Viti ekonomik 2023, viti i rritjes së pagave
2023-12-26 10:03:26

Në pesë vitet e fundit 2019-2023, ekonomia e Shqipërisë ka befasuar institucionet ndërkombëtare që na vëzhgojnë, vlerësojnë dhe ndihmojnë, si FMN, Banka Botërore dhe BERZH, për rezistencën dhe aftësinë e saj të rimëkëmbjes.

Në muajin tetor 2023, Fondi Monetar Ndërkombëtar shtoi parashikimin e tij për rritjen e ekonomisë së Shqipërisë me 1.4 përqind, nga 2.2 përqind në 3.6 përqind. Rritje të ngjashme në parashikimet e tyre kanë dhënë edhe specialistët e Bankës Botërore dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim(BERZH).  

Rritja e pagave (Foto Sot)

Rritja e pagave (Foto Sot)

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe e Ekonomisë, po e mbyllim këtë vit me një rritje ekonomike 3.7 përqind, me treguesit kryesorë financiarë të përmirësuar ndjeshëm.

Të ardhurat totale të Buxhetit të Shtetit për 11-mujorin janar-nëntor 2023, u realizuan në masën 586.4 miliardë Lekë, ose 5.6 miliardë euro, ose 99.4 përqind të planit të së njëjtës periudhë. Krahasuar me një vit më parë, të ardhurat janë rritur me 63.5 miliardë lekë ose 616 milionë euro, ose 12 përqind më shumë.

Shpenzimet totale të Buxhetit të Shtetit për 11-mujorin janar-nëntor 2023 arritën në 548.6 miliardë lekë, ose 5.3 miliardë euro,  me një realizim në masën 96 përqind të planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022 ky zë ka rezultuar 6.8 përqind më i lartë, ose 34.9 miliardë lekë ose 338 milionë euro më shumë.

Për këtë vit, sektorët më kontribues në rritjen tonë ekonomike vijojnë të jenë turizmi, ndërtimi dhe investimet e huaja. Sipas Bankës së Shqipërisë, investimet e huaja direkte për nëndëmujorin janar-shtator 2023 ishin në nivele rekord të matjeve të 23 viteve të fundit.

Ndërkohë, viti ekonomik 2023 mund të quhet pa frikë viti i rritjes së ndjeshme të pagave në administratën publike. Reforma e pagave në Shqipëri kërkon ta kthejë administratën publike në sa më profesionale dhe tërheqëse në tregun e punës, duke nxitur inovacionin dhe konkurrueshmërinë.

Reforma e pagave përbën një ndryshim thelbësor në politikën buxhetore të Shqipërisë. Për çdo dy lekë të ardhura të mbledhura nga taksat dhe tatimet, nëpërmjet reformës, një lek shkon për transferta direkte, paga, pensione dhe ndihmë ekonomike.

Rritja e pagave në Shqipëri (Foto Java News)

Rritja e pagave në Shqipëri (Foto Java News)

Qeveria ka marrë përsipër brenda korrikut 2024, një shtim deri pak vite më parë të pamenduar në këto nivele të larta, deri 42 përqind më shumë, të pagës mesatare në shtet.

Më 1 korrik 2023, të 85 mijë punonjësit në administratën shtetërore, që janë rreth nivelit të pagës mesatare të muajve të parë të këtij viti, prej 66 mijë lekë në muaj, patën rritjen e parë masive të pagave tyre, me 22 përqind. Një shtim tjetër prej 20 përqind të pagave mesatare në shtet pritet të realizohet pikërisht në korrik 2024.

Lind pyetja, çfarë e nxiti qeverinë e Shqipërisë të shikojë me ngulm rritjen e pagës mesatare bruto të mbi 180 mijë punonjësve të administratës shtetërore? Vendimi për të rritur pagën në administratën publike me mbi 42 përqind brenda një viti, është një vendim sa kurajoz aq edhe pozitiv, i pritur prej shumë kohësh, i domosdoshëm për të gjitha kategoritë e punës dhe strukturën e pagave në sektorin publik.

Ai rrit presionin pozitiv mbi ekonominë private të vendit, e cila zë 80 përqind të ekonomisë sonë, për t’i rritur edhe ajo pagat. Qeveria shpreson se vendimi do të shërbejë për të ulur ndjeshëm spiralen emigruese të profesionistëve dhe të rinjve nga Shqipëria.

Gjatë këtij viti, disa shoqata te prodhuesve dhe të sektorëve të tregtisë në Shqipëri, kanë deklaruar se kanë nevojë në tërësi për rreth 35 mijë punonjës në vende të ndryshme pune, një shifër kjo domethënëse për mungesat e ndjeshme të krahut të punës tek ne, për shkak kryeisisht të emigracionit.

Të ardhurat nga pagat (Foto Durrësi Lajm)

Të ardhurat nga pagat (Foto Durrësi Lajm)

Rritja ekonomike prej 3.7 përqind e arritur këtë vit dhe parashikimi për një rritje të mirë ekonomike edhe gjatë vitit 2024, janë bazat e shpresës jo vetëm të qeverisë, por të të gjithëve ne, për një shtim të ndjeshëm të vendeve të reja të punës, me ndihmën edhe të një një viti turistik 2023,që i kaloi të gjitha pritshmëritë, me rreth 10 milionë vizitorë të huaj.

Aftësia e ekonomisë sonë për të gjeneruar sa më shumë vende të reja pune do të përbëjë lokomotivën e zhvillimit tonë ekonomik dhe shpresë dhe perspektivë tek të rinjtë dhe profesionistët tanë për vitin 2024.

Fatos Çoçoli