Guangdong krijon pesë grupime qytetesh për të forcuar zhvillimin
2023-12-28 15:07:38

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Qeveria provinciale e Guangdong ka përcaktuar pesë grupime qytetesh - Guangzhou, Shenzhen, bregu perëndimor i grykëderdhjes së lumit Pearl, Shanchaojie dhe Zhanmao,  të cilat do ta ndihmojnë provincën të arrijë zhvillim me cilësi të lartë.

Ai Xuefeng, drejtor i Komisionit provincial të Zhvillimit dhe Reformës në Guangdong, tha se urbanizimi është rruga e pashmangshme e modernizimit dhe kultivimi i këtyre grupimeve, ose megaqyteteve, është një mjet i rëndësishëm për promovimin e zhvillimit me cilësi të lartë në provincë.

Ai shtoi se shkalla e urbanizimit të popullsisë së përhershme në Guangdong iu afrua 75 për qind vitin e kaluar, duke hyrë në një fazë të pjekur dhe të qëndrueshme urbanizimi.

“Pas vitesh zhvillimi, Guangdong tani ka kushtet, themelet dhe domosdoshmërinë për të përshpejtuar kultivimin dhe zhvillimin e megaqyteteve për të optimizuar më tej modelin e popullsisë dhe ekonomisë, si dhe për të rritur fuqinë endogjene të deltës së lumit Pearl, Gjirit Beibu dhe grupimet urbane bregdetare në provincat Guangdong, Fujian  dhe Zhejiang”,- tha Ai.

Sipas tij, ky projekt do të ndihmojë në formimin e avantazheve të reja për zhvillimin rajonal dhe do të ofrojë mbështetje të fortë për zonën që të vazhdojë të marrë drejtimin në promovimin e rrugës drejt modernizimit.

Guangzhou është planifikuar të bëhet motori kryesor për zhvillimin me cilësi të lartë të provincës, një bazë globale prodhimi, një zonë kombëtare demonstrimi për urbanizimin me cilësi të lartë dhe një zonë model për integrimin e industrive prodhuese dhe të shërbimit. Deri në vitin 2030, fuqia gjithëpërfshirëse e megaqytetit Guangzhou, i cili përfshin kryeqendrën e provincës, si dhe Foshan dhe pjesë të Zhaoqing dhe Qingyuan do të rritet ndjeshëm, me një normë urbanizimi prej rreth 88 për qind për banorët e përhershëm.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Me Aeroportin Ndërkombëtar Guangzhou Baiyun dhe Portin Nansha, megaqyteti Guangzhou pritet të bëhet një qendër globale transporti. Megaqyteti Shenzhen, i cili përfshin Shenzhen, Dongguan, Huizhou dhe Zonën e Bashkëpunimit të Posaçëm të Shenshan, pritet të bëhet një megalopol inovativ, ndërkombëtar dhe modern me stil kinez dhe standarde të klasit botëror deri në vitin 2035.

Bregdeti perëndimor i grykëderdhjes së lumit Pearl, duke përfshirë qytetet Zhuhai, Zhongshan,  Jiangmen  dhe Yangjiang, pritet të bëhet një pol i rëndësishëm rritjeje për Zonën e Madhe të Gjirit Guangdong-Hong Kong-Makao, një bazë e përparuar e prodhimit të pajisjeve me ndikim global dhe një zonë zhvillimi cilësore e përshtatshme për banim, punë dhe udhëtim.

Megaqytetet Shanchaojie dhe Zhanmao, të vendosura përkatësisht në pjesët lindore dhe perëndimore të Guangdong, pritet të jenë baza të rëndësishme prodhimi për të promovuar zhvillimin e koordinuar rajonal në provincë.

Shanchaojie  përfshin qytetet Shantou, Chaozhou dhe Jieyang, ndërsa Zhanmao përbëhet nga qytetet bregdetare Zhanjiang  dhe Maoming.

Li Xiaolin, zëvendësdrejtoreshë e zyrës së tretë rajonale të Qendrës së Kërkimit të Strategjisë së Zhvillimit Rajonal të Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës, tha se planifikimi i megaqyteteve pasqyron avantazhet krahasuese të rajoneve të ndryshme dhe zhvillimin e tyre të diferencuar.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

“Planifikimi i pesë megaqyteteve respekton dallimet në fazat e zhvillimit të aglomerateve të ndryshme urbane, dizajnet e strukturës hapësinore, modelet ekologjike dhe industriale, infrastrukturën dhe shtrirjen e objekteve të shërbimit publik të aglomerateve urbane në mënyrë të diferencuar”, tha ajo.

Sipas statistikave zyrtare, popullsia e përhershme e pesë megaqyteteve në Guangdong arriti në 108 milionë vitin e kaluar, duke përbërë 85.4 për qind të totalit të provincës.

Të ardhurat e disponueshme të banorëve arritën në 5.8 trilionë juanë, që përfaqëson më shumë se 90 për qind të totalit të provincës.

Provinca, me një popullsi prej më shumë se 127 milionë banorësh, është rajoni më i populluar i vendit dhe një fuqi ekonomike.