @artnexusprogramme në Shqipëri.
Foto nga salla (Foto te publikuara ne instagramin e TKOB)
Gentian Mumajesi, i cili realizoi përshkrimin zanor u shpreh për mediat:
“Kjo është një eksperiencë e parë, kur ky balet i përvitshëm vjen me një audio përshkrim për personat që kanë vështirësi në shikim. Tregojnë personazhet që janë në skenë, veshjet që ato mbajnë, lëvizjet që ata bëjnë. Kjo e bën pak të vështirë sepse është balet dhe ka shumë lëvizje, por fokusi është te gjërat kryesore”
Baleti "Arrëthyesi" një nga baletet më të famshëm të botës, me muzikë nga Çajkovski erdhi pranë publikut shqiptar në TKOB më datat 22, 23 dhe 24 dhjetor, duke sjellë atmosferën e festave. “Arrëthyesi” erdhi edhe me një tjetër risi, një kostumografi komplet të re, por edhe koreografia këtë herë erdhi ndryshe. Publiku pati një interesim të jashtëzakonshëm, pasi biletat u shitën në kohë rekord. Trupa e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit gjatë muajit dhjetorit, përveç produksionit të ri “Arrëthyesi”, ka zhvilluar edhe një tur nëpër Shqipëri nga 23 -30 dhjetor, duke sjellë atmosferën festive.
- Arrëthyesi është ai që udhëheq ushtarët prej biskote, të cilëve iu bashkohen edhe kukullat e tjera. Në ngjarjen e shfaqjes, e gjitha është një festë Krishtlindjeje ku Klara e gjen veten midis miqve, lodrave, dhuratave dhe xhaxhai i saj, i cili është një magjistar, i sjell një dhuratë të veçantë, që është “Arrëthyesi”, ai që thyen arrat. Ajo mahnitet nga kjo dhuratë, derisa e zë gjumi me të në krahë. Më pas e gjithë historia zhvillohet në ëndrrën e saj, e gjitha është jo reale. Dhe ta shohësh diçka jo reale në ëndërr vjen shumë e zbukuruar. Ajo e sheh veten të rritur, me princin e saj, në këtë formë. Klara dhe Princi udhëtojnë në tokën e bukur të ëmbëlsirave, në të cilën Zana e sheqerit ka mbretëruar derisa princi të kthehej. Princi i tregon Zanës për betejën me mbretin e minjve dhe se si Klara i shpëtoi jetën. Për nder të heroinës nisin festimet nga e gjithë bota. Çokollatat nga Spanja, kafe nga Arabia, çaj nga Kina, shkopa sheqeri nga Rusia, etj. Klara sheh karaktere të ndryshme, pasi imagjinata e çon kudo. “Arrëthyesi” është një balet, ku e gjejnë veten të gjitha grupmoshat. Ëmbëlsirat, kostumet përrallorë, muzika e papërsëritshme e Çajkovskit dhe kërcimet magjepsëse të trupës së baletit, emocionuan publikun e madh e të vogël, në sallën e tejmbushur që shijoi baletin “Arrëthyesi”.
Çajkovski kompozoi muzikën e baletit mes viteve 1891 e 1892. Vënia e parë skenike që u realizua në të njëjtën kohë me operën "Iolanta", po e kompozitorit Çajkovski, u realizua në 18 dhjetor 1892 pranë teatrit "Mariinskij" të Shën Pjetërburgut në Rusi. Shfaqja me koreografi të balerinit rus Lev Ivanovi, u drejtua nga kompozitori italian Riçardo Drigo. Në vitin 1934 në Mariinsky, (Kirov) Teatri i Operës dhe Baletit u inskenua edicioni i Vassilij Vajnonen dhe po atë vit u pa inskenimi europian i baletit, në Londër në Sadler's Well, sipas koreografisë së Ivanov. Në Itali mbërriti vetëm pas 4 vitesh të prezantimit të parë të tij, në 1938 në teatrin "La Scala" të Milanos.
Sava Lena