Ermal Spahiu ( foto facebook)
Ermal Spahiu dhe një grup studentësh kanë marrë një vendim të rëndësishëm për mjedisin. Ta pastrojnë atë nga bishtat e cigareve të cilat e ndotin. Ata kanë bërë një studim nga anëtarë të fushatës, duke parë ndotjen e vazhdueshme të tokës dhe ritmit të shpejtë që ajo po merr prej kohësh. Me qëllimin për të ndërgjegjësuar qindra qytetarë ky grup studentësh ndan qëllimin dhe objektivin për Radio Ejani.
CMG: Ermal, cili është qëllimi i këtij projekti?
Ermal Spahiu: Të gjithë ata qytetarë që e ndjejnë veten të ndërgjegjshëm dhe që e pranojnë faktin se natyra nuk preket, duhet të jenë të ndërgjegjshëm se natyra nuk e meriton për asnjë çast të digjet e ndotet nga hedhja e bishtave të cigares. Në këtë rrugëtim qytetar do të angazhohen të gjjthë ata që e duan mjedisin dhe që e mbrojnë atë.
CMG: Kush mund t'iu bashkohet juve në këtë kauzë?
Ermal Spahiu: Ata që kontribuojnë për një tokë të pastër që merr frymë ashtu siç ne njerëzit. Ata që janë të gatshëm kurdoherë që t’i bashkojnë forcat për t'iu bashkuar kauzës sonë, për të pastruar tokën nga mbetje që hidhen në rrugë e na ndotin ajrin e të gjithë ne që e thithim atë. Është një hap i ndërmarrë së bashku, i kthyer në traditë dhe që respektohet vit pas viti në universitetin tonë. Vijmë me këtë fushatë për të ndërgjësuar të gjithë ata që dëmtojnë tokën, ata që hedhin në tokë bishtat e cigares pasi e konsumojnë, të cilat përbëjnë rrezik për ajrin, për gjelbërimin dhe ndaj vetë natyrës.
Cigare te hedhura ne toke dhe te mbledhura nga grupi i punes ( foto personale)
CMG: A keni ju një plan të strukturuar?
Ermal Spahiu:Është një plan i strukturuar, i shtrirë në shumë drejtime ku të gjithë kanë një rol të veçantë e kushdo që do të na bashkohet, do të trajtohet me të njëjtën veçanti pjesëmarrëse për ta çuar përpara misionin tonë të rëndësishëm mjedisor.
CMG: Do të jeni të pranishëm në qytetin e Tiranës apo edhe në qytete të tjera ?
Ermal Spahiu: Do të jemi kudo, në çdo qytet e me çdo vullnetar që do të jenë i gatshëm për t’u bashkuar me ne. Do të fokusohemi në kryeqytetin tonë, Tiranën, ku numri i duhanpirësve ka pësuar rritje, sidomos për ata që e lëshojnë në tokë, duke e kthyer planetin tonë në një tavllë.
Planeti nuk është tavëll ( foto facebook)
CMG: Keni bërë një studim paraprak për të ndërmarrë këtë projekt?
Ermal Spahiu: Është një studim i nxitur nga ne si anëtarë të fushatës, duke parë ndotjen e vazhdueshme të tokës dhe ritmit të ngadaltë që ajo po merr prej kohësh. E kemi të qartë çfarë duam dhe ku duam të arrijmë, ndaj besojmë te pritshmëritë e kësaj fushate. Kërkojmë nga të gjithë të ndërgjegjësohen, të reflektojnë për hir të tokës në të cilën ecim çdo ditë për krijimin e kushteve të nevojshme që mbetjet e tyre të sistemohen në një vend të sigurt ku të jenë të distancuara plotësisht nga toka. Një riciklim i mundshëm mund të ndodhë nëse studimet na tregojnë rrugën e duhur se si ta shpëtojmë tokën tonë nga kërcënimet e vazhdueshme që i vijnë nga vetë njerëzit e pandërgjegjshëm.
CMG: A mendoni se vullnetarë të tjerë mund t'iu bashkohen?
Ermal Spahiu: Padyshim. Nëse thirrja bëhet me tonin e duhur, në drejtimin e duhur dhe me mjetet e duhura. Nëse e doni mjedisin, tokën tuaj, ajrin që thithni çdo ditë dhe jeni të kapur pas higjienës tokësore, ne jemi vendi i duhur ku të na bashkoheni. Toka bëhet më e bukur kur duart tona investojnë aty ku duhet. Për ta përmbyllur dua të lë një shprehje e cila mund të ndezë njëfarë shkëndije në aktivizimin e tyre.
"Një cigare e hedhur sot, dëmton mushkëritë e tokës mot."
Intervistoi: Megi Latifi