Foto nga VCG
Në fund të vitit, tregtia e jashtme e Kinës ka përballuar presione të shumta, sidomos nga jashtë, duke ruajtur një gjendje të qëndrueshme dhe duke pasur arritje me gjithë vështirësitë. Këto arritje kanë ardhur nga rritja e shpejtë e sektorëve të rinj, si makinat elektrike, bateritë diellore e bateritë e litiumit, por më thelbësorja është që Kina ka ngulur këmbë në zhvillimin e nxitur nga inovacioni. Kjo është epërsia e re e Kinës, prej nga po çlirohen pandërprerë energjitë e reja të zhvillimit.
Në Treguesin Global të Inovacionit 2023 të publikuar nga organizata WIPO, Kina renditet në vendin e 12-të, ndërsa në gjashtë fusha zë vendin e parë në botë. Kina zotëron 24 grupet teknologjike kryesore në botë dhe është ngjitur në vendin e parë në listën globale të këtyre grupeve. Këto shifra tregojnë që Kina është futur ndër vendet inovative dhe aftësia e saj në inovacion po ngrihet vazhdimisht.
Në botën e sotme, zhvillimi ekonomik po kalon nga modeli i rritjes që varet nga burimet dhe sektorët tradicionalë në modelin më inovativ, më inteligjent, më të vazhdueshëm dhe të orientuar nga shërbimet. Në këtë periudhë kyçe të shndërrimit të forcave shtytëse të zhvillimit, disa vende janë dhënë pas “shkëputjes” dhe “ndërtimit të mureve të larta”, duke e ndërlikuar më tej mjedisin e ekonomisë dhe tregtisë globale. Këmbëngulja te zhvillimi i nxitur nga inovacioni dhe përshpejtimi i ndryshimit të mënyrës së zhvillimit ekonomik është një domosdoshmëri për Kinën për përballimin e ndryshimit të mjedisit të zhvillimit dhe për zhvillimin me cilësi të lartë.
Në mbledhjen qendrore të punës ekonomike që u zhvillua pak ditë më parë, “ndërtimi i sistemit modern industrial të drejtuar nga inovacioni teknologjik” është përcaktuar si e para ndër 9 detyrat kryesore të punëve ekonomike të Kinës. Në këtë mbledhje u propozua që të nxitet inovacioni industrial nga inovacioni teknologjik, posaçërisht që të nxitet lindja e industrive të reja, modeleve të reja dhe shtysave të reja me teknologjitë moderne dhe përmbysëse. Inovacioni është motori kryesor për zhvillimin me cilësi të lartë. Kina zbaton në mënyrë të thellë strategjinë e “nxitjes së zhvillimit nga inovacioni”, promovon me fuqi të madhe zhvillimin e teknologjive thelbësore, forcon me vendosmëri bazën e inovacionit, nxit me të gjitha forcat zhvillimin e industrive dhe bizneseve të reja, ndërton fuqimisht një mjedis të hapur inovativ me aftësi globale konkurruese, zëvendëson konkurrimin e bazuar te inventari me rritjen e bazuar te inovacioni dhe, ndërkohë, krijon hapësira të reja për ekonominë botërore, duke sjellë gjallëri të re.
Foto nga VCG
Inovacioni teknologjik po shndërrohet pandërprerë në fryte konkrete dhe i ka dhënë impuls të mëtejshëm zhvillimit me cilësi të lartë. Industritë e reja që përfaqësohen nga teknologjia e informacionit, bioteknologjia, pajisjet e nivelit të lartë dhe mbrojtja mjedisore, po zhvillohen në mënyrë të vrullshme në Kinë. Informatika cloud, të dhënat e mëdha, zinxhiri i blloqeve dhe inteligjenca artificiale po integrohen thellësisht me sektorët tradicionalë. Industritë e reja, formatet e reja dhe modelet e reja të biznesit (që quhen si “tre të rejat”) po zhvillohen në mënyrë të dukshme dhe po bëhen një motor i rëndësishëm për rritjen ekonomike.
Në vitin 2022, vlera e shtuar ekonomike e “tre të rejave” shkoi në mbi 21 trilionë juanë, duke zënë 17.36 % të GDP-së dhe 2.6 % më shumë se në vitin 2015. Krahas kësaj, eksporti i baterive të litiumit, baterive diellore dhe makinave me energji të re shënoi rritje të madhe dhe produktet me teknologji të lartë, me vlerë të lartë të shtuar dhe të gjelbra po bëhen pikat e reja të rritjes së tregtisë.
Në ekonominë digjitale, Kina ka bërë inovacion në pagesat digjitale, tregtinë elektronike, internetin e gjërave dhe inteligjencën artificiale, çka ka nxitur fuqimisht zhvillimin global të ekonomisë digjitale. Në raportin e “McKinsey & Company” thuhet që Kina po ndryshon gjendjen globale të digjitalizimit dhe po jep mbështetje e frymëzim për kompanitë ndërkombëtare, çka ka shumë mundësi që të ndikojë ndjeshëm në ekonominë botërore.
Në ekonominë e gjelbër, Kina ka bërë inovacion në përdorimin e energjive të pastra dhe makinave me energji të re, çka ka nxitur shumë ndryshimin global të strukturës energjetike. Kompania kineze e prodhimit të automjeteve BYD ditët e fundit ka shpallur që do të ndërtojë bazën e prodhimit të makinave me energji të re në Hungari, që parashikohet të ofrojë mijëra vende pune për vendasit.
Foto nga VCG
Kina ndan burimet e inovacionit teknologjik dhe i ka sjellë botës më shumë raste të reja zhvillimi. Kina ka nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit teknologjik me mbi 160 vende e rajone të botës, ka firmosur 116 marrëveshje të bashkëpunimit ndërqeveritar për teknologjinë, ka ndërtuar mbi 20 qendra demonstruese për teknologjinë bujqësore në vendet bashkëndërtuese të “Një brez, një rrugë” dhe mbi 70 parqe industriale jashtë vendit, ka ngritur dhjetë qendra të bashkëpunimit teknologjik e arsimor jashtë vendit dhe ka krijuar nëntë qendra ndërkombëtare për transferimin teknologjik. (Jiang Lei)