Raporti i OKB-së për çmimet e apartamenteve në Tiranë. Reagim i Shoqatës së Ndërmjetësuesve
2023-12-28 11:56:50

Ndertime Tirane (Foto Shqip.com)

Ndertime Tirane (Foto Shqip.com)

Tirana cilësohet si një nga shtatë kryeqytetet kryesore europiane me nivele të larta të papërballueshmërisë së blerjes së një banese. Një raport i fundit i Komisionit Ekonomik për Europën në Kombet e Bashkuara që ka bërë një vlerësim të profilit të Shqipërisë në aspektin e zhvillimit urban, strehimit dhe menaxhimit të tokës nënvizon gjithashtu se rritja e çmimeve mund të jetë ndikuar edhe nga pastrimi i parave. Në një intervistë për revistën “Monitor” Reinaldo Pipiria nga Shoqata e Ndërmjetësuesve ka komentuar ketë përfundim të nxjerrë nga raporti i fundit i Komisionit Ekonomik për Europën në Kombet e Bashkuara.

“Është interesat pasi kam studiuar të gjithë raportin dhe kam vënë re se vetëm një fjali e përmendur shkurtazi dhe në pjesë të kohës e nxjerrë totalisht jashtë kontekstit, duke pasur parasysh që në të gjithë shtrirjen e vetë raportit nuk ishin mbështetur mbi statistika në bazë të institucioneve shqiptare, siç është Banka e Shqipërisë, ASHK apo INSTAT. E vëmë re këtë gjë që pa dashje mund të kenë arritur në një konkluzion të tillë të gabuar, duke pasur parasysh që në raport thuhet që 1% e tregut të pasurive të paluajshtme është e mbështetur nga kredia hipotekore, pra huadhënia për banesa. Nuk jam duke thënë që është totalisht gabim, por ka vend për të parë efektin real nëse ky fenomen negativ ka ndikuar dhe në ç’pjesë ka ndikuar. E vërtetë është që raporti ka mangësi të mëdha në pjesën e statistikave.”- tha Pipiria.

Reinaldo Pipiria (Foto Linkedin)

Reinaldo Pipiria (Foto Linkedin)

Përfaqësuesi i Shoqatës së Ndërmjetësuesve jep edhe shifra  të financimeve në këtë sektor.

“Është 35-40% në nivelin e 400 milionë eurove që është financimi nga sektori bankar për banesat e reja, për blerjet për banesa. Nëse kemi parasysh që 25-30% është investime të huaja direkte apo blerësit e huaj nëse flasim për pasuritë e paluajtshme dhe ky 400 milionë euro që vjen nga sektori bankar kuptojmë se pjesa tjetër ngelet 20-30% që janë kursimet që atashohen kredidhënies dhe pjesa e remitancave. Mendoj se duhet marrë me shumë konservatorizëm dhe shumë rezerva ky lloj rezultati. Ky lloj raporti në faqen 5 dhe 6 nxjerr rekomandime që duhet të kemi një rritje të nivelit të lartë të transparencës sa i takon transaksioneve të pasurive të paluajtshme dhe të dhënave të pasurive të paluajtshme që janë realisht detyrë kryesore e ASHK, e institucioneve qeveritare. Në këtë realitet shqiptar që kemi vërtetë mangësi të statistikave të verifikueshme reale, për zhvillimin e tregut tonë është e vështirë të arrish në konkluzione të qarta dhe aq më shumë në konkluzione të tilla”, theksoi Pipiria.

Renditja e kryeqytetetit shqiptar si një ndër 7 kryeqytet kryesore evropiane me nivelin më të lartë të papërballueshmërisë për blerjen e banesave për Pipiria lë të kuptohet se nuk ka patur statistika  të sakta.

Pamje nga Tirana (Foto Start News)

Pamje nga Tirana (Foto Start News)

“Edhe ky rezultat i nxjerrë sipas raportit, kjo vërejtje nuk është e mbështetur me statistikat që të bëjmë krahasimet. Kush janë 6 qytetet e tjera, pse Tirana është një nga 7, si është arritur në këtë raport?  Duhet të kemi parasysh që ekonomia shqiptare vazhdon dhe vuan edhe në 2023 nga 35-40% të ekonomisë gri. Nëse marrim raportet e çmimeve me atë pjesë që kemi deklaruar patjetër që mund të arrijmë në rezultate jo fort reale dhe jo fort të vërteta. Atë që ne kemi vërejtur e kemi parashikuar që në fillim të 2023 dhe vazhdojmë ta themi dhe parashikojmë për 2024 tregu ka filluar të stabilizohet, ka filluar të rregullohet.  Nën dritën e rritjes së të ardhurave personale, të rritjes së pagës mesatare në Shqipëri vlerësojmë se ky raport do përmirësohet ndjeshëm. Ne nuk parashikojmë një rritje të çmimit siç e kemi thënë në 2023 me dyshifrore dhe këtë po e thonë të gjithë aktorët që tregu po rregullohet, kemi një stabilizim të çmimeve”, tha ai.

Parashikimet për tregun e real estate duken optimiste.

Ndërtime të reja në Tiranë (Foto CNA)

Ndërtime të reja në Tiranë (Foto CNA)

“Në dritën e zhvillimeve ekonomike dhe parashikimet e rritjes së pagës mesatare, ky raport sa do vijë dhe do bëhet më e lehtë për çdo familje, për të pasur një apartament në Shqipëri, por edhe vetë kjo e mbështetur edhe nga sektori bankar, shikojmë që sado që normat e interesit janë rritur nuk janë në atë nivel të kufizojnë përfitimin që vjen nga interesi bankar.”

Raporti thekson gjithashtu se pallatet e trashëguara nga regjimi komunist vuajnë nga mungesa e investimeve dhe mirëmbajtjes.Numri i banesave që janë të mbipopulluara sipas standardit të OKB arrin në 58%, mbetet më i larti në Evropë më përjashtim të Malit të Zi.