Edison Vatnikaj dhe pasioni për gazetarinë e terrenit
2023-12-28 16:45:52

Edison Vatnikaj punon prej tre vitesh si gazetar i kronikës në televizionin Ora News. Gazetaria e terrenit është një pasion i tij dhe ka nisur të punojë në këtë profesion që në kohën e studimeve. Ai ka mbaruar studimet bachelor për gazetari në Universitetin e Shkodrës, ndërsa masterin e ka përfunduar në Universitetin e Tiranës. Edisoni është mjaft kërkues ndaj vetes, për të qenë një gazetar i besueshëm dhe profesionist. Në një intervistë për Radio Ejani gazetari Vatnikaj tregon për fillimet e tij të punës si gazetar, pasionin që ka për këtë profesion dhe mbështetjen që ka gjetur te familja dhe kolegët e tij. 

Edison Vatnikaj gjate nje raprtimi nga terreni (Facebook)

Edison Vatnikaj gjate nje raprtimi nga terreni (Facebook)

CMG: Si lindi dëshira për degën e gazetarisë?

Edison Vatnikaj: Dëshira për të hyrë në gazetari ka qenë para se unë të filloja universitetin. Ne djemtë jemi pak më shumë të lidhur me ngjarjet, duam të dimë akoma më shumë informacion. Unë në fakt kam pasur dëshirë që të jem gjithmonë si punë informacioni, të jap lajmet për të informuar publikun. Kështu që me përfundimin e shkollës së mesme më lindi dëshira dhe bindja që të vazhdoja gazetarinë e terrenit, ndryshe nga gazetaria e studios. Puna ime është pikërisht tek rruga, institucionet, konkretisht në gazetarinë e terrenit, aty ku mund të them që është gazetaria e vërtetë dhe që e bën vërtetë profesionist një gazetar. Mendoj se nëse dikush ka dëshirë të bëhet gazetar duhet të zgjedhë patjetër gazetarinë e terrenit, që më vonë të bëhet një gazetar i mirë. Ky profesion kërkon të kesh kontakte, njohje dhe të kesh etikë në profesion.

Edison Vatnikaj duke raportuar lajmin (Facebook)

Edison Vatnikaj duke raportuar lajmin (Facebook)

CMG: Ke punuar në ndonjë media gjatë studimeve për gazetari në Universitetin e Shkodrës?

Edison Vatnikaj: Unë kam mbaruar studimet në Universitetin e Shkodrës, tre vite për gazetari dhe komunikim dhe gjatë vitit të fundit në gazetari kam pasur mundësinë dhe fatin që të punoj në një redaksi lajmesh. Kam punuar në televizionin Antena Nord në Shkodër, i cili ka qenë një televizion i vjetër dhe me traditë. Sigurisht si një student i ri nuk kisha shumë eksperiencë, por stafi dhe kolegët ma bënë akoma më të lehtë, që unë vijoja punë më i sigurt.

Unë kam pasur një profil që merresha me të gjithë lajmet, nga sporti, politika, kronika dhe kultura. Sigurisht që pas këtij cikli, unë mbarova shkollën dhe rrjedhimisht ndërpreva edhe komunikimin me TV Antena, për arsye se unë kam lindur në Tiranë dhe duhet të vijoja masterin këtu. Fillimisht kam punuar në TV Klan Plus, Klan News dhe prej më shumë se tre vitesh jam i profilizuar për gazetari kronike në Ora News.

Edison Vatnikaj gjate punes (Facebook)

Edison Vatnikaj gjate punes (Facebook)

CMG: Si ndjehesh në televizionin ku punon dhe cilat janë marrëdhëniet me stafin e kolegët e tjerë?

Edison Vatnikaj: Mund të them se Ora News është nga televizionet që mirëpret shumë të rinj, kush ka dëshirë dhe pasion për të vijuar me profesionin e gazetarit duhet fillimisht ta duash këtë gjë dhe ti krijohen kushtet. Ky televizion i ka kushtet për çdo student që ka dëshirë. Kështu që dhe unë si një personazh i ri në gazetari kisha pak stres për të përcjellë lajmet tek shikuesit, por e kam gjetur veten shumë mire dhe stafi është shumë i mire dhe punojmë fort dhe me orë të gjata. Kryesisht gazetaria e kronikës të privon që të dalësh me shoqërinë sepse ti duhet të rrish gjithë kohës me telefon në dorë për të pritur se çfarë po ndodh dhe ta raportosh lajmin. Në gazetarinë e kronikës duhet si fillim të kesh besim në vete dhe më pas ke rrugëtimin e suksesit tënd.

CMG: Sa kohë të merr ky profesion?

