Foto nga CFP
Rritja vjetore e prodhimit industrial me vlerë të shtuar të Kinës ka gjasa t'i kalojë 4.3 për qind këtë vit, pasi prodhimi industrial mbajti një prirje rimëkëmbjeje, sipas Ministrisë së Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit (MIIT).
Ministria tha në një konferencë kombëtare pune mbi zhvillimin dhe informatizimin industrial të enjten se sivjet vëllimi i sektorit të prodhimit, me pjesën e tij në PBB-në e Kinës që ka mbetur e qëndrueshme, do të renditet i pari në botë për vitin e 14-të radhas.
Në 11 muajt e parë të këtij viti, vëllimi i prodhimit të kompanive kryesore kineze të teknologjisë së lartë u rrit 2.3 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa vëllimi i sektorit të prodhimit të pajisjeve u shtua 6.4 për qind gjatë së njëjtës periudhë.
Deri në fund të nëntorit, numri i stacioneve bazë 5G në Kinë i kaloi 3.28 milionët, ndërsa studimi i teknologjisë 6G ka pasur një përparim më të shpejtë, sipas ministrisë.
Ministri i Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit Jin Zhuanglong tha që, për vitin e ardhshëm, Kina do të bëjë më shumë përpjekje për përparimin e industrializimit të ri dhe do të përshpejtojë ndërtimin e një sistemi modern industrial me inovacionin shkencor e teknologjik si forcë nxitëse dhe prodhimin e përparuar si shtyllë.
Kina do të punojë për të përmirësuar zinxhirët industrialë të sektorëve kyçë të prodhimit dhe industritë tradicionale të saj, për të konsoliduar e përmirësuar industritë e veta konkurruese, për të nxitur e forcuar industritë e reja dhe për të bërë plane perspektive për industritë e së ardhmes, tha Jin.