Blerjet online, zhvillimi dhe sfida e informalitetit
2023-12-27 10:37:32

Blerjet online (Foto Shqiptarja.com)

Blerjet online (Foto Shqiptarja.com)

Blerjet “online” po marrin gjithnjë e më shumë zhvillim pasi po përdoren për të qarkulluar mallrat të ndryshme pa qenë nevoja për t’u paraqitur fizikisht në dyqane. Konkretisht blerjet online  janë kryer nga 38,5% e popullsisë së grup-moshës 16 – 74 vjeç në 12 muajt e fundit, tregues i cili ka shënuar një rritje prej rreth 3,8 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2022. Ndër blerjet “online”, produktet  dhe shërbimet që zënë peshën më të madhe janë rroba, këpucë, aksesorë me 88,8% ndjekur nga shërbimet e dërgimit në shtëpi nga restorantet, fast food dhe shërbimet katering me 40,3%.  Në një intervistë për mediat  Pranvera Rrapushi, eksperte e e-commerce ndalet tek sfidat që shoqërojnë zhvillimin e kësaj tregëtie online përfshirë  rregullimet ligjore për mirëfunksionim.

“Nëse do ta shikojmë si industri është një industri premtuese, që do të thotë se nga viti në vit ka zgjerim të territorit, klientelës, kjo për shkak të disa elementeve. Nëse do ta shikojmë si rajon, si po ecën Shqipëria, mund të themi se është një nga vendet më të prapambetura dhe kjo në saje të disa faktorëve. E para është mungesa e pagesave online, pasi ne flasim masivisht për shitje online apo blerje online apo delivery vjen porosia në adresë dhe atëherë bëjmë pagesën fizike. Nga ana tjetër kemi një mungesë të infrastrukturës, që do të thotë nëse një biznes apo një faqe online operon në treg apo nuk është e mirinformuar apo i disiplinuar për të pasur një staf për t’i shërbyer këtij klienti, nga hallkat kryesore të funksionimit dhe mirëfunksionimit të kompanisë. Nga ana tjetër kemi dhe mungesën e ligjit për industrinë online, tutelimi i klientit. Kemi ligjin për mbrojtjen e konsumatorit që siç e dimë nuk funksionon në Shqipëri në dyqanet fizike dhe jo më në faqet online. Këto janë disa problematika që bëjnë që Shqipëria të jetë më e prapambetur se rajoni, por nuk do të thotë se nuk po rritemi nga viti në vit.”- shprehet Rrapushi.

Në kohët e sotme përdorimi i internetit është kthyer në lehtësi për përdorim të gjerë dhe vit pas viti hapat e zhvillimit janë të mëdha.

“Nëse do ta shikojmë industrinë në vitet 2000 kur përdoruesit e internetit kanë qenë 0.1% dhe dukej totalisht e pamundur, apo  diçka e re kur ia prezantoje si biznesit por dhe konsumtarorit për të shitur dhe blerë online, ishte diçka e pakonceptueshme. Ndërkohë që në ditët e sotme ne e shikojmë që nuk është një luks përdorimi i internetit, por është një domosdoshmëri. Sidomos pas pandemisë apo karantinës, kjo gjë ishte një lehtësi sepse kursen kohën që është e çmuar, por nga ana tjetër, nga një garë e drejtë apo e padrejtë mes bizneseve, bëhet një luftë e egër çmimesh dhe konsumatori online ka të drejtë të përfitojë nga këto ulje dhe mund t’i krahasojë nga një faqe tek një faqe tjetër.”- shprehet ekspertja e tregtisë online.

Blerjet online nuk po njohin më moshë as në Shqipëri. Ndërkohë në këtë lloj tregu dominojnë blerjet më së shumti nga gratë. Sot kjo tregti nuk është e pozicionuar në site të duhura, por më së shumti në rrjete sociale dhe kjo çon edhe në abuzime.

Pranvera Rrapushi (Foto UN Woman Albania)

Pranvera Rrapushi (Foto UN Woman Albania)

“Ky trend ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë. Nëse para pandemisë apo karantinës, i referohem këtij sepse ky është një hendek që kjo industri ka një hov më të madh zhvillimi. Ka qenë për të rinjtë të pozicionuar kryesisht sipas gjinisë gratë dhe vajzat të pozicionuara tek blerjet e fashion apo veshjeve, dhe nga ana tjetër meshkujt të pozicionuar tek blerjet e tyre me aksesorë makine dhe elektronike. Pas karantinës dhe pandemisë, kishte një hendek tjetër që ndodhi që të blinin online edhe moshat e treta. Por kur flasim online për në Shqipëri, do të thotë që blihet nëpërmjet rrjeteve sociale Facebook dhe Instagram jo në përdorimin e platformave të mirëfillta që është website i kompanisë.”

Për këtë sektor nuk ka matje të sakta.

“Këtë e shohim dhe si problematikë tjetër, kemi mangësi  në statistika në Shqipëri,  sepse nuk ka një numër të saktë të bizneseve të formalizuara në Shqipëri dhe kaq funksionojnë në informalitet. Ajo që  ne si ekspertë dimë lidhur  me kompanitë e shpërndarjes  apo në kompeticione të tjera që  marrim pjesë  është që  në Shqipëri  operojnë  mbi 5000 faqe apo 6000 faqe online. Një individ mund të ketë dhe më shumë se një faqe online, por të formalizuara mund të jenë rreth 150.”

Problematikë është informaliteti i lartë në këtë lloj tregtie.

Blerje-online (Foto Ballkanweb)

Blerje-online (Foto Ballkanweb)

“90% janë informalitet dhe nëse do ta shikojmë në standardet ndërkombëtare sa prej tyre operojnë, nuk janë më shumë se 50 deri në 70 kompani. Kjo është një shifër shumë e vogël që ka nevojë që të ndryshohet infrastruktura, të ndryshohet legjislacioni, që të trajnohen dhe të edukohen. Më shumë sesa penalizim të këtyre faqeve që operojnë në informalitet, shikojmë se duhet të ndërgjegjësohen dhe të formalizojnë biznesin e tyre për një shërbim më të denjë për konsumatorin final që konsumatori të jetë i tuteluar, por nga ana tjetër pse jo këto janë start up-e dhe pse jo do ketë rritje të punësimit.”

Vit pas viti shqiptarët  janë familjarizuar më shumë me teknologjinë në vitin 2023, si në përdorimin e internetit, përdorimin e pajisjeve smart dhe blerjet online. Përdorimi i e-blerje (blerje online) i referohen porosive të mallrave ose shërbimeve nëpërmjet internetit, blerjen e tyre nëpërmjet internetit (e-blerje) për qëllime personale nëpërmjet çdo lloji pajisjeje (desktop, i lëvizshëm ose i dorës, përfshirë telefonin celular ose telefon smart).