Shpëtim Çekrezi prej shumë vitesh ushtron profesionin e iluzionistit, dhe prestigjatorit. Ai për vite me radhë ka marrë pjesë në mjaft aktivitete në vendet e Ballkanit, duke korrur suksese të njëpasnjëshme. Greqia ishte vendi që i hapi rrugën e profesionit dhe më pas u bë i njohur në Shqipëri, Kosovë dhe mjaft vende të tjera, duke mahnitur me numrat e tij të shpejtësisë publikun. Në një intervistë për Radio Ejani Shpëtimi tregon për fillimet si iluzionist, aktivitetet ku ka marrë pjesë si dhe projektet artistike.
CMG: Si lindi pasioni juaj për tÇu bërë iluzionist?
Shpëtim Çekrezi: Hapat e mia të para për këtë profesion me të cilin merrem sot kanë filluar para shumë vitesh, ku isha në Greqi. Kur erdha nga Greqia, halla ime gazetarja Zenepe Luka që nuk jeton më, më takoi me prestigjatorin e njohur Nadir Murra, të cilin në atë kohë po e menaxhonte në disa emisione televizive. Ajo më tha që të punoja si asistent i Nadirit dhe me shumë dëshirë pranova sepse ishte një artist i madh dhe i njohur nëpër botë. Unë isha shumë korrekt me detyrat dhe këshillat që më jeptë Nadiri dhe filluam një turne në të gjitha qytetet e Shqipërisë, ku pata rastin të jem krahu i djathtë i tij. Mendoj se çdo njeri në këtë jetë ka një dhunti apo aftësi, por varet nëse të bie rasti për ta shfrytëzuar atë lloj aftësie.
Për mua ishte një koinçidencë të jem pranë Nadirit dhe për dy-tre vite radhazi kishim aktivitete në Shqipëri dhe jashtë shtetit, ndaj pata mundësinë që t’i kapja këto reflekse. E falenderoj shumë Nadir Murrajn sepse e kam mikun tim më të mirë. Unë kam pak artista miq të ngushtë, të cilët i dua shumë dhe i respektoj sepse kam patur mundësi të punoj me të gjithë. Kam miq shumë të veçantë, Nadir Murrajn, Behar Meren dhe Drilon Hoxhën, si dhe prezantuesen e mirënjohur Silvana Braçe sepse ka qenë dhe prezantuese tek disa aktivitete të miat.
Shpetim Cekrezi duke realizuar nje numer shpejtesie (Facebook)
CMG: Si vijoi më pas aktiviteti juaj si iluzionist ?
Shpëtim Çekrezi: Kur Nadir Murraj shkoi në Itali për punët e veta, mua më hyri si dëshirë ky pasion dhe kapa disa gjëra. Më vonë kam menaxhuar aktorët e njohur të humorit Rita Latin, Behar Meren, këngëtarin Altin Shira dhe artistë të tjerë dhe organizuam një turne në të gjithë Shqipërinë, ndërsa unë shkova një javë përpara për të përgatitur sallat për këto aktivitete. Unë isha në rolin e organizatorit të këtyre eventeve dhe njëkohësisht kisha dhe minutazhin tim si prestigjator.
Në vitin 2001-2002 shkova në televizionin RTK në Kosovë, ku punova me Naim Abazin tek Telebingo Kosovare dhe Royal Bingo. Edhe sot unë kam një bashkëpunim shumë të mirë me artistin Naim Abazi, i cili më fton vazhdimisht për performancat e mia artistike. Kështu që kam shumë vite që merrem me këto aktivitete. Gjithashtu kam patur rastin të shkoj dhe në SHBA me një grup këngëtarësh. Kam performuar në aktivitetet e festave të 7-8 marsit në Itali, Gjermani, Zvicër dhe kudo ku jetojnë shqiptarët në Europë. Jam i kënaqur me këtë punë që bëj, jo se ka ndonjë përfitim të madh, por jam i kënaqur sepse ndjehem mirë me atë që bëj dhe me miqtë e mi.
