Diana Toska: Dashuria mes mësimdhënies, pianos dhe këngës
2023-12-24 15:18:41


Diana Toska është mësuese e pianos dhe krahas saj i kushtohet edhe këngës. Ajo ka punuar në shkollën e muzikës në Gjilan, ndërsa tani punon në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë. Diana është e lidhur me muzikën në moshë të vogël, ku ka marrë pjesë në aktivitete dhe festivale për fëmijë duke u vlerësuar edhe me çmime. Diana ka marrë pjesë në Festivalin e parë mbarëkombëtar në Ulqin në vitin 2006, me këngën “Punë e madhe”, me tekst të Rifat Kukaj dhe kompozim të Sami Piraj. Në vitin 2020 ajo ka ka konkurruar mes këngëtarëve nga 50-të shtete të botës në një ferstival në Armeni, ku u përzgjodhën vetëm 17-të prej tyre në atë garë. Ajo u shpërblye me çmimin e dytë në “World Vision 2020”. Diana Toska ka performuar dhe në festivalin “Zambaku i Prizrenit”. Përveç muzikës, Diana  ka qenë moderatore në disa evente të rëndësishme.

E ftuar në Radio Ejani dhe CMG ajo na rrëfen rrugëtimin e saj artistik, por edhe  planet e saj për të ardhmen.

CMG: Këto kohë kanë qenë të ngarkuara për ty si mësuese muzike në shkollë, angazhimet me këngën, por edhe angazhimet me korin e fëmijëve me rastin e programeve të vitit të ri.  Na trego rreth këtyre impenjimeve

Diana Toska: Kam tetë vite që punoj në shkollën e muzikës, në fillim kam punuar në Gjilan, ndërsa tani punoj në Prishtinë në shkollën “Prenk Jakova”. Nuk është e lehtë, por është kënaqësi  që po trashëgojmë te brezat e rinj dhe po kultivojmë një kulturë të mirë, të jashtëzakonshme të këtij profesioni të çmuar, siç është profesioni i instrumentit. Kohët e fundit kemi pasur shumë aktivitete, koncerte, edhe për programin e vitit të ri. Është mjaft kënaqësi puna me këta fëmijë të talentuar.

CMG: Si është ta menaxhosh veten në gjithçka që bën?

Diana Toska: Për të menaxhuar punët për ne si artist nuk është edhe aq e lehtë. Së pari duhet të jemi mirë me veten, me shëndetin pikë së pari, e më pas të menaxhojmë të gjithë punët që vijnë me radhë. Mësimdhënien e kam si profesion primar, por si profesion sekondar që ushtroj është  këndimi. Të dyja gërshetohen shumë mirë më njëra -tjetrën dhe mundohem që të jap më të mirën e mundshme.  

Diana Toska  ne festivalin Zambaku i  Prizrenit

CMG: T'i ndjehesh më mirë kur luan në piano, apo kur këndon në skenë?

Diana Toska: Si këndimi ashtu edhe piano për mua janë dy segmente shumë të rëndësishme të jetës sime që i bëj me shumë dashuri,por edhe koncertet pianistike, apo koncertet e këndimit, të dyja i bëj me shumë dashuri. Ndjesia është e ndryshme, shumë e veçantë, por është edhe mjaft e fuqishme. Kur luaj në piano, mund të tregoj veten në një formë tjetër, përmes notave të muzikës, ajo klasike kërkon një punë e një dedikim pak më të madh e më të rëndësishëm. Por e ka bukurinë e saj me gjithë ato emocione, të duket sikur do të përçosh një mesazh, nëpërmjet interprerimit pianistik. Ndërsa një këngëtar ka mbi supet e tij, paraqitjen sa më të mirë, dhe mesazhin që do të përcjellë. Te këndimi këngëtari ka ndjesinë e mirë dhe mesazhin që do të përçojë. Te këndimi është dallimi i vogël, mund të kesh më tepër afërsi me publikun sepse janë njerëz  që kanë ardhur të dëgjojnë muzikën tënde, dhe të gjithë ata që e pëlqejnë artin tënd.

Diana Toska  ne koncertin recital gjate karantines

CMG: Sa i përket brezit të ri me të cilët  punon, a ka më shumë fëmijë të talentuar në këndim, apo në instrumentin e pianos?

Diana Toska: Sa i përket fëmijëve ka të talentuar si në këndim dhe  në instrument,  por kohët e fundit ka më pak fëmijë të talentuar që zotërojnë një instrument dhe për të qenë artistë të kompletuar. Të dyja janë të veçanta e të ndara si profesione. Fëmijët kanë më shumë dëshirë për të kënduar, por talenti i tyre zhvillohet më shumë nga instrumenti, çfarëdo instrumenti që ata zgjedhin.

CMG: Si e sheh si mësuese  të ardhmen e tyre në fushën  e artit?

