Merr hov rritja e kreditimit. Opinione të ekspertëve për kreditimin
2023-12-21 11:48:53

Kreditimi(Foto abc news)

Kredia (Foto Revista Monitor)

Kredia për ekonominë ka marrë një hov të ri në rritje gjatë muajit tetor. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, kredia e re e disbursuar kishte vlerën e 30.6 miliardë lekëve, në rritje me 59.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vlera mujore e kredisë së re gjatë muajit tetor ishte më e larta që prej dhjetorit të vitit 2021. Kredia e re për tetorin është rritur për të gjitha segmentet kryesore, por me një kontribut më të lartë të kompanive private dhe atyre publike. Në një intervistë për Revistën Monitor, Brunilda Isaj, eksperte e sektorit financiar, shprehet se kjo rritje është nxitur nga kërkesa ende e lartë e sektorit privat, por edhe nga normat ende të ulëta të interesit në monedhën vendase.

“Me të vërtetë janë shifra të mira dhe inkurajuese sa i takon zhvillimit të ekonomisë dhe injektimit të likuiditetit në ekonomi. Tetori ka qenë një muaj me ecuri shumë të mirë, jo vetëm për sektorin privat, por edhe për sektorin publik, ku kemi pasur zhvillime pozitive. Pavarësisht besimit të konsumatorit, i cili në dy- tre muajt e fundit nuk paraqet ritme rritëse, nëse e shohim në shifra mesatare dhe marrim parasysh të gjithë ecurinë e 10 mujorit, mbetemi mbi mesataren e viteve të kaluara, kështu që ecuria e inflacionit jo domosdoshmërisht është përputhur me ecurinë e kreditimit. Banka e Shqipërisë në politikat e veta ka tentuar që të mbajë në kontroll dhe të ulë inflacionin, aktualisht mbetemi në shifrat e 3.8 sërish mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë, norma e interesit bazë është rritur në mënyrë konstante gjatë një viti e gjysmë, e cila i ka çuar kostot e kredisë në nivele më të larta se periudhat disa vjetore që jemi mësuar. Megjithatë ritmet e kredisë mbeten të larta, që do thotë zhvillimi ekonomik dhe ecuria e disa sektorëve, këtu përmendim sektorin e shërbimeve, si turizmi që ka patur ecuri mjaft pozitive, por edhe ndërtimi, pavarësisht një ngadalësimi gjatë muajve të fundit, mbetet sërish me ritme të mira. Ka ndikuar në rritjen e kërkesës në nivel vendi dhe kanë siguruar një nivel të mjaftueshëm për të afektuar po themi këto ritme kreditimi”, u shpreh ekspertja

Isaj thotë se në këtë drejtim ka ndikuar qasja më e zbutur e Bankës së Shqipërisë gjatë  gjatë vitit 2023; në ritmet e rritjes e normës bazë të interesit krahasuar me bankat e tjera qendrore

“Sigurisht që ka ndikimin e vet, pra diferenca është më shumë se 100 pikë % që do të thotë që kredia e re në lekë është e preferuara, nëse i referohemi sidomos kredive për mjete likuide, për bizneset dhe kredisë konsumatore për individët por jo vetëm. Gjithashtu impakti më i madh është dhe në konvertimin e kredive, qoftë në pjesën e segmentin e biznesit apo të individit, ku kemi një vëllim të shtuar të kredive që konvertohen nga euro në lekë për të marrë avantazhet në këtë situatë të krijuar qoftë në terrenin e normave të interesit, apo në terrenin e mbiçmimit të kursit të këmbimit të lekut karshi euros. Ka patur një ndikim ngadalësimi i ritmeve të rritjes nga banka qendrore me ecurinë e inflacionit edhe me ecurinë e zhvillimit ekonomik në vend nuk e ka parë shumë të nevojshëm rritjen sërish intensive edhe gjatë këtij viti. Pavarësisht lëvizjeve, ajo bëri prapë një rritje kohët e fundit, e cila do dojë pak kohë të reflektojë qoftë në normat e interesit të kredive qoftë në normat e depozitave. Megjithatë ritmet e rritjes për monedhën euro kanë qenë më të larta dhe kjo ka qenë arsyeja kryesore që kredia e re është orientuar drejt lekut. Sigurisht dhe banka qendrore e orienton këtë edhe në kuadrin e strategjive të tjera që ka, menaxhimi i rrezikut të kursit të këmbimit dhe janë të gjitha nga pak që e ndikojnë këtë orientim drejt lekut në kredimarrje. Vijimësia e kreditimit me ritme relativisht të larta, sigurisht që e bën ndoshta më sfiduese arritjen e objektivit të uljes së inflacionit, ku është objektivi” tha Isaj.

Ekspertja Brunilda Isaj

Ekspertja bën një analizë se si do të ndikonte zgjatja e kreditimit me ritme të larta edhe në vijim.

“Nëse do ta shohim në drejtimin strategjik, jo vetëm banka qendrore e jona, por edhe bankat qendrore kudo në Evropë dhe botë, janë duke vazhduar duke i mbajtur me ritme shtrënguese. Nëse ne do vijojmë më këto ritme rritjeje, që unë shpresoj do normalizohen sepse edhe gjatë këtij viti nuk kemi patur të njëjtat ritme rritje, pra 6 mujori ka qenë me ritme relativisht të ulëta dhe pastaj deri në fund të shtatorit pamë deri diku disa sinjale pozitive, tetori është që ka paraqitur një rritje më të ndjeshme për portofolat e kredive dhe në kredidhënien e re. Në rast se ne vijojmë me këto rritje dhe kemi këto nivele likuiditeti në treg, sërish banka do të detyrohet t’i rikthehet politikave shtrënguese sepse politika e saj e inflacionit ende nuk është arritur dhe nga sa shohim sasia e likuiditetit në treg që qarkullon është shumë e lartë.”

Një rritje e kërkesës së brendshme, sipas ekspertes do të çonte në lëvizje të masave të Bankës së Shqipërisë.

“Sigurisht që impakti i politikës monetare ushtrohet vetëm në atë pjesë të likuiditetit që është në monedhën vendase, kështu që një pjesë e mirë e likuiditetit, gjysma ose më shumë se gjysma e likuiditetit që qarkullon në treg dhe shprehur në monedhën euro është në varësi në politikave monetare të Bankës Evropiane. Nëse do të vijojmë të kemi këtë sasi likuiditeti dhe këtë rritje të kërkesës së brendshme në të njëjtat rritje, unë gjykoj që kjo sërish do të mandatojë lëvizje të tjera, ritme edhe më të larta rritje të normës bazë. Për një periudhë 6 mujore ende nuk kemi një trend të stabilizuar, një tendencë të stabilizuar që do të reflektojë kahun për lart apo kahun për poshtë të inflacionit. Megjithatë gjykoj që ekonomia jonë si një ekonomi e vogël me dy apo 3 ndërhyrje të shpejta e merr drejtimin e duhur edhe kjo reflektohet edhe në fundin e viti 2022 dhe fillimin e vitit 2023 sa i takon tendencës së inflacionit”, theksoi ekspertja Isaj

Rritja e muajit tetor ka përmirësuar ndjeshëm ecurinë e kredisë së re për kompanitë private, që për 10-mujorin arriti vlerën e 162.4 miliardë lekëve, në rritje me 7.3% krahasuar me një vit më parë. Duke theksuar gjithashtu se segmenti i biznesit ka një peshë më të lartë të kredisë në valutë të huaj dhe rrjedhimisht është ndikuar më shumë nga efekti i kursit të këmbimit.