Konkurrentët e Festivalit të 62-të të Këngës në RTSH (Foto nga Instagrami)
Prezantuesit e FEst'62(Foto nga instagrami i faqes së RTSH)
Më 19 dhjetor startoi nata e parë e Festivalit të 62-të të Këngës në RTSH, nga 4 netë të tij. Festivali u moderua nga balerini shqiptar, i suksesshëm në Itali Kledi Kadiu, aktorja Adriana Matoshi, prezantuesja Krisa Çaushi dhe komediani Xhuliano Xhule. Në skenën e Pallatit të Kongreseve natën e parë përveç artistëve konkurrentë, këtë vit ka pasur mjaft talente të reja. I ftuar special ishte këngëtari i famshëm italian, Umberto Tozzi, i cili solli një kolazh të hiteve të tij ndër vite. Në natën e dytë u ngjit në skenë artisti Aleksandër Gjoka në një duet me Bojken Lakon. Në dy netët e para publiku ndoqi artistët pjesëmarrës në këtë edicion të 62-të këngës, artistë të cilët janë në garë drejt ëndrrës për edicionin e 68-të të Festivalit Europian Eurosong Contest, që do të mbahet këtë vit në Malmo të Suedisë.
Bojken Lako është drejtues artistik i Festivalit, regjia Pali Kuke, skenari Enkel Demi, Drejtues i bendit muzikor Elton Deda,producentë muzikor Alfred Kaçinari dhe Shpëtim Saraçi. Artistët konkurrentë i shoqëroi Orkestra Simfonike e RTSH.
Juria profesioniste e këtij edicioni përbëhet nga artistë dhe personalitete të njohur si, Aleksandër Gjoka, Indrit Mesiti, Adelina Ismajli, Fitnete Tuda, Elena Kadare, Natasha Lako, Anila Aliu, Shpëtim Kushta, Victor Van Vought, Zana Shuteriqi dhe Shkumbin Ahmetxheka.
Orkestra Simfonike e RTSH-së (Foto nga instagrami i faqes së RTSH)
Nata e tretë e festivalit, ju kushtua “Nostalgjisë”. Këtë vit u performuan rreth 20 këngë, të cilat kanë bërë histori dhe u sollën në skenë nga artistët pjesëmarrës, por interpretuar në duete nga artistë konkurrentë dhe emra të njohur të muzikës shqiptare. Kjo ishte një natë e veçantë, ku publiku shijoi jo vetëm këngë shqiptare, por edhe këngët e huaja që kanë lënë gjurmë në festivalin evropian të këngës.
Sa i përket natës së “Nostalgjisë”, artisti Elton Deda u shpreh për mediat:
“Kemi shumë materiale, një natë speciale e mbushur me të ftuar, gjëja që më pëlqen më tepër janë të rinjtë që kapin mikrofonin dhe këndojnë sikur kanë gjithë jetën në skenë. Nivelin e kanë shumë të mirë”. Është një festival shumë i bukur dhe festivali më i bukur”, tha Elton Deda.
Ajo që spikati në këtë festival është pjesëmarrja e artistëve të rinj. Në të konkurruan 31 këngëtarë, mes tyre 17 debutantë. Gjatë ditëve të festivalit kryefjala e bisedave mes artistëve ka qenë diskutimi se, kush do të jetë fituesi i çmimit të parë të Fest’62. Sonte do të kemi mundësinë të ndjekim nëpërmjet ekranit të RTSH-së natën e katërt dhe të fundit të Festivalit të 62-të të Këngës në RTSH, ku pasdiskutim pritet të jetë mbrëmje me shumë surpriza dhe emocione për të gjithë artistët, por edhe për publikun. Votimi për këngëtarin e preferuar është hapur që në natën e dytë, në numrat e prezantuara gjatë festivalit, por edhe të vendosura në faqen zyrtare të Rtsh-së, pas interpretimit të 31 artistëve konkurrentë të këtij edicioni. Votimi do të qëndrojë i hapur deri në fund të natës finale ku do të shpallen edhe fituesit e kësaj gare.
Big Bas dhe Vesa Luma në Fest'62 (Foto nga instagrami)
Elsa Lila në Fest'62 (Foto nga instagrami i faqes së RTSH)
Bojken Lako, drejtori artistik i “Fest‘ 62” më herët ka treguar se këtë vit do të ketë një ndërthurje mes votës së jurisë së profesionistëve dhe publikut si në “Eurovision”. Këtë vit u paraqitën pranë redaksisë së Radio Tiranës, mbi 80 krijime muzikore, krijues jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga treva të tjera si Kosova, Maqedonia e Veriut, Gjermania, Suedia, Italia dhe Amerika që aplikuan për të qenë në festival. Në garë këtë vit në këtë edicion të 62-të të këngës në RTSH-së, janë 31 konkurrentë, të rinj dhe emra të njohur të muzikës shqiptare si; Big Basta & Vesa Luma, Elsa Lila, Jasmina Hako, Michela Paluca, Anduel Kovaci , Irma Lepori, Eden Baja, Erina and The Elementals, Kleansa Susaj, Arsi Bako, Tiri Gjoci , Besa Krasniqi, Bledi Kaso,Troy Band, Martina Serreqi, Stivi Ushe , Besa Kokedhima, Mal Retkoceri ,Eldis Arrnjeti , Shpat Deda, Jehona Ponari, PeterPan Quartet, Festina Mejzini, Kastro Zizo, Luan Durmishi, Melodain Mancaku, Olsi Ballta , Andi Tanko, Sergio Hajdini, Santino De Bartolo, Olimpia Smalaj.
Festivali i Këngës e nisi rrugëtimin e tij në vitin 1962 në sallën e Institutit të Lartë të Arteve dhe deri në vitin 1971 u transmetua fillimisht vetëm në valët e Radio Tiranës, ndaj në ato vite është cilësuar si Festivali i Këngës në Radio. Ishte edicioni i X-të i kësaj feste muzikore, ai që do të transmetohej për herë të parë në ekranin e Televizionit Shqiptar. Që nga ai moment, ai do të njihej nga gjithë si Festivali i Këngës në RTSH. Viti 1981 mendohet se ishte momenti kulmor ku për herë të parë ndodhi transmetimi me ngjyra i Festivalit të Këngës në RTSH, ndërsa shënimet e kohës të dokumentuara në bobinat e Festivalit të Këngës, tregojnë një tjetër datë, vitin 1982, sipas faqes zyrtare të RTSH-së. Tema e këtij edicioni të 62-të këtë vit është “Fjala dhe Muzika”, duke vendosur theks të veçantë në cilësinë e këngëve jo vetëm si vije melodike por dhe tek tekstet që transmetonin këtë vijë melodike.
Sava Lena