Edison Vatnikaj: Ne e dimë se kur e fillojmë punën, por nuk dimë se kur e mbarojmë atë. Kjo të paktën vlen për gazetarët e kronikës dhe kohët e fundit dhe ata të politikës sepse janë dy sektorët që kanë më shumë zhvillime  dhe më shumë interes te njerëzit. Gazetaria e kronikës është shumë e vështirë për të rinjtë, për shkak se fillimisht duhet të kesh burim informacioni, kontakte të besueshme që të tregojnë të vërtetën dhe të informojnë për lajmet. Ndërkohë që nga ana tjetër aktiviteti për të dalë me miqtë apo familjen na është kufizuar pak. Kohën ta merr, por jam munduar që t’i kordinoj pak me punën, kohën, aktivitetin fizik që është shumë i rëndësishëm si dhe mundohem të gjej pak kohë për njerëzit e tjerë.

Gazetari Edison Vatnikaj (Facebook)

Gazetari Edison Vatnikaj (Facebook)

CMG: Si është një ditë e zakonshme në punë?

Edison Vatnikaj: Unë  mbuloj zakonisht lajmet e kronikës, që lidhen me policinë, prokurorinë dhe gjykatat. Dita ime e punës nis në orën 8.30 të mëngjesit, ku fillimisht shikojmë se çfarë seancash gjyqësore ka në gjykatë dhe nëse ja vlen t’i ndjekim. Më pas kemi shumë lajme që ne i mbledhim gjatë gjithë ditës, ku mundohemi që t’i shpërndajmë në javët në vijim, për të mos pasur shumë ngarkesë. Zakonisht ne e mbyllim punën rreth orës 4 pasdite. Nëse e bën me dëshirë këtë punë, ora është numër dhe pasioni rritet më shumë.

CMG: Ka qenë gazetaria e vetmja zgjedhje për ty?

Edison Vatnikaj: Është interesante në fakt, që para se të regjistrohesha në universitet që të më dilte gazetaria, unë jam regjistruar në një shkollë profesionale për hidraulik. Mendova që ta kem një zanat nëse nuk më dilte shkolla për gazetari. Atë ditë që u regjistrova në shkollën profesionale, të nesërmen më doli gazetaria. Kështu që e lashë shkollën profesionale sepse ndoqa pasionin tim, gazetarinë.

CMG: Ke të tjera pasione në jetë përveç gazetarisë?

Edison Vatnikaj: Kam filluar të ushtroj aktivitetin fizik të palestrës. Gjithashtu kam pasur gjithmonë dëshirë të luaj futboll, pra kam qenë gjithmonë tek sportet. Unë kam qenë në stërvitje me ekipin e Partizanit, por pas një ndërhyrje që bëra për apandesitin dhe qëndrimit më shumë në spital, u detyrova ta lija sportin dhe të vijoja me një pasion tjetër. Fundjavën e shfrytëzoj për aktivitetin fizik, por pas gazetarisë nuk kam ndonjë pasion tjetër më të madh.

Edison Vatnikaj (Facebook)

Edison Vatnikaj (Facebook)

CMG: Kush të ka mbështetur më shumë në rrugën e gazetarisë?

Edison Vatnikaj: Në fillim është shumë e vështirë të kesh mbështetje reale, pra mund të kesh mbështetje të miqve, por janë thjesht fjalë. Sigurisht që mbështetja e parë vjen nga familja dhe e dyta nga njerëzit që punoj, kryeredaktori, redaktori dhe disa kolegë. Kam pasur fatin të bashkëpunoj me njerëz shumë të sinqertë qëkur kam filluar punë në redaksinë e parë në Shkodër dhe deri në këto momente në Ora News. Nëse stafi dhe redaktorët të vlerësojnë, është një gjë pozitive për shkak se ti i jep shtysë vetes për të punuar akoma më shumë. Mendoj se të tilla motivime e ndihmojnë gazetarin që të bëjë performancën më të mirë.

CMG: Je i kënaqur me arritjet profesionale të deritanishme?

Edison Vatnikaj: Falë Zotit jam mirë, por sigurisht që unë jam i ri në tregun e gazetarisë, pasi  kam tre vjet në gazetari dhe jam në moshën 25 vjeçare. Njerëzit që më kanë ndjekur në këtë rrugëtim më kanë thënë se kam bërë një performancë shumë të mirë. Unë nuk dua asnjëherë që t’i zhgënjej njerëzit që më kanë mbështetur. Unë kam dëshira të tjera për të vijuar në gazetarinë e terrenit, për të përcjellë intervista të bukura, lajme të bukura pikërisht të kronikës së zezë.

CMG: Një mesazh urimi për festat e fundvitit për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.

Edison Vatnikaj: Uroj për të gjithë shqiptarët një vit sa më të mbarë, me shëndet të plotë, ta duan dhe ta respektojnë njëri-tjetrin.

Intervistoi: Gazmend Agaj