Festat e dhjetorit, ku pëlqyen të udhëtojnë shqiptarët
2023-12-27 10:17:30

Destinacionet për festat e Krishtlindjes dhe të Vitit të Ri janë vërtet të panumërta, por disa prej tyre dallohen për një listë shumë të gjatë të gjërave që mund të bëhen me familjen gjatë sezonit të festave.

Shqiptarët po i drejtohen qyteteve europiane për të kaluar këto ditë pushimesh familjarisht, duke synuar qytete që ofrojnë atmosferë tejet festive dhe çmime jo shumë të larta, sigurisht me prenotime të bëra shumë kohë më parë.

Ja destinacionet që preferojnë shqiptarët gjatë kësaj periudhe për të kaluar festat e dhjetorit.

Tirana - foto ATSH

Tirana

Mbetet një destinacion shumë i pëlqyer, sidomos për qytetarë që nuk jetojnë në Tiranë. E pëlqejnë Tiranën si një zgjedhje shumë të mirë për familjet e tyre, për të shijuar rrugët dhe vitrinat e dokoruara, shfaqjet apo koncertet në skena apo rrugë, qendrat e mëdha tregtare  ku mund të bëjnë blerje me zbritje çmimi si dhe drekat apo darkat në restorantet që janë më plot se asnjëherë tjetër. Një tërheqje të madhe përbëjnë lodrat argëtuese tek sheshi “Skënderbej”, me karuselet, muzikën dhe ushqimet finger food, që bëhen më shumë se asnjëherë tjetër ftuese. Koncerti festiv më datë 31 në mbrëmje si dhe hedhja e fishekzjarreve përbëjnë momentet më të bukura të festimeve në Tiranë, për ato që e zgjedhin.

Disneyland Paris - foto Disneyland

Disneyland, Paris

Një ndër kujtimet më të bukura për një fëmijë, është vizita në Disneyland, vendi i lodrave të përrallshme. Dhe kur kësaj mrekullie i shtohet edhe nata e Krishtilindjes apo e Vitit të Ri, atëherë magjia bëhet më e plotë. Të shumta janë ato familje me fëmijë, që kanë zgjedhur Disneylandin në Paris si destinacionin e duhur për të kaluar disa ditë festive në fund të dhjetorit. Me prenotimet e bëra kohë më parë dhe paketa të plota ku përfshihet edhe argëtimi në park si dhe qëndrimi në një nga hotelet e shumta që Disneyland ofron, shqiptarët i drejtohen Parisit, për të përmbushur ëndrrat e fëmijëve të tyre dhe jo vetëm.

Parisi është padyshim një nga destinacionet më të njohura të Krishtlindjes në botë (së bashku me Londrën dhe Nju Jorkun) dhe ndoshta sezoni i festave është – pavarësisht të ftohtit të ashpër – koha më e mirë për të vizituar Qytetin e Dritave.

Mynih ne  Gjermani- foto visit-chester

Gjermania, kudo shndrit nga tregjet

Gjermania është futur edhe në listën e preferencave të shqiptarëve për të kaluar festat e dhjetorit. Prania gjithnjë e më e madhe e shqiptarëve që kanë shkuar si emigrantë atje, ka bërë që familjarë apo të afërm të tyre, të zgjedhin një nga  landet e Gjermanisë, si mundësi për ta kaluar festat. Qytetet gjermane shquhen për dekorimet e shumta dhe atmosferën tejet festive, me muzikë të pafund, shfaqje teatrale, ushqim të mirë, lojëra të pafundme, ku fëmijët gjejnë parajsën e tyre.

Këtë vit shqiptarët kanë preferuar të udhëtojnë drejt Gjermanisë, jo thjesht për të takuar familjarët, por edhe për të marrë pak nga magjia gjermane e festave.

Roma per Krishtlindje - foto tripanthropologist

Italia, festa e përkryer e Krishtlindjes

Italia mbetet një nga destinacionet më të dashur për shqiptarët, pavarësisht sezonit. Qytetet e përzgjedhur nga shqiptarët për të kaluar festat janë Roma, së cilës festat vetëm sa ia shtojnë magjinë, Napoli, i cili çdo vit përgatit një ndër tregjet më të bukura të Italisë, Milano dhe Torino.  Nëse dikur shqiptarët e lidhnin Italinë me vendin mik që strehonte të afërmit e tyre, tani e shohin kryesisht si vendin turistik që ofron art, kulturë, modë dhe ushqim shumë të mirë. Krishtlindjet në Itali, sidomos si të ftuar në një shtëpi, është ndër kujtimet më të bukura që festat ofrojnë në këtë vend.

Kotorri ne Mal te Zi - Foto Go Montenegro

Mali i Zi

Mali i Zi vijon të jetë në krye të preferencave për të kaluar festat e fundvitit. Afërsia me këtë vend e favorizon udhëtimin me makinë familjare dhe e rendit atë si më të pëlqyerin. Shqiptarët kanë zgjedhur destinacione të tilla si Ulqini, Budva, Tivati, apo Kotorri, ku hotele luksoze ofrojnë darka festive me muzikë live, ku këndohet dhe kërcehet deri në orët e para të mëngjesit. Gjithashtu në paketat që hotelet ofrojnë përfshihet edhe trajtimi me Spa apo pishinat e brendshme, duke e bërë qëndrimin tejet luksoz.

Por një nga zgjedhjet e bëra kanë qenë destinacionet me borë, si Kaloshini, ku festimeve i shtohen edhe paketat e skijimit. 

Sigurisht, në listën e kryeqyteteve më të bukur për të kaluar festat e dhjetorit janë Kopenhaga në Danimarkë, Rovaniemi në Finlandë, Londra në Britaninë e Madhe, etj.

Shqiptarët sigurisht e dinë këtë. Megjithatë ato kanë pëlqyer të bëjnë zgjedhje më praktike, duke kombinuar motivin me paratë dhe kohën. Pra duke bërë zgjedhje të zgjuara.

Neritana Kraja