CMG: Cili nga numrat tuaj performues është më i vështiri për t’u realizuar dhe që pëlqehet më shumë nga publiku kur e demostron në skenë?
Shpëtim Çekrezi: Kam patur rastin në Telebingon kosovare në Prishtinë, ku Naim Abazi u habit kur më pyeti se çfarë kisha përgatitur për spektaklin. Unë isha tek dhoma e vogël e provave, ku kisha asistenten time dhe e përgatita atë për të qëndruar në ajër dhe të gjithë u habitën se si kishte mundësi që vajza të qëndronte në ajër e shtrirë horizontalisht. Mora rrethin që ne e përdorim dhe e fusja vajzën në rreth. Këtë numër e realizova në skenë, por ka qenë një numër shumë i vështirë për mua dhe është i vështirë gjithmonë kur e ekzekutoj, sepse duhen disa elementë, efekte apo kushte dhe nuk mund të realizohet në çdolloj ambienti.
Pastaj është dhe një numër tjetër me kokë pëllumbi, që këputet koka e pëllumbit, ngel pëllumbi në tavolinë, kokën e sposton gjysëm metër larg dhe pastaj i hedh një kartpicetë sipër dhe e ndez flakë dhe pëllumbi fluturon. Ky numër artistik është shumë i bukur dhe shumë real. Gjithmonë mundohem të bëj pak gjëra, por të jenë të sakta dhe të jenë tepër të bindshme për publikun.
CMG: Ke pasur raste që pas shfaqjes të të pyesin për mënyrën e realizimit të këtyre numrave artistikë?
Shpëtim Çekrezi: Para një jave isha i ftuar te programi i Naim Abazit në TV 21, dhe bëra një numër me kartpicetë, ku piva një shishe ujë dhe nxora gati 10 metra brisqe. Kurdoherë kur e bëj këtë numër dikush mendon se mos janë brisqe kauçuku. Kisha si komision këngëtaren e njohur Mihrije Braha, kur i thashë të prekte brisqet, dhe e theva një brisk astra. Mihrija u habit, duke më thënë se kjo qenka me të vërtetë një gjë e jashtëzakonshme. Këto janë aftësitë e prestigjatorit sesi e ekzekuton numrin në skenë, ku ka formulën e vet, por e rëndësishme është se në publik godasin bukur dhe janë gjëra të veçanta, që nuk i realizon dot çdo njeri. Prandaj ky lloj arti vlerësohet më tepër.
Shpetim Cekrezi gjate nje aktiviteti (Facebook)
CMG: Kur ke dhënë shfaqje jashtë shtetit, ke pasur raste të përballesh me publikun e huaj që mund të jetë mahnitur nga performancat tuaja në skenë?
Shpëtim Çekrezi: Kur kam qenë në Florida në disa aktivitete dhe performova në një aktivitet që e organizonte një i huaj, unë i kërkova që të bëja një numër artistik. Unë bëra numrin me brisqe, ku mora një asistente, dhe më pas mora një shishe birre, e laga kartpicetën dhe e futa në gojë dhe nxora brisqet. Ky numër u duartrokit aq fort dhe mahnitëshëm, saqë gjithë të pranishmit u habitën me performancën time. Mbeta shumë i befasuar nga publiku sepse më respektuan, dhe erdhën të gjithë për të bërë foto me mua. Gjithashtu edhe kur kam qenë në Zvicër në disa diskoteka të mëdha, kam patur rastin të bëj disa numra të mirë, sepse kanë qenë dhe kushtet e mira, dritat dhe efektet në skenë.
CMG: Si je ndjerë në aktivitete e përbashkëta me artistë të njohur të artit shqiptar?
