Foto nga China Daily
Luc Besson, një nga regjisorët francezë më të suksesshëm komercialisht, ka shprehur dëshirën për të njohur më shumë rreth historisë, kulturës dhe mitologjisë kineze të paraqitura në filma nga regjisorët kinezë.
“Jam kurioz për të parë filma të tillë dhe të kuptoj më shumë për popullin kinez përmes këtyre historive”,- tha ai, në përgjigje të pyetjes së një spektatori gjatë një eventi më 12 dhjetor në kinemanë “Zheying Shidai”(Xhë jin Shidai) në Hangzhou(Han xhou), kryeqendra e provincës Zhejiang (Xhë xhian) të Kinës lindore.
Regjisori, i njohur për filma si “Leon: The Professional”, “The Fifth Element” dhe “Lucy”, ishte në një turne në Kinë për të promovuar filmin e tij të fundit “Dogman”, i cili u publikua zyrtarisht në kinematë kineze të premten. Por, ai theksoi se nuk mund të drejtonte një film kinez. “Mendoj se do të ishte shumë pretencioze. Imagjinoni një regjisor kinez që shkon në Paris, duke bërë një film për francezët”,- tha ai.
Në tetor, Besson bëri udhëtimin e tij të parë në Kinë në gjashtë vjet, kur “Dogman” u shfaq në Festivalin e Shtatë Ndërkombëtar të Filmit Pingyao (Pin jao) në provincën Shanxi (Shan shi).
Frymëzuar nga një histori e vërtetë që Besson kishte lexuar, në të cilën një familje e detyroi fëmijën e saj të jetonte në një kafaz, “Dogman” përshkruan një burrë të lidhur në karrige me rrota, i cili duhet të përballet me një traumë të ngjashme, të përballet me refuzimin dhe gjen miqësi, ngushëllim dhe përfundimisht shpëtimin te miqtë e tij qen.
Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Pingyao (Pin jao), filmi jo vetëm që përloti shumë shikues, por edhe vetë Besson u emocionua nga pritja e ngrohtë e spektatorëve kinezë. Ai mori një ovacion prej 6-minutësh, kur “Dogman” pati premierën botërore gjatë Festivalit të Filmit në Venecia në fund të gushtit.
Lidhur me realizimin e filmit të ri, Besson tha se u ndje njësoj si dikur i ri që përpiqej të shprehej çdo tre ose katër vjet.
“Ti përpiqesh të ndjekësh njerëzit dhe të shprehësh atë që ndjen. Por, asnjëherë nuk duhet të ndalemi në balancimin e vlerës komerciale të një filmi, pra, arkëtimit, me vlerën e tij artistike. Mënyra më e mirë për të pasur ndoshta një sukses është mos të mendosh për të dhe të bësh filmin e vërtetë. Duhet të vendosësh shpirtin, zemrën, trurin. Duhet të japësh dhe kaq”,- tha Besson
Vlera artistike e “Dogman”, një thriller krimi i mbushur me veprim mes qenve dhe njerëzve, si dhe me ngjyrime shpirtërore dhe psikologjike, padyshim është ngritur më shumë nga performanca e aktorit dhe muzikantit amerikan Caleb Landry Jones. Ai fitoi çmimin “Aktori më i mirë” në Festivalin e Filmit në Kanë vjet, për filmin “Nitram”. Për rolin në “Dogman”, ai kaloi gati gjashtë muaj duke u përgatitur, me shumicën e skenave në një karrige me rrota.
“Duhet të kuptosh se si ndihesh të jesh me aftësi të kufizuara dhe si të shikojnë njerëzit”,- tha ai.
Duke luajtur si Douglas, protagonistin që abuzohet në fëmijëri nga babai i tij i dhunshëm dhe më pas u drejtohet shokëve të tij qen për të lehtësuar vetminë e tij, Jones ishte mirënjohës që kishte hyrë në botën e Besson dhe mori pjesë në projektin e tij të ri.
“Nuk kam pasur kurrë një rol ku më është dashur të flas aq shumë sa në këtë film. Ishte një film shumë sfidues në shumë mënyra”,- tha Jones.
Për fat të mirë, si një mjeshtër njohës i filmit, Besson kishte krijuar një hapësirë të tillë ku Jones tha se i duhej vetëm të ndiqte vizionin dhe energjinë e regjisorit.
Në “Dogman”, sipas Besson, një ndër temat kryesore është dhembja në jetë. “Dhembja është kudo. Por më e rëndësishmja, ka të bëjë me atë se si të përballeni dhe përfundimisht të kapërceni e madje të mposhtni dhembjen. Dashuria është ajo që na nevojitet për të zëvendësuar dhembjen”,- tha regjisori francez.
Sp. Të nderuar dëgjues, “Regjisori francez dëshiron të shohë më shumë filma kinezë” ishte tema e artikullit të “China Daily” që ndoqët në Radio Ejani.