Diana Toska:  Si mësuese unë e shoh të ardhmen e tyre të ndritur e shumë të pasuruar. Në kohët e sotme kemi më shumë mundësi për të shfaqur talentet në forma të ndryshme, duke qenë se jetojmë edhe në kohën dixhitale të internetit, fëmijët mund të zotërojnë më lehtë paraqitjen dhe  zhvillimin e tyre në fushën e artit edhe në botën e jashtme, duke mos ekzistuar kufizimet që kanë qenë dikur, pa qenë ky zhvillim i teknologjisë. Ata që e duan artin dhe duan ta zgjedhin si profesion kanë më shumë mundësi e perspektivë për një rrugë të suksesshme në të gjithë botën, ashtu siç kemi dy artistet e mëdha Rita Ora dhe Dua Lipa, që janë një shembull për çdo fëmijë që me talent dhe shumë punë mund të thyhen barrierat.

CMG: Ti ke mbajtur një koncert në kohën e pandemisë pa publik, ku me bandën muzikore ke interpretuar mjaft këngë nga repertori i muzikës shqiptare. A ke menduar të sjellësh një koncert tjetër, por me publikun që të ndjek ty?

Diana Toska: Koncerti që kam realizuar në kohën e pandemisë ishte një sfidë mjaft e veçantë, për shkak se ajo kohë ne artistëve na demoralizoi e mbylli në vetvete. Ka qenë pak e veshtirë për t’u përballuar, duke qenë se jemi mësuar të jemi përherë aktivë në skenë dhe vendosa që në bashkëpunim me teatrin e Gjilanit dhe Drejtorinë e kulturës, të realizoj një koncert, i cili do të trasmetohej në platformën online. Pengesa dhe ndjesia kryesore që pata ishte pjesa e koncertit pa publik për të përçuar muzikën time. Gjithsesi ishte një sfidë dhe jam shumë e lumtur që e kam realizuar atë koncert. Kur është paraqitur në platformën online ka qenë shumë i klikuar, dëgjohet edhe sot me të gjitha këngët që i kemi përpunuar. Realizimin e kemi bërë me një grup fantastik ku kemi punuar çdo ditë, meqënëse si kohë pandemie kishim shumë kufizime dhe puna jonë e dashuria e madhe për muzikën na shtyu të realizojmë këtë koncert fantastik.

Kush dëshiron ta dëgjojë mund ta kërkojë me emrin tim në YouTube. Kam menduar edhe për koncert tjetër. Kemi mbajtur koncerte të tjera bashkë me grupin që bashkëpunoj. Së fundmi kemi qenë në muajin tetor në fushatën sensibilizuese për kancerin e gjirit, e cila është mbajtur në Prishtinë me pjesëmarrje të shumë figurave publike e shumë të tjerë që dëshirojnë të kontribuojnë në këtë fushë mjaft të ndjeshme. Koncerte të tjera kam në plan t’i realizoj vitin që vjen, sepse tani në fundvit kemi angazhime të tjera.

CMG: Të kanë etiketuar si këngëtarja e  programit "Libero". Sa ka ndikuar pjesëmarrja jote aty, në karrierën tënde artistike?

Diana Toska: Pjesëmarrja ime në emisionin “Libero” ka qenë për një periudhë jo shumë të gjatë, por fantastike për karrierën time sepse trasmetimi ka qenë drejpërdrejtë dhe me një grup të mrekullueshëm e përgatitje profesionale të të gjithë stafit të televizionit. Ishte shumë domethënëse për mua duke qenë se më ndihmoi të ndërtoj një karrierë të re më ndryshe dhe të veçantë të interpretimit direkt në televizon. Kjo gjë më ka përgatitur për më shumë paraqitje dhe pjesëmarrje në festivale e skena ku interpretohet live.

CMG: Janë të shumta këngët që ke interpretuar aty, cilën do veçoje?

Diana Toska: Të gjitha këngët i kam dashuruar, por njërën do ta veçoja dhe është kënga “Harroje dashurinë tonë”.

CMG: Një tjetër talent i yti është edhe prezantimi, ku ke drejtuar disa evente artistike...

Diana Toska: Prezantimi dhe moderimi janë pjesë e pandarë e profesionit që unë ushtroj si muzikante. Atë e kam pasur dhunti natyrale të komunikimit e mënyrës së prezantimit, të cilën e kam filluar që në shkollën fillore, ku si nxënëse e shkëlqyer e shkollës kam qenë përherë pjesë e prezantimeve. Kështu filluan të më identifikojnë edhe të tjerët për këtë dhunti dhe e kam ushtruar për një kohë kur jam angazhuar me aktivitete të ndryshme në komunën e Gjilanit, për afërsisht 10-vite. Me festivalin mbarëkombëtar tashmë të njohur “Flaka e janarit”, unë isha përgjatë këtyre viteve organizatore dhe moderatore. Moderimin e kam shumë për zemër dhe e bëj sepse është diçka që më vjen natyrshëm, por është një hobi imi, jo profesion të cilin ta kem parësor.

