Sipërmarrësja shqiptare Mirela Kanini, një histori suksesi në SHBA
2023-12-25 10:00:47


Mirela Kanini ka 29 vjet që jeton dhe punon në Çikago të SHBA-së. Ajo ka botuar pesë libra dhe është e njohur në rrethin e shkrimtarëve dhe lexuesve. Mirela sot është sipërmarrëse, shkrimtare dhe kontribuese për komunitetin shqiptar në SHBA. Ajo u largua nga Shqipëria bashkë me familjen në 1996 dhe që nga ky vit jeton në Çikago, ku ka ngritur edhe kompaninë e saj “Rich Organics”, një institut bukurie. Shkrimtarja Kanini ka një bagazh intelektual dhe një korpus idesh për tema të ndjeshme, ku shkrimet e saj janë të dobishme dhe gjithëpërfshirëse. Librat e saj i dedikohen çdo lexuesi dhe përmbajnë një mesazh të qartë, Mirela është miqësore dhe grua e formuar intelektualisht, me një shpirt të lirë e të madh. Në një intervistë për Radio Ejani Mirela Kanini tregon për largimin në SHBA, vështirësitë e para të integrimit, pasionin për letërsinë si dhe arritjet në fushën e biznesit. 

CMG: Kur jeni larguar nga Shqipëria dhe si u integruat me jetën në SHBA?

Mirela Kanini: Unë jam larguar në mesin e vitit 1996 me gjithë familjen time. Shkuam me vizë turistike dhe vendosëm të qëndrojmë atje për një jetë më të mirë. Fillimi ka qenë i vështirë si për të gjithë emigrantët, por duke qenë se SHBA-ja është një vend i krijuar nga emigrantët dhe e gjen më shpesh veten me punë dhe sakrifica.

CMG: Sa e vështirë ishte për t’u stabilizuar me punë?

Mirela Kanini: Në fillim ka qenë shumë e vështirë, sidomos kur nuk je e pajisur me dokumentat përkatëse siç ishim ne, por bota është e mbushur me njerëz dashamirës dhe kemi pasur përkrahjen e disa njerëzve, që na kanë ndihmuar në fillimet tona. Pastaj një gjë sjell tjetrën, ku unë si dhe gjithë të tjerët ndoqëm kurset, shkolla dhe jemi këtu ku jemi sot.

CMG: Sot jeni një sipërmarrëse e suksesshme me një biznes tuajin. Si arritët ta ngrini këtë biznes në SHBA?

Mirela Kanini: Nuk e kisha menduar kurrë që unë do isha një ditë sipërmarrëse e një kompanie kozmetike. “Rich Organics” është emri i kësaj kompanie. Puna që fillova për disa vjet atje më dha informacionin e duhur që unë të merrja këtë drejtim. Më tërhoqi kjo industri, që ka mbi një dekadë që ne e kemi hapur. Ishte ajo koha kur kishim provuar këto prodhimet pa kimikate organike dhe ishte një nevojë. Kështu që vendosëm të krijonim brendin tonë, Rich Organics dhe ne nuk shesim produktet e dikujt  tjetër, por janë produkte të krijuara nga ne dhe që shiten  në gjithë SHBA-në.

CMG: Si ka ecur ky biznes gjatë këtyre viteve?

Mirela Kanini: Përderisa qëndrojmë në biznes edhe pas pandemisë, i bie që ka ecur mirë. Pandemia krijoi një situatë shumë të vështirë për shumë biznese, por vazhdojmë të jemi në biznes dhe mendoj se do të jemi për shumë kohë, ose për një të ardhme të gjatë.

CMG: Keni marrë pjesë në festat që organizohen nga bashkëatdhetarët tanë në Çikago?

Mirela Kanini: Kam qenë gjithmonë e interesuar për të qenë e bashkuar me komunitetin shqiptar këtu në Çikago, që është një komunitet i shkëlqyer. Përveçse marr pjesë në këto aktivitete, unë jam gjithashtu kryetare e degës së Vatrës për Çikagon, dhe ne organizojmë festa të tilla. Unë jam e pranishme në çdo festë shqiptare dhe e bëj me kënaqësi të madhe këtë detyre që kam, e quaj nder dhe privilegj që jam kryetare e Vatrës.

Shkrimtarja Mirela Kanini (Foto personale)

Mirela Kanini duke dhene autograf per lexuesit (Foto personale)

CMG: Si është atmosfera e festave të komunitetit shqiptar në Çikago?

Mirela Kanini: Këtu ka shumë shoqata që organizojnë festat me shqiptarët, që është gjë e mirë sepse tregon që komuniteti ka nevojë të ndjejë identitetin e tij dhe mos ta humbi në asimilim siç ndodh zakonisht kur janë në perëndim. Gjatë festave marrim këngëtarë të ndryshëm dhe janë 100 për qind me muzikë shqiptare nga të gjitha trevat, ku bëhet vërtetë shumë bukur.

CMG: Jeni autore e pesë librave të botuar. Flasim për krijimtarinë tuaj letrare dhe si janë pritur nga lexuesi librat tuaj?

