Aziz Dervishi dhe tradita familjare e këngës popullore
2023-12-23 14:37:19


Vellezerit Dervishi me kengetaren e mirenjohur Fitnete Rexha 

Aziz Dervishi 

Aziz Dervishi është këngëtar i njohur nga Kërçova. Ai ka një karrierë gati 45 vjeçare me këngën e mirëfilltë shqiptare. Kënga popullore tradicionale është traditë në familjen Dervishi ndër breza, dhe kjo traditë është e ruajtur deri në brezin e pestë në familjen e tyre. Aziz Dervishi është një ndër artistët e merituar te estradës shqiptare. Ai ka marrë pjesë në shumë festivale jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por dhe në Shqipëri, Kosovë dhe shumë vende të botës. Në vitin 1995 ai mori pjesë në spektaklin muzikor “12 në Holliwood”, ku arriti deri në natën finale nga 72 këngëtarë pjesëmarrës në këtë mbrëmje gala.

Aziz Dervishi me vëllain e tij Dervishin njihen për publikun e gjerë si Vëllezërit Dervishi  dhe janë ambasadorët e melosit kërçovar burimor. Një një intervistë për Radio Ejani këngëtari Aziz Dervishi tregon rrugëtimin e tij me këngën popullore, aktivitetet ku ka marrë pjesë dhe bashkëpunimet me këngëtarë të tjerë.

Aziz Dervishi dhe Ilir Shaqiri duke interpretuar se bashku ne skene

CMG: Keni 45 vite karrierë në muzikën e mirëfilltë popullore. Si i kujtoni fillimet tuaja me këngën?

Aziz Dervishi: Unë kam pasur  talent që në moshën 5 vjeçare, kur kam dalë para publikut. Ndërkohë që në moshën 14 vjeçare kam shkuar në Prishtinë dhe inçizimet e para i kam bërë në Radio Prishtina në moshën 17 vjeçare. Këta janë dy raste kyçe që më kujtohen gjithmonë dhe që nuk harrohen kurrë.

CMG: Muzika popullore është e trashëguar ndër breza në familjen tuaj?

Aziz Dervishi: Sigurisht që po dhe këtë gjë e thonë dhe shqiptarët që këndojnë se kënga jonë është dyzëshe. Në familjen tonë ka kënduar stërgjyshi, gjyshi, babai, unë bashkë me vëllain dhe tani brezi i pestë është djali im dhe djali i Dervishit.

CMG: Publiku ju njeh prej vitesh bashkë me vëllain tuaj këngëtar si Vëllezërit Dervishi. Vazhdoni të këndoni  bashkë?

Aziz Dervishi: Është interesante se disa këngëtarë këndojnë në duet, por unë dhe Dervishi këndojmë bashkë prej 45 vitesh, por këndojmë dhe veç e veç. Unë kam qenë në Prishtinë dhe këngët gjakovare ose të Shqipërisë së mesme i interpretoj më bukur, kurse Dervishi këndon më shumë këngët popullore të Pollogut, Tetovës, Gostivarit, Kërçovës dhe Strugës. Kështu që ne kemi këngë vetëm si solistë dhe duet si vëllezër, por nuk kemi marrë shumë pjesë në evenimente dhe festivale. Mendoj se aty ku kemi marrë pjesë kemi lënë gjurmë.

Aziz Dervishi me djalin e tij

CMG: Cila është veçantia e këngëve popullore kërçovare në dallim nga trevat e tjera?

Aziz Dervishi: Ne nuk kemi marrë pjesë nëpër festivale të ndryshme për arsye se këngët kërçovare edhe po t’i prezantosh në festivale është vështirë që të depërtojnë në veshin e artistëve, sepse janë këngë të rralla dhe të rënda. Ramazan Bogdani, i ndjeri Hysen Koçia nga Tirana, Dilaver Kryeziu, Fari Beqiri nga Prishtina, këta etnomuzikologë dhe muzikologë e kanë vërtetuar se kënga kërçovare dallon nga të gjitha trevat. Kjo ka një arsye, ku jugu ka polifoninë e vet, treva e Shqipërisë së mesme ka meloditë e veta të bukura, veriu ka folklorin e vet të pastër dhe më malësor. Ndërsa Kërçova është një vend shumë i çuditshëm, sepse dhe pse kufizohemi me Strugën dhe Gostivarin nuk kemi të bëjmë me këta dy komuna. Kërçova veçohet nga disa vibrato që janë aq të rënda, saqë këngëtarët e tjerë nuk mund t’i kapin.

Kjo është veçantia e këngës së Kërçovës, ku vibratot janë shumë specifike. Kërçova dallon sepse kemi këngë grash dhe burrash, ku këngët e grave mund t’i bësh me muzikë, mund të interpretohen edhe nga këngëtarë të tjerë, kurse këngët kërçovare të burrave këndohen pa instrument dhe është vështirë për t’i interpretuar.

Aziz Dervishi me kengetaren Shkurte Fejza 

CMG: Mendoni se kënga kërçovare duhet të hyjë në UNESCO si unike në llojin e vet, përsa i përket dhe gjinisë muzikore folklorike?

Aziz Dervishi: Ne kur patëm 40 vjetorin e karrierës së Vëllezërve Dervishi, të pranishëm kishim dhe nga Shqipëria, si Naim Gjoshi të cilin e kam mik shtëpie, Dilaver Kryeziu, ishte gjithashtu drejtori i televizionit dhe disa etnomuzikologë të tjerë, që morën pjesë në atë mbrëmje festive. Unë po e them sinqerisht që Naim Gjoshi dhe Dilaver Kryeziu thanë se këta këngë duhet të futen në UNESCO se janë këngët më të veçanta. Dilaver Kryeziu tha se kishte qenë gjithandej në trevat shqiptare, por që këto këngë dyzëshe si Vëllezërit Dervishi nuk i kishte dëgjuar në asnjë vend.

Mendoj se për të hyrë në UNESCO ka procedurë tjetër dhe nuk e di se sa do të kemi mundësi. Dëshira ime është shumë e madhe që kënga kërçovare e ka meritën për të hyrë në UNESCO.

CMG: Jeni shumë i dashur për publikun në të gjitha trevat shqiptare dhe  në Shqipëri keni marrë pjesë në evente të ndryshme muzikore. Keni qenë pjesëmarrës dhe në spektaklin “12 në Holliwood” në vitin 1995, ku arritët deri në natën finale. Si i kujtoni këto koncerte në Shqipëri?

Aziz Dervishi: Spektakli “12 në Holliwood” ishte vërtetë shumë interesant sepse ishin 72 këngëtarë dhe unë arrita që të futem në finale, por nuk mora çmim të parë. Ky spektakël ishte një sukses për mua dhe këngët që interpretova aty më detyruan që të marr edhe çmim në Shqipëri. Me këngën e Kërçovës “Pot të bëj rixha”, me muzikë pak më moderne me këngëtarin Agim Poshka morëm pjesë te Maratona e Këngës Popullore në Shqipëri. Vëllezërit Dervishi bashkë me Agim Poshkën morën çmimin e kritikës nga pesë çmimet kryesore. Gjithashtu kemi realizuar dhe disa këngë në RTSH dhe në atë kohë u njohëm me disa artistë shqiptarë që i kishim idhuj, si Luan Zhegu dhe Koço Devole.

Vellezerit Dervishi duke interpretuar 

CMG: Si keni mundur ta ruani të pastër këngën popullore në këtë treg të madh këngëtarësh të rinj vitet e fundit?

Aziz Dervishi: Unë kam patur idhull Qamilin e Vogël dhe kur kam shkuar në fillim në Prishtinë kam patur dëshirë të kontaktoj me të. Ai më ka thënë që nëse unë do këndoj për para nuk do të kisha vlerë, por nëse do këndoja për vlerë atëhere do mbetesha me vlerë. Prandaj unë e kam ruajtur këngën, se nuk kam kënduar muzikë tallava dhe nuk kam hyrë në zhanre të ndryshme moderne.

Mendoj se publikut atë që i ofron atë do, por ne si artistë të mirëfilltë duhet ta mbrojmë muzikën shqipe, sepse duke e mbrojtur muzikën tonë mbrojmë gjithë kombin. Prandaj ne e kemi ruajtur me xhelozi për arsye sepse nuk kemi parë se ku është paraja, por kemi kënduar thjesht për pasion, madje  ka patur raste që kemi bërë inçizime pa u shpërblyer ose inçizime me vetëfinancim. Kjo ka qenë arsyeja që e kemi ruajtur këngën shqiptare.

