Foto nga facebook
Festivali i 33-të i Këngës për Fëmijë u mbajt më 22 dhjetor në Qendrën e Artit “Vaçe Zela”, në qytetin e e Lushnjes. Ky aktivitet u organizua nga Qendra Kulturore e Fëmijëve me mbështetjen e Bashkisë Lushnje. Drejtori i ishte Saimir Bahja, udhëheqëse artistike Valbona Hekurani, regjisor muzike Skënder Gjyla, regjisor i festivalit Shahin Petritaj dhe koreografia nga Leonard Syziu dhe Enkelejda Puka.
Saimir Bahja Drejtor i Festivalit (Foto nga facebook)
Drejtori i Qendrës Kulturore të Fëmijëve Saimir Bahja tha se ky festival rifilloi vjet pas një shkëputjeje 10 vjeçare. Autorët e këngëve nuk janë vetëm nga qyteti i Lushnjes, por edhe nga qytete të tjera të vendit. Në konkurrim ishin 15 fëmijë, të moshave nga 4 vjeç deri 12 vjeç. Sipas drejtuesve të festivalit, këtë vit ishte hera e parë që drejtuesit e kanë pasur mjaft të vështirë për të përzgjedhur talentet e vegjël, për shkak të një numri të madh të tyre.
“Tradita vazhdon. Vjet iu rikthyem festivalit pas një periudhe shkëputje dhjetë vjeçare dhe kjo falë mbështetjes së kryetares së Bashkisë, Eriselda Sefa. Përshëndes prindërit të cilët orar pa orar, apo në kushte të ndryshme atmosferike, i kanë sjellë fëmijët për të bërë prova, por edhe udhëheqësen artistike Vlabona, që ka punuar për provat me fëmijët në festival. Gjeografia e këngëve është e larmishme, kishte autorë nga Shkodra, Durrësi, Tirana. Mendoj se do jetë diçka e bukur që do i mbesë fëmijëve dhe qytetit të Lushnjes” tha Bahja
Nadja Muça dhe Kryetarja e Bashkise Eriselda Sefa (Foto nga facebook)
Ndërsa udhëheqësja artistike e kësaj veprimtarie, Valbona Hekurani u shpreh:
“Fëmijët kanë punuar nga 4-7 orë në ditë edhe pse mosha më e vogël është 4 vjeç dhe më e rritura është 12 vjeç. Mendoj se është një arritje e madhe, sepse ne kemi edhe fëmijë shumë të vegjël, të cilët kanë kënduar për herë të parë në skenë. Ata fëmijë që kanë qenë në festival një vit më parë, këtë vit kanë një performancë shumë herë më të mirë, pra janë pjekur në skenë ” tha Valbona Hekurani.
Fituse e Fest 33 të Këngës së Fëmijëve Lushnje Nadja Muça (Foto nga facebook)
Kompozitorët dhe tekstshkruesit e këngëve vinin nga të gjitha krahinat shqiptare. Festivali i fëmijëve në Lushnje, pati një periudhe 10-vjeçare ndërprerjeje për shkak të mungesës së fondeve. Ndërsa ky është viti i dytë radhazi që zhvillohet me mbështetjen e Bashkisë së qytetit. Juria përbëhej nga Klajdi Musabelliu kryetar, Valter Dauti shkrimtar, Beniamin Ademi mësues.
Në fund të garës, juria nderoi me çmimin e parë në Festivalin e 33-të të Këngës për Fëmijë, këngën “Paqja, dashuria, botën ta pushtojë” interpretuar nga 11 vjeçarja Nadja Muça. Festivasli u prit mjaft mirë nga publiku, i cili i shoqëroi të gjithë konkurrentët e vegjël me duartrokitje. Gjatë ndarjes së 5 çmimeve u krijua një atmosferë mjaft e gëzueshme, ku e pranishme ishte dhe kryetarja e Bashkisë Eriselda Sefa, e cila i dha statujën e fitores këngëtares fituese të këtij edicioni të festivalit Nadja Muça.
Sava Lena