Foto nga Xinhua
Kryeministri Li Qiang ka bërë thirrje për përdorimin e të gjitha mjeteve të mundshme për të përmirësuar kushtet e jetesës së njerëzve të prekur në zonat e goditura nga tërmeti në veriperëndim të Kinës.
Li, gjithashtu anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, vizitoi të shtunën disa fshatra në qarkun Jishishan, provincën Gansu dhe në qarkun Minhe në provincën fqinje Qinghai. Një tërmet me magnitudë 6.2 goditi këto zona në orën 23:59 të së hënës, duke shkaktuar 148 viktima dhe 781 të plagosur që nga e premtja dhe duke rrëzuar mjaft ndërtesa.
Gjatë vizitave, kryeministri bisedoi me personat e prekur nga fatkeqësia dhe mësoi për punën mbi zhvendosjen, ndihmat dhe ndërtimin e banesave të përkohshme. Ai tha se përparësia kryesore e punës aktuale të ndihmës ishte të sigurohej që njerëzit e prekur të qëndrojnë të ngrohtë dhe të sigurt në dimër. Ai u bëri thirrje punonjësve të ndihmës që të garojnë me kohën për të dërguar furnizime ndihme dhe nevoja ditore për banorët e prekur dhe për të ndërtuar shtëpitë e përkohshme sa më shpejt të jetë e mundur për ata që aktualisht jetojnë në tenda.
Foto nga Xinhua
Ndërtesat në zonat e goditura nga tërmeti duhet të kontrollohen dhe të përforcohen, nëse është e nevojshme, në mënyrë që banorët të mund të kthehen dhe objektet thelbësore, si shkollat dhe spitalet, të mund të rihapen, tha Li.
Rindërtimi duhet të planifikohet në një mënyrë të koordinuar për të ndihmuar banorët lokalë të përmirësojnë kushtet e tyre të jetesës në mënyrë që të parandalojnë varfërinë e shkaktuar nga fatkeqësia, tha ai.
Ai kërkoi trajtimin më të mirë të mundshëm mjekësor për të plagosur nga tërmeti.
Kryeministri udhëzoi gjithashtu qeveritë vendore që të publikojnë informacionin e ndihmës ndaj fatkeqësive në kohën e duhur dhe t'i përgjigjen në mënyrë aktive shqetësimeve të njerëzve të prekur. (Çang Çuo)