Foto nga VCG
Në botën e sotme, lëshimi i tepërt i karbonit është bërë një problem që kërcënon planetin. Kur flasim për pasojat e ngrohjes globale, parashikimet kryesore janë ngritja e nivelit të detit dhe kërcënimet ndaj zonave më të ulëta, paqëndrueshmëria e motit global dhe shtimi i tajfuneve e i ciklonëve etj.
Por sistemi ekologjik global është shumë i komplikuar që të parashikohet me saktësi edhe nga kompjuteri më i fuqishëm në botë. Përgjigjja e vërtetë është që ne nuk i dimë të gjitha pasojat, siç nuk parashikonim dot krizën katastrofike financiare globale të vitit 2008, e cila shembi krejtësisht sistemin financiar global, që ishte artificial dhe më pak i komplikuar në krahasim me sistemin ekologjik global.
Duke marrë parasysh pasojat e mundshme, Kina po mban përgjegjësinë e duhur si ekonomia e 2-të më e madhe e botës për përballimin e lëshimit të karbonit dhe ngadalësimin e ngrohjes globale. Ekonomia e gjelbër është tani një sektor me rëndësi strategjike për ekonominë kineze dhe mund të nxitë rritjen e saj në të ardhmen.
Një nga nënsektorët më të rëndësishëm të ekonomisë së gjelbër të Kinës është ai i makinave me energji të re. Sipas vlerësimeve të "Bloomberg"-ut, automjetet me energji të re të shitura në Kinë do të përbëjnë rreth 60% të shitjeve globale në vitin 2023. Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata e Makinave të Udhëtarëve e Kinës, në 11 muajt e parë të këtij viti, Kina eksportoi 1.6 milionë automjete me energji të re, 87 % më shumë se një vit më parë. Kompanitë kineze që janë të specializuara në prodhimin e automjeteve të tilla, si BYD, "Guangzhou Automobile" dhe "SAIC Motor", janë bërë të njohura në tregun global.
Foto nga VCG
Përveç automjeteve të energjive të reja, Kina po zhvillon edhe në sektorë të tjerë të energjisë së gjelbër, si energjia diellore, energjia e erës, energjia bërthamore dhe energjia ujore.
Energjia diellore është një shembull. Sipas të dhënave nga kompania e prodhimit të paneleve diellore e Kinës, "GCL System Integration Technology", panelet diellore të prodhuara nga Kina në vitin 2023 zënë rreth 80 - 90 % të tregut global. Meqë prodhimi i paneleve diellore kërkon kapacitet masiv industrial, epërsia unike e Kinës në prodhimin industrial është shfrytëzuar jashtëzakonisht mirë në këtë drejtim, duke mbështetur pakësimin e lëshimit global të karbonit në mënyrë masive.
Në industrinë e energjisë bërthamore, teknologjia e Kinës në ndërtimin e centraleve të sigurta dhe të qëndrueshme është përdorur në mënyrë të shpejtë. Sipas "Raportit mbi zhvillimin e energjisë bërthamore të Kinës" për vitin 2023, tani në Kinë ka 54 centrale bërthamore, ndërsa 24 të tjera janë në ndërtim. Kina tani renditet në vendin e parë të botës për kapacitetin e energjisë bërthamore që është në ndërtim. Rritja masive e përdorimit të energjisë bërthamore mund të japë kontribute të mëdha për pakësimin e lëshimit të karbonit në botë. Kohët e fundit, industria e energjisë bërthamore e Kinës po merr rol udhëheqës në botë me ngritjen e centraleve bërthamore të brezit të katërt, që ofrojnë siguri më të madhe.
Foto nga VCG
Me zhvillimin e këtyre industrive të energjisë së gjelbër, Kina jo vetëm që ka pakësuar lëshimin e karbonit në botë, por ka zhvilluar edhe një ekonomi të gjelbër masive. Me shkallën e ekonomisë së gjelbër dhe efikasitetin e sistemit industrial të Kinës, ka një besim më të madh lidhur me rritjen ekonomike të Kinës në të ardhmen.