Shpëtim Çekrezi: Unë kam patur rastin të punoj me të gjithë artistët e Shqipërisë, por atë larmi ose atë forcë dhe energji, buzëqeshje që jep Behar Mere unë nuk besoj se e ka ndonjë artist që e jep, sepse ai ka mimikë, plastikë, e luan rolin në mënyrë perfekte. Behar Mere ka shumë dinamikë të bukur, ka realizëm dhe performancë të bukur. Kur Behar Mere del në skenë, publiku i qyteteve të ndryshme ku ne kemi dhënë shfaqje është ngritur në këmbë nga humori i bukur, nga thjeshtësia dhe popullariteti i këndshëm që jep ai si artist.
Mendoj se Rita Lati dhe Behar Mere kanë qenë një çift që i kanë dhënë shumë artit, humorit shqiptar. Gjithashtu një mik shumë i mirë i imi është producenti dhe aktori Drilon Hoxha, që e kam takuar në Top Channel tek spektakli “Ti vlen”. Aty u njoha me një djalë të vogël që kishte dëshirë të aktivizohej dhe më respektonte. Unë e pyeta se nga është, dhe ai mu përgjigj se ishte nga Berati. Driloni në atë kohë ka qenë rreth 16 vjeç, dhe tani ai është shumë i njohur. Në atë kohë e kam marrë Drilonin në aktivitetet e mia dhe ishte djalë i mirë dhe i shkathët. Kurrë nuk më shkonte mendja se do të bëhej një aktor, regjisor dhe një producent i mirë siç është sot. Pastaj filluam të bënim një turne nëpër shkolla në Kosovë, bashkë me mikun tim nga Shkodra Xhelal Halili, ku kishim dhe dy vajza që ishin animatore dhe plotësuam një grup të mirë.
Shpetim Cekrezi me aktorin e humorit Behar Mere (Facebook)
CMG: Si janë marrëdhëniet tuaja sot me Drilonin, i cili është bërë mjaft i njohur dhe preferohet nga shumë të rinj për filmat e tij?
Shpëtim Çekrezi: Sot unë marrëdhëniet i kam shumë të mira me Drilonin dhe kam marrë pjesë dhe tek dy filmat e parë që ai ka bërë. Driloni gjithmonë më ftonte për të qenë protagonist në filmat e tij, por unë në atë kohë isha i zënë me aktivitetet e mia dhe mendoja se do të humbja kohën time. Mua më vjen mirë që ai sot është bërë një ndër aktorët e mirë dhe ka realizuar filmin e fundit dhe kam parë një reagim të qytetarëve që janë kënaqur nga filmi kur e kanë parë në kinema.
CMG: Cilat janë projektet tuaja artistike në vazhim?
Shpëtim Çekrezi: Unë kam një projekt shumë të bukur dhe po ngrej një trupë të mirë dhe të këndshme “Art Travel”. Kam një mjet të madh që e kam bërë enkas si skenë lëvizëse, e cila do të ketë brenda garderobën dhe të gjithë kushtet për spektakle. Ky mjet do të ketë dhe një skenë dy metra e gjysëm e gjerë dhe katër metra e gjatë. Mjeti të jep mundësinë për ta dhënë spektaklin ku të duash, në sheshe, shkolla dhe ambjente të tjera. Qëllimi im është të shkoj në të gjitha shkollat e Kosovës, për të dhënë aktivitete të bukura, me numra shpejtësie, numra cirku dhe animatorë.
Dëshiroj që fëmijët si në Kosovë, Shqipëri, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut të kënaqen me shfaqjet tona. Pranvera e vitit tjetër do të jetë me shumë lëvizje, me një staf tepër të kompletuar për të lëvizur në të gjitha qendrat kulturore, ku dhe në fshatrat më të largëta do mundohem të shkoj. Kënaqësia ime është që ata fëmijë të gëzojnë dhe të shohin një spektakël të bukur.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Shpëtim Çekrezi: Unë i falenderoj shumë dëgjuesit tuaj, duke ju uruar suksese në çdo hap të jetës. Faleminderit dhe për intervistën dhe gjithë të mirat.
Intervistoi: Gazmend Agaj