CMG: Ke qenë e angazhuar që në moshë të vogël ku ke realizuar dhe albume muzikore. Por si lindi dhe u zhvillua talenti tek ty?

Diana Toska: Talenti im ka filluar që në moshë të hershme, kur jam regjistruar edhe në shkollën e muzikës në Gjilan,  me profesorin dhe kompozitorin tonë të çmuar, të cilin e respektoj dhe çmoj shumë Isa Jakupi. Më ka pritur shumë mirë, e për këtë i jam falenderuese edhe sot. Ai ishte si një lloj indikatori, i cili u tregoi edhe prindërve të mi, për talentin tim, duke i sugjeruar për ta zhvilluar më tej këtë talent. Kështu realizova këngë të ndryshme për fëmijë dhe disa albume. Kam pasur pjesëmarrje të shumta në festivale për fëmijë, por njërin dua ta veçoj përherë, ky është festivali i parë mbarëkombëtar në Ulqin mbajtur në vitin 2006, ku unë kam marr pjesë me këngën “Punë e madhe”, me tekst të Rifat Kukaj dhe kompozitorit Sami Piraj. Kjo këngë gjendet edhe sot në youtube sepse është bashkë me videoklip dhe u shpërblye me çmimin e parë. Kjo që mbahet mend edhe këto ditë nga të gjithë njerëzit  që e ndoqën në Ulqin. Edhe për karrierën time si fëmijë, ishte hera e parë që vlerësohesha me çmim të parë, ndër çmime të tjera ku më tepër kam marrë ato të interpretimit më të mirë. Këto çmime i ruaj me shumë nostalgji e dashuri.

CMG: Disa vite më parë  ke marrë pjesë në talent show "World Vision 2020"  në Armeni, ku ishin pjesëmarrëse 50-të shtete.  Si ishte kjo eksperiencë për ty?

Diana Toska: Pjesëmarrja ime si e rritur, kur kam filluar ta ushtroj interpretimin live më tepër në festivalin “World Vision 2020” në Armeni, ishte një privilegj shumë i madh për mua që të merrja pjesë në atë festival internacional, me një shtrirje mjaft të gjerë,e mbi të gjitha të përfaqësoja vendin tim. Kam bërë aplikimin dhe jam pranuar për të qenë pjesë e tij, ku kemi qenë pjesëmarrëse 50-të shtete konkurrente, e 17-të prej tyre u pranuan. Unë përfaqësoja Kosovën dhe me interpretimin tim arrita fillimisht në gjysmëfinale. Më pas në finale në një rreth edhe më të ngushtë, e së fundmi në “World Vision 2020” u shpërbleva me çmimin e dytë.

CMG: Sa e rrisin një artist pjesëmarrjet në kompeticione të tilla?

Diana Toska: Pjesëmarrjet në festivale të tilla ndërkombëtare si përfaqësimi i vendit e ngrejnë shumë lart nivelin e një artisti, jo vetëm për shkak të pjesëmarrjes, por edhe eksperiencës. Konkurenca e bën më të mirë identifikimin e vlerave që ne si artist kemi apo nivelin që e kemi kur bëjmë përballje me artistët e tjerë nëpër botë. Aty e shohim që jemi shumë më mirë sesa mendojmë në vendin tone, për arsye sepse jetojmë në një vend më të vogël dhe nuk kemi pasur më përpara mundësinë për të bërë paraqitje të tilla për të treguar vlerat artistike. Tani që kemi mundësitë, këto pjesëmarrje janë shumë të dobishme dhe jo vetëm e rrisin një artist, por i japim më tepër kulturë e i tregojmë botës sesa shumë pasuri kulturore përmban emri ynë.

CMG: Meqënëse jemi në prag të vitit të ri 2024, a do jesh duke interpretuar gjatë mbrëmjes së ndërrimit të viteve, apo do festosh me familjen në shtëpi?

Diana Toska: Meqënëse jemi në prag të fundvitit unë kam shumë mbrëmje, të cilat do t’i realizoj. Gjatë gjithë muajit dhjetor kam mbrëmje muzikore, ku i mirëpres të gjithë të më ndjekin në rrjetet e mia sociale, aty ku reklamoj se ku do këndoj. Për mbrëmjen e vitit të ri  kam gjithmonë dëshirë që ta kaloj në gjirin familjar, pasi pa ata nuk do të isha këtu ku jam. U jam shumë shumë mirënjohëse të gjithë familjes sime për mbështetjen e pafundme që kanë treguar që nga fëmijëria e deri tani në të gjitha angazhimet e mia.

Intervistoi: Sava Lena