Ardit Biba është ndërmjetësues i pasurive të paluajtshme në kompaninë Century 21. Ai ka studiuar për kimi pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës si dhe për Programin në gjuhën JS(Javascript). Kur ishte ende i ri Arditi ka qenë futbollist dhe momentalisht është trajner në Akademinë e Tiranës, pas kryerjes së kursit pranë Federatës Shqiptare të Futbollit për trajner dhe video analist.
Ardit Biba ( foto personale)
CMG: Sa vite keni që jeni në këtë treg dhe si e keni parë tregun imobiliar në vitet e fundit ?
Ardit Biba : Unë kam thuajse një vit dhe në kohën e fundit tregu imobiliar në Shqipëri ka shënuar një rritje të prekshme në vlerën e pronave, veçanërisht në qytetet kryesore si Tiranë, Durrës dhe Vlorë. Kjo rritje ka qenë rezultat i disa faktorëve, duke përfshirë kërkesën e shtuar për pasuri, ndërtimin e projekteve të mëdha dhe investimet e vazhdueshme. Ndryshimet në legjislacionin pronave dhe lehtësimi i procedurave për blerjen e tyre kanë kontribuar gjithashtu në nxitjen e aktivitetit në treg. Përveç kësaj, roli i shqiptarëve të diasporës ka qenë thelbësor në shtimin e kërkesës dhe në ndikimin e rritjes së çmimeve.
CMG: A jeni i kënaqur me punën tuaj?
Ardit Biba: Po, jam i kënaqur me përvojën time njëvjeçare në tregun e pasurive të paluajtshme. Gjatë kësaj kohe, kam fituar njohuri të rëndësishme dhe kam ndjekur zhvillimin e tregut me interes.
Kam gjetur këtë fushë të pasuruar me sfida dhe mundësi, duke më lejuar të zhvilloj aftësitë time në menaxhimin e pronës dhe negociatat me klientët. Për kohën aktuale, po planifikoj të qëndroj në këtë sektor për një kohë të gjatë, duke pasuar tërheqjen time nga përqendrimi në një fushë kaq dinamike dhe interesante.
CMG: A janë rritur shitjet muajt e fundit?
Ardit Biba: Tranksasionet në kompaninë tonë ndahen me faza si shitjet dhe qiratë. Shitjet kryesisht ndodhin në muajin nëntor dhe dhjetor, por kjo nuk do të thotë që gjatë vitit ne nuk performojmë mirë.
Në muajin tetor dhe nëntor unë dhe kolegët e mi, sipas statistikave që nxjerr sistemi ynë kemi arritur të konkretizojmë mbi 700 tranksasione, në të cilat janë diku të 50 me 50 qiratë me shitjet.
CMG: Cilat janë avatanzhet dhe disavatnazhet e kësaj pune?
Ardit Biba: Ky profesion faktikisht sjell të ardhura të konsiderueshme nëse ti korr suksese në këtë fushë. Ndihmojmë njerëzit të gjejnë shtëpinë e tyre të ëndrrave . Ky është një aspekt i përzemërt i punës, ku ndihmon të krijohet jeta e tyre në një ambient të ri. Fleksibiliteti në orarin e punës ky profesion nuk e ka si profesionet e tjera, që duhet të rrish 8 orë në karrige, por të jep mundësinë që të vendosësh se si të punosh, të ndërtosh ditën sipas planeve tua.
Foto:VCG
Normalisht ka një rregull orari në kompaninë tonë që e respektojmë, e cila është që në mëngjes duhet të paraqitemi në zyrë dhe ndajmë kërkesat dhe pronat që do marrim në ditët në vazhdim, pastaj gjithësecili vendos se si do e shfrytëzojë ditën sipas ngarkesave që ka
CMG: Ju si e nisni ditën?
Ardit Biba: Unë e kam shumë të rëndësishëm zgjimin në mëngjes, sepse më bën të ndihem më enrgjitik dhe mbaroj më shumë punë. Kam një axhendë ditore që më pëlqen ta ndjek se më ka rezultuar e sukseshme. Ulem në tavolinën time të zyrës për rreth 2-3 orë në mëngjes, duke bërë postime të ndryshme në rrjetet sociale dhe rezervoj takimet me pronarët e pronave për të dërguar klientët në pronat që kanë shfaqur interes. Duke qënë se mbasdite unë punoj dhe si trajner në Akademinë e Tiranës, në real estate kam një orar nga 8 e mengjesit me 2 të mbasdites dhe pastaj nga ora 6 deri në 9 ose 10 të darkës në varësi të takimeve.
Real estate të jep mundësi të zgjerosh rrjetin e influences, duke njohur persona me profesione nga më të ndryshmet. Unë kam arritur të njoh dhe të krijoj miqësi nëpërmjet bashkëpunimeve që kam bërë me ta, sepse jeta e perditshme na bën që të përballemi me situata nga më të ndryshmet dhe kjo gjë na bën që t’i japim suport nëpër problematikat që mund të hasim në përditshmëri .
CMG: Çfarë njohurish mund të përfitoni nga ky profesion?
Ardit Biba: Ky profesion mua më ka ndihmuar të marr shumë informacione në lidhje me porcedurat se si mbyllet një shitje me kredi, të arrij t’i jap klientëve shitës një konsulencë të duhur në lidhje me shitjen e pronës së tyre, sepse çdo shitje ka porcedurën e saj.
Kemi shitje me kredi, pronarë toke që duhet t’i specifikojme detyrimet që kanë ndaj shtetit kundrejt shitjes së apartamenit që disponojnë, sepse pronarët e tokave në 99% të rasteve paguajnë 15% të vlerës si taksë ndaj shumës totale të shitjes. Këtë shume pak e dinë për shkak të mos informimit të saktë.
CMG: A ka konkurrencë të lartë në këtë fushë?
Ardit Biba: Konkurrenca është e ashpër në tregun e pasurive të paluajtshme, duke kërkuar shumë përpjekje dhe aftësi të jashtëzakonshme për të dalë nga masa dhe për të bërë diferencën
Puna e palodhshme për të gjurmuar pronat e reja, të cilat janë një hall në vete për shkak të keqinformimit dhe jo sjelles profesionale të ndërmjetesueve të tjerë, që nuk kanë qenë profesionist në punën e tyre dhe kjo ndikon në mendimin negativ që kanë disa pronarë dhe kanë qenë shumë skeptikë në fillime, por më pas e kanë kuptuar diferencën e punës time kundrejt ekperiencave në të shkuarën
Inflacioni mund të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në suksesin dhe të ardhurat e një agjenti të pasurive të paluajtshme për shkak se nëse nuk punon fort dhe arrrin suksese, ky profesion shumë shpejt të nxjerrr jashtë tregut për shkak se në etapat e para kërkon financim personal që të hedhësh themelet e kësaj pune dhe pastaj të fillosh e të marrësh fryte .
Ardit Biba ( foto personale)
Ne në zyre kemi një shprehje “atë çfarë mbjell një muaj më përpara atë do korrësh në muajin që je”, nëse nuk ke bërë mjaftueshëm nuk do marrësh mjaftueshëm. Ky profesion ka përgjegjësi dhe presion të lartë për të arritur objektivat mund të sjellin nivele të larta stresi dhe sfidash profesionale.
CMG: Kush ju ka mbeshtetur në karrierën tuaj?
Ardit Biba: Një ndihmë e rëndësishme në zhvillimin e karrierës sime në këtë profesion ka ardhur nga kolegët dhe mentorët në tregun e pasurive të paluajtshme. Një person i veçantë që ka shpërfaqur një rol kyç në mbeshtetjen time është Redian Bregu.
Ai ka ndarë me mua njohuri të thella për tregun, ka ofruar këshilla të vlefshme në negociata dhe ka ndihmuar në përshtatjen time në dinamikat e kësaj industrie.
Mbështetja dhe përkrahja e tij kanë qenë thelbësore në zhvillimin tim profesional, duke më ndihmuar të njoh dhe të kap dhe të tejkaloj sfidat që dalin gjatë kësaj eksperiencë të pasuruar në treg.
CMG: Keni një person të rëndësishëm që dëshironi t'i dërgoni një mesazh?
Ardit Biba: Të gjithë ata që më rrethojnë janë të rëndësishëm sepse pa ata nuk mund të isha këtu ku jam sot. Por dua të falenderoj motrën dhe partneren time që më kanë suportuar në momente ngërçi që kam kaluar në këtë punë me mendimet dhe mbështetjen e tyre .
CMG: Ku e sheh të ardhmen e kësaj pune?
Ardit Biba: Në tregun e pasurive të paluajtshmene në të ardhmen shoh potencial të vazhdueshëm për rritje dhe inovacion.
Me rritjen e interesit të klientëve dhe ndryshimin pozitiv të mentalitetit të tyre, besoj se tregu do të vijojë të zhvillohet dhe të ofrojë shanse të reja. Plani im është të vazhdoj të zgjeroj rrethin tim të influencës, duke u fokusuar në sfidat e reja dhe duke përmirësuar aftësinë time në menaxhimin e pronave dhe kryerjen ndermjetesimit midis palëve.
Përveç kësaj, shoh mundësi për të zgjeruar bashkëpunimin tim me kompaniteë e tjera dhe të përfshihem në projekte të mëdha.
Ndërkohë që tregu evoluon, synoj të jem në krye të zhvillimeve të fundit dhe të ofroj shërbime sa më cilësore dhe efikase për klientët e mi.
Me përkushtimin tim për rritje personale dhe profesionalizëm, shpresoj të kontribuoj në avancimin e tregut imobiliar dhe të krijoj mundësi të reja për suksesin dhe të ekipit tim.
CMG: Cilat janë zonat më shumë të kërkuara dhe me pak te kërkuara të Tiranës?
Foto:VCG
Ardit Biba: Zonat më të kërkuara janë gjithmonë ato që ofrojenë facilitete themelore që një familje kërkon të ketë pranë dhe këto ofrohen gjithmonë sa më afer qendrës së qytetit, por dhe zonat e periferisë kanë pasur një zhvillim të lartë për shkak të qetësisë dhe ajrit të pastër që ofrojnë.
Zonat si Ish Fusha e Aviacionit , Bulevardi i ri, Liqeni i thatë dhe zona Xhamllikut kanë pasur një investim shumë të madh ndërtimor për shkak të hapësirave që jepnin mundësi për të investuar.
CMG: Cili ka qenë mesazhi më i madh që keni marrë në jetë?
Ardit Biba: Jeta është një rrugë e gjatë që përballet me sfida dhe aventura. Çdo ditë është një mundësi për të mësuar, për të zhvilluar dhe për të bërë ndryshime pozitive. Mos e humbni shpresën dhe besimin në veten tuaj, sepse në çdo sfidë ka një mundësi për rritje dhe sukses. Uroj një vit të ri të mbushur me shëndet, lumturi dhe sukses ne familjet tona! Për 2024, shpresoj që të sjellë një periudhë të pasur me arritje dhe shanse të reja për të gjithë ne. Doja të shoh një vazhdimësi të zhvillimeve pozitive në vendin tonë, me përmirësime në të gjitha fushat.
Pritshmëritë e mia janë për një vit me sfida dhe mundësi të reja për rritje personale dhe profesionale. Shpresoj që të kem sa më shumë bashkëpunime me projektet e ndryshme që priten të ndërtohen në zona të ndryshme.
Intervistoi: Megi Latifi