Mirela Kanini: Unë kam botuar pesë libra dhe gjithmonë i botoj fillimisht në shqip dhe pastaj në anglisht. Njëri prej librave është në gjuhën angleze dhe tjetri del së shpejti këtu në SHBA. Promovimi i librave për ne që jetojmë jashtë Shqipërisë është pak i vështirë sepse nuk e kemi mundësinë për të ardhur aq shpesh të promovojmë librat tanë. Megjithatë dua të them fjalët që më ka thënë redaktorja ime shumë e nderuar më të cilën bashkëpunoj, që kur ja shpreha asaj këtë shqetësim, ajo më tha se lexuesi duhet të të gjejë vetë. Nëse ke një libër të mirë, lexuesi gjithmonë do të të lexojë sepse dikush do ta rekomandojë. Megjithëse çdo gjë ja kemi lënë rastësisë dhe lexuesve, jam pritur mirë dhe ata më gjejnë dhe kontaktojnë vazhdimisht në Instagram dhe Facebook, gjë që tregon që numri i lexuesve rritet, që më bën të ndjej kënaqësinë e shkrimtarit, sepse një libër ka vlerë kur është në duart e lexuesve.

CMG: Besoj se të pesë librat i keni shkruar me dashuri, por cili nga këto libra ju pëlqen më shumë si shkrimtare në rolin e lexueses?

Mirela Kanini: Të gjitha librat i kam si fëmijët e mi  dhe i dua të gjithë me atë lloj dashurie. Nuk mundem të lë asnjërin, sepse secili ka tematika të ndryshme, prek probleme të ndryshme dhe ka bukurinë e vet dhe pasionin tim brenda, për arsye ose rrethana të ndryshme, ngjarje të ndryshme që mua më kanë prekur dhe pastaj i kam sjellë nëpër libra. Të gjithë janë shumë të dashur për mua dhe shpresoj të jenë po ashtu edhe për lexuesin.

CMG: E vizitoni shpesh Shqipërinë?

Mirela Kanini: Kam 29 vite që jam larguar nga Shqipëria, ku fillimisht nuk kam pasur dokumenta dhe nuk kam mundur që të vij për 17 vjet. Pastaj fillova të vij njëherë ose dy herë në vit, sepse më dukej sikur kisha bërë mungesa. Gjatë periudhës së pandemisë nuk erdha dhe isha në shtator të këtij viti. Shpresoj të vij verën e ardhshme.

CMG: Ndjeni mall për vendlindjen?

Mirela Kanini: Më merr malli për gjithçka, sepse unë kam mallin e emigrantit që më errëson sytë dhe çdo gjë më duket e bukur dhe e mrekullueshme. Më merr malli për njerëzit, për dashamirësinë dhe afrimitetin që kanë shqiptarët, që nuk e gjen në vendet e tjera. Gjithashtu më merr malli për ushqimet tipike tonat, për kohën e bukur, për gjallërinë që kanë rrugët. Gjithmonë kam mall kur vij dhe largohem shumë e kënaqur.

CMG: Përgatisni gatime tradicionale shqiptare në shtëpinë tuaj në SHBA?

Mirela Kanini: Patjetër që gatuaj, sepse këtu kemi mësuar të gatuajmë dhe gatime të vendeve të tjera që janë të shëndetshme mbi të gjitha. Ndërsa për festat e Kristlindjeve dhe Vitit të Ri i bëjmë tipike shqiptare.

Botimet e autores Mirela Kanini (Foto personale)

CMG: Cilat janë pasionet tuaja në jetë?

Mirela Kanini: Kam pasion librat, pikturën sepse dhe pikturoj. Pasion tjetër kam udhëtimet, të jem gjithmonë e lidhur me natyrën. Pasioni im i madh është dhe puna, sepse të kuptosh ëndrrat e tua apo kur ndërton një biznes, janë ëndrrat që ti ke pasur në mendje  dhe kur i ekzekuton duhet të kesh pasionin. Kështu që dhe puna është pjesë e pasioneve të mia.

CMG: Jeni e kënaqur me arritjet tuaja të deritanishme në fushën e krijimtarisë dhe atë të biznesit?

Mirela Kanini: Nuk është gjithmonë bilanci ekonomik që e bën njeriun të lumtur, por mendoj se jam e kompletuar dhe e kënaqur shpirtërisht më arritjet e mia, me familjen dhe gjërat që kam. Jam e kënaqur që rethohem me njerëz të mrekullueshëm, por është gjithmonë gjithçka për të bërë më shumë dhe asnjëherë nuk mund të thuash se ky është fundi, sepse gjithmonë ka diçka për të bërë. Sidomos  kur je në fushën e krijimtarisë është gjithmonë një pikturë që dëshiron të pikturosh, është gjithmonë një libër që e bluan në mendje dhe në shpirt dhe do ta shkruash. Kështu që për mua nuk mbarojnë këto gjëra.

CMG: Si e keni menaxhuar kohën për t’u kujtdesur për familjen, të shkruani dhe të drejtoni biznesin tuaj?

Mirela Kanini: Është e vërtetë që të arrish t’i fusësh të gjitha në një program prej 24 orësh është e vështirë, por mendoj disiplina, sepse jam njeri që kam shumë disiplinë.

CMG: Keni në planet tuaja për të botuar një libër tjetër?

Mirela Kanini: Unë gjithmonë kam në dorë një libër që e shkruaj, ose kam disa drafte që i kam si ide se çfarë do bëj, ngjarjet ndryshojnë gjatë shkrimit të librit sigurisht. Kështu që e kam një libër në dorë, që kur të mbarojë do ta botoj.

CMG: Urimi juaj për festat e fundvitit.

Mirela Kanini: Për festat e fundvitit do t’i uroja të gjithëve sa më shumë paqe për botën, sa më shumë dashuri, shëndet, mbarëvajtje të gjithanshme të gjithëve kudo që janë.

Intervistoi: Gazmend Agaj