Foto ilustruese - foto Metropol
Vazhdimisht përsëritet ideja se një ndër dhuaratat më të mira për festë është libri dhe propozohen libra kalsike që në fakt i kanë rezistuar çdo periudhe dhe si rrjedhojë bëjnë pjesë në kolanën e artë të letërsisë. Por megjithatë, ndonjëherë harrojmë se kohët kanë ndryshuar që një fëmijë, adoleshent apo i ri, t’i shkojnë pas librit, ata duhet të gjejnë mes faqeve të tij, atë botë që atyre u intereson dhe ç’është e drejta ka ndryshuar mjaft. Sepse fëmijët apo adoleshentët e kësaj periudhe nuk janë më ata të një herë e një kohe më parë. Ndonëse libri si koncept, ngelet po ai.
E ku ka rast më të mirë që me rastin e festave të fundviti ne të prezantojmë 3 botime të reja, i pari i përket moshës së fëmijëve deri në 10-12 vjeç, ndërsa dy të tjerët adoleshencës, por që sigurisht janë po kaq interesantë edhe për prindërit e tyre. Le të shohim bashkë se cilët janë ato.
Kristali dhe interneti cudimadh - foto Metropol
“Kristali dhe interneti çudimadh” është libri i parë i autores Albana Nexhipi, të cilin publiku e njeh më shumë si përkthyese. Ajo ka zgjedhur të vijë për herë të parë në letërsi me një libër për fëmijë, e motivuar si shumë e shumë shkrimtarë të tjerë, nga dëshira për të shkruar një libër për vajzën e saj. Si një përpjekje për të hequr fëmijët nga bota e telefonit, autorja ka synuar t’i propozojë asaj leximin, por sikundër ajo ka rrëfyer në media, në librat e ndryshëm që ka aktualisht tregu i librit, gjenden plot libra për magjistarë, libra me fantazi, apo me ngjarje të çuditshme, por nuk ka aspak libra që të kenë një fabul ku të tregohet një ngjarje dhe në fund të kuptohet dhe tw nxirret një mësim moral. Autorja e librit, gazetarja dhe përkthyesja Albana Nexhipi, e ka shumë të qartë që përmes librit arrihet edukimi. Një libër të ndryshon rrjedhën e jetës, të ndryshon se si mendon e në këtë mënyrë çdo autor librit ka në duart e tij fatet e fëmijëve.
Subjekti i librit lidhet me një vajzë të vogël, që quhet Kristal, të cilën, familja për ta mbrojtur nga interneti, deri në moshën 6 vjeçare nuk ia tregon dhe ajo as që e di se interneti ekziston. Kur prindërit kishin punë, ata mbylleshin në dhomën e tyre dhe përdornin internetit, pa dijeninë e Kristalit. Këtë e bënin që vajzën evogël ta mbronin, që ajo të ishte e përfshirë në botën e humanzimit, në marrëdhënien me njëi tjetrin, në ngrohtësinë dhe dashurinë dhe jo në botën virtuale. Mirëpo, në moshën 6 vjeçare, kur shkon në shkollë i shikon të gjithë shokët me telefona dhe vajza pëson tronditje të thellë duke menduar se familja e saj mund të ishte e varfër, përderisa ajo nuk e kishte diçka të tillë. Ajo pyet të atin dhe ai i tregon një histori, të cilën ua ka lënë stërgjyshja, e cila u përket brezit të parë të njerëzve që u përplasën me internetin. Pasi Kristali e vogël lexon këtë histori, edhe vetë prindërit e saj pësojnë një katarsis, duke i vënë gishtin kokës. Vetë vajza vihet në sprovë për të zbatuar amanetin e stërgjyshes. Këtë histori lexuesit e vegjël do të jenë shumë kureshtar ta lexojnë gjatë pushimeve të festave të dhjetorit dhe ne e propozojmë si librin e vitit sa i takon autoërve shqiptarë dhe botimeve të reja për fëmijë.
Romani tjetër titullohet “Akademia për krijesat magjike e Ofelia Blumit. Ky është një libër që përfaqëson letërsinë e huaj bashkëkohore për fëmijë, që ka njohur një sukese të jashtëzakonshëm, tani edhe në Shqipëri.
Akademia per krijesat magjike e Ofelia Blum - foto Shtepia e librit Dituria
“Akademia për krijesat magjike e Ofelia Blumit”, është libri që propozojmë për fëmijët gjatë sezonit dimëror të pushimeve. Është një roman voluminoz, gati 300 faqe, ndërkohë që është përkthyer nga italishtja nga Agim Doksani. Romani ka në qendër Tean, një magjistare disleksike që mezi lexon. Por kjo është dicka e keqe për Tean, pasi asaj i duhet të lexojë formulat e ngatërruara.
Pas një aventure tjetër në klasë, që përfundon me ankesat e një shoku, Tea përjashtohet dhe, shumë e zhgënjyer, merr vesh lajmin se prindërit do ta dërgojnë në të vetmen shkollë të gatshme për ta pranuar: “Akademinë për krijesat magjike të Ofelia Blumit”, ose nw “Akademinw e nxënësve me cene”
Në këtë shkollë pranohen të gjithë nxënësit që, për arsye të ndryshme, janë përzënë nga shkolla të tjera. Por drejtoresha, me syzet e saj ekstravagