Foto nga Xinhua
Kina është e gatshme të punojë me anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të vazhduar të bëjë përpjekje të pandërprera për një armëpushim në Rripin e Gazës sa më shpejt të jetë e mundur, tha një i dërguar kinez të premten.
"Kina do të vazhdojë të punojë pa u lodhur për të zbatuar në mënyrë efektive zgjidhjen me dy shtete për të arritur paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme." - tha i ngarkuari me punë i misionit të përhershëm të Kinës në OKB, Dai Bing, në fjalimin e tij shpjegues pasi Këshilli i Sigurimit miratoi një rezolutë, duke theksuar nevojën për një përshpejtim të menjëhershëm të dërgesave të ndihmave për civilët e dëshpëruar në Gaza.
Duke pasur parasysh katastrofën humanitare në Gaza, rezoluta ofron "të paktën një fije shprese" për një dërgim më të shumtë dhe më të shpejtë të ndihmave në Gaza, tha Dai, duke shtuar se "nëse kjo fije shprese mund të ndihet realisht nga populli i Gazës në mes të kësaj fatkeqësie, varet edhe nga fakti nëse rezoluta mund të zbatohet në të vërtetë".
"Ne presim veprime për të zgjeruar ndihmën humanitare në Gaza, duke përfshirë përdorimin e plotë të Karem Shalom dhe hapjen e pikave të tjera të kalimit." - tha Dai, ndërsa i kërkoi Izraelit të ndalojë "dënimin kolektiv" ndaj popullsisë së Gazës dhe duke këmbëngulur në qëllimin kryesor që është armëpushimi.
Ai tha se vetëm armëpushimi mund të parandalojë më shumë viktima mes civilëve, duke përfshirë të burgosurit, dhe të parandalojë daljen jashtë kontrollit të konflikteve rajonale.