CMG: Përveç këngëve kërçovare keni interpretuar dhe këngë të trevave të tjera?

Aziz Dervishi: Unë jam rritur me këngët e Shyqyri Alushit, Bik Ndojës, Qamilit të Vogël, Hafsa Zyberit, Fitnete Rexhës dhe i kam kënduar shumë bukur për mendimin tim. Gjithashtu edhe vëllai këndon këngë të tjera, por bashkë kemi kënduar këngë kërçovare, për shkak se është një specifikë më vete dhe jemi munduar sa mundemi që ta ruajmë, duke e ngritur në nivel të lartë.

CMG: Cilat kanë qenë bashkëpunimet tuaja në duet me këngëtarë të tjerë të muzikës popullore?

Aziz Dervishi: Unë kam pasur shumë oferta për bashkëpunime, sepse Vëllezërit Dervishi kanë famë dhe i njohim të gjithë artistët e Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi. Kemi bashkëpunuar me ato këngëtarë që kemi më shumë njohje dhe që na shkon dhe kënga. Mendoj se në Kosovë Shkurte Fejza dhe Ilir Shaqiri janë artistët e mëdhenj që kanë mbrojtur muzikën shqiptare dhe unë kam bërë dy këngë në duet me Shkurte Fejzën. Kam bërë një këngë me Ilir Shaqirin, bashkë me vëllain kemi bërë një tjetër këngë me Ilir Shaqirin. Këto kanë qenë bashkëpunimet kryesore  dhe mendoj se në të ardhmen mund të bëjmë edhe bashkëpunime të tjera.

CMG: Prej vitesh punoni në arsim si mësues i muzikës. Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me kolegët dhe nxënësit?

Aziz Dervishi: Mendoj se kanë qenë marrëdhënie të shkëlqyera dhe në atë periudhë mendoj se i kam argëtuar shumë fëmijët dhe ju kam mësuar diçka. Megjithëse isha në vitet 50-të, dhe tani prej shumë vitesh jam aktivist i shkollës sepse jam në moshë dhe më dhanë këtë post për të mos u lodhur shumë. Kryesorja është se kam shumë kënaqësi sepse jam në një shkollë shumë të mirë, me kolegë, drejtorët dhe të gjithë kalojmë bukur. Kam kujtime të mira nga nxënësit, që kur më takojnë në rrugë më thërrasin mësuesi  dhe kjo është kënaqësi e veçantë.

CMG: Mendoni se dhe këngëtarët e rinj sot duhet ta ruajnë të pastër këngën popullore, sikur dhe ju e keni ruajtur dhe vazhdoni ta ruani këtë pasuri kombëtare?

Aziz Dervishi: Nuk ka muzikë më të bukur se muzika shqiptare  dhe ne kemi një repertor të madh që na e kanë zili vendet e tjera. Unë nuk e di sesi mund të prishet muzika jonë, që është më e mira në botë. Mirëpo këtu fajin e kanë këngëtarët dhe ata që i ftojnë në evente muzikore. Mua me më dhënë miliona nuk këndoj asnjë këngë tjetër përveç këngës shqiptare. Unë i këshilloj të rinjtë, ata që kanë zë shumë të mirë se duhet ta shfrytëzojnë për këngët shqipe, dhe pse koha ka ndryshuar dhe është pak vështirë për këta të rinjtë. Unë kam djalin tim këngëtar i cili këndon shqip.

Vellezerit Dervishi 

CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në të ardhmen?

Aziz Dervishi: Muzika është një sëmundje e pashërueshme. Muzika nuk është si sporti me thënë që njeriu nuk mundet, sepse pasi bën disa vite sport duhet të largohesh. Ndërsa muzika është një botë tjetër dhe unë zërin e kam të mirë dhe duhet të punoj me të. Kam projekte për të ardhmen, por do ja lemë kohës.

CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj.

Aziz Dervishi: Më vjen mirë që ju kultivoni dhe realizoni programe për të ruajtur melosin e bukur shqiptar. Unë i përshëndes të gjithë dëgjuesit, dhe ju them të dëgjojnë këngën shqipe. Faleminderit shumë për intervistën dhe suksese.

Intervistoi: Gazmend Agaj