Kinë, zhvillohet konferenca qendrore mbi punët e jashtme
2023-12-28 20:41:22

foto nga Xinhua

Konferenca qendrore mbi punët e jashtme u zhvillua në Pekin të mërkurën dhe të enjten. Presidenti i Kinës Xi Jinping mbajti një fjalim të rëndësishëm në këtë konferencë.

Në fjalimin e tij, Xi përgjithësoi në mënyrë sistematike arritjet historike dhe përvojën e vlefshme të diplomacisë së vendit të madh me karakteristika kineze në epokën e re, shtjelloi mjedisin ndërkombëtar e misionin historik të punëve të jashtme të Kinës në udhëtimin e ri dhe parashtroi planet e përgjithshme për punët e jashtme të Kinës në të tashmen dhe në të ardhmen.

Në konferencë u theksua se, gjatë udhëtimit të madh për nxitjen e kauzës së socializmit me karakteristika kineze në epokën e re qysh nga viti 2012, në punët e jashtme të Kinës janë arritur suksese historike dhe kanë ndodhur ndryshime historike.

Gjatë dhjetë vjetëve të fundit të epokës së re, Kina ka hapur perspektiva të reja të diplomacisë së vendit të madh me karakteristika kineze, ka fituar më shumë autonomi strategjike e iniciativë diplomatike dhe është shndërruar në një vend të madh të përgjegjshëm me një shtim të forcës ndikuese në botë, me aftësi më të madhe për të nxitur veprime të reja dhe me më shumë forcë tërheqëse në aspektin moral.

Në konferencë u vu në dukje se në epokën e re Kina ka fituar shumë përvojë të çmuar në diplomaci. Në çështjet madhore që kanë të bëjnë me të ardhmen e njerëzimit dhe me kursin e zhvillimit të botës, Kina duhet të mbajë një qëndrim të qartë e të vendosur, të ruajë vlerat e larta morale ndërkombëtare dhe të bashkojë shumicën e botës.

Sipas konferencës, koncepti i bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit, thelbi i mendimit diplomatik të Xi Jinping-ut, pasqyron dëshirën e përbashkët të popujve, tregon drejtimin e përparimit të qytetërimit botëror dhe është synimi i lartë i diplomacisë kineze.

Krijimi i bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit synon ndërtimin e një bote të hapur, përfshirëse, të pastër e të bukur, me paqe të gjatë, siguri të përgjithshme e lulëzim të përbashkët, ndërmjet nxitjes së qeverisjes globale me konsultime të gjera, kontribut të përbashkët e përfitime të ndërsjella, nën drejtimin e konceptit të vlerave të përbashkëta të njerëzimit. Realizimi i këtij objektivi kërkon formimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të tipit të ri dhe që të ndiqet kursi strategjik për zbatimin e nismave për zhvillimin global, për sigurinë globale dhe për qytetërimin global, ndërsa bashkëpunimi me cilësi të lartë në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë" do të jetë programi i veprimit për këtë objektiv, u theksua në konferencë. 

Kina është për një botë shumëpolare me barazi e rend dhe për globalizimin ekonomik me leverdi të ndërsjellë, përfitime të përbashkëta dhe gjithëpërfshirje, në përballimin e një sërë problemesh e sfidash përpara botës së sotme, u vu në dukje në konferencë.(Wang Lei/ Artan)