Edicioni 4 i Festivalit (Foto nga faceboook)
Arti pa kufi është tema qendrore e Festivalit ndërkombëtar të Filmit “Art Without Limit” që u zhvillua në Prishtinë në fillim të muajit dhjetor, në edicionin e tij të katërt. Ceremonia e ndarjes së çmimeve përkoi me Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara. Në këtë edicion pati rreth 1000 aplikime nga regjisorë dhe producentë nga e gjithë bota, duke përfshirë dokumentarë të shkurtër, dramë-fiction dhe animacion. Stafi organizues i festivalit ka përzgjedhur me kujdes 50 filmat më të mire, të cilët u shfaqën përgjatë tre ditëve të festivalit. Fokusi kryesor i tematikës së filmave apo dokumentarëve është për njerëzit me nevoja të veçanta.
E veçanta e këtij edicioni ishte se anëtari i jurisë kryesore ishte James Martin – aktori protagonist i filmit “An Irish Goodbye” fitues i çmimit Best Live Action Short Film,95 th Academy Awards – OSCAR 2023. Festivali ka vënë në pah talentin e artistëve me nevoja të veçanta, duke u ofruar atyre një mundësi shumë të mirë, e duke pasqyruar talentet e tyre, si dhe historitë personale në skenën e festivalit, si në muzikë edhe në fusha të ndryshme të artit, të cilat janë shpalosur në hapjen dhe mbylljen e festivalit. E ftuar në Radio Ejani, për të na treguar më tepër rreth këtij festivali, është producentja e tij, Ganimete Sava .
Ganimete Sava (Foto nga faceboook)
CMG: Si shkoi ky edicion i katërt i festivalit?
Ganimete Sava: “Art Without Limit International Film Festival” përfundoi edicionin e tij të katërt me sukses, i cili për 3 ditë rradhazi pati një publik të mrekullueshëm. Gjatë ditëve të festivalit u shfaqën 50 filma, nga njëmijë filma që kanë aplikuar, ku u zgjodhën 50 filmat me metrazh të shkurtër, nga 4 zhanëra të ndryshëm, fiction, dokumentarë e animacion. Si çdo edicion tjetër sukseset janë të mëdha me filma të mirë, me audiencë të mirë, me aktivitete të ndryshme brenda festivalit dhe panele diskutimi, performancë muzikore. Të gjitha këto i dedikohen personave me aftësi ndryshe. Edhe këtë vit patëm një sukses tepër të veçantë që e mbajtëm në fillim të dhjetorit në Prishtinë.
CMG:Cilat ishin risitë e këtij edicioni ?
Ganimete Sava: Këtë vit risi ishte një djalë me sindromën daun nga Londra, që vitin e kaluar fitoi në festivalin tonë si “Filmi më i mirë”, kurse në janar të këtij viti fitoi çmimin “Oscar”. Djali me sindromën daun, ka hyrë në historinë e çmimeve “Oscar”. James Martin, pranoi të ishte anëtar jurie i festivalit tonë. Kjo gjë e ka rritur nivelin e festivalit dhe e ka madhështuar eventin tonë. Ai nuk mundi të ishte fizikisht, por mori pjesë nëpërmjet një videomesazhi, duke theksuar shumë fjalë të mira për festivalin, kjo pra ishte risija.
Gjithashtu edhe anëtarët e tjerë të jurisë kanë qenë të kategorive të ndryshme ndërkombëtarë dhe vendore. Patëm emra të mëdhenj të artit, të animacionit të filmit nga media. Kemi pasur njerëz të suksesshëm, drejtorë nga festivale të ndryshme, të cilët i kanë vlerësuar filmat dhe jemi tepër të kënaqur. Shumica e tyre kanë pasur fatin të jenë në Prishtinë për katër ditë ku bënë edhe shëtitje nëpër qytet. Gjithashtu me “Art Without Limit International Kids”, kemi një bashkëpunim shumë të mirë me fëmijët e shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, që i kanë sjellë fëmijët me aftësi ndryshe, ku kanë performuar përpara audiences. Kemi pasur rreth 300 fëmijë të shkollave të Prishtinës, të cilët i kanë ndjekur filmat e animuar për një apo dy orë gjatë ditëve të festivalit, kjo ka qenë risi edhe vitet e kaluara, por këtë vit ka qenë më madhështore e më e bukur.
Nga ditët e festivalit (Foto nga facebok
CMG: Cilët ishin fituesit?
Ganimete Sava: Si çdo vit tjetër kemi disa çmime në festivalin tonë si; “Best fiction”, “Best animacion”, “Best Documentary”, “Art Withaut Limit”, etj. Këtë herë duhet ta veçoj se i vetmi film shqiptar që ka qenë pjesëmarrrës nga Shqipëria, ishte nga Marinela Prifti, e cila mori një çmim. Nuk është gjë e mirë që të kemi vetëm një film nga Shqipëria, por kemi bërë thirrje nëpër kolegë që të krijohen filma rreth personave me aftësi ndryshe, sepse në Kosovë janë rreth 250 mijë persona me aftësi ndryshe, sigurisht edhe në Shqipëri e më gjerë, e duhet të sjellin filma rreth këtyre personave. “Best Fiction” e fitoi një regjisor nga Italia, “Best Documentary” e fitoi një nga Londra, kishte fitues nga Kazakistani, Turqia, Mbretëria e Bashkuar, Austria, Franca, etj. Filmi më i mirë i festivalit ishte për autorin nga Italia.
CMG: Çfarë pritet për vitin e ardhshëm?
Ganimete Sava: Nga përvoja e deritanishme mendojmë që ta vazhdojmë, ta zgjerojmë stafin më shumë, të kemi më shumë mysafirë sepse ketë herë kishim 20 të ftuar, por ne kemi 50 filma që i shfaqim dhe dëshirojmë që t’i ftojmë të gjithë autorët e filmave që të qëndrojnë për tre ditë në Prishtinë, të shijojnë pak atmosferë dhe t’i shohim filmat në kinema së bashku. Gjithashtu siç kemi organizuar këtë vit panel diskutimi me autorët, regjisorët, por edhe me publikun të kemi bashkëbisedime dhe aktivitete të tjera përgjatë festivalit. Gjithashtu mendojmë të kemi pjesëtarë të jurisë personazhe të famshëm, të suksesshëm, me të cilët jemi në biseda e sipër, ashtu si këtë vit, e çdo vit tjetër që ka kaluar. Besoj se do të kemi suskese edhe më tepër në vitet në vazhdim.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Art vvithout Limit”, u mbështet nga Ministria e Kulturës. Gjatë tri ditëve të festivalit u shfaqën filma që theksojnë sfidat me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara dhe gjithashtu tregojnë qëndrueshmërinë, arritjet dhe kontributet pozitive të tyre për shoqërinë tonë.
Intervistoi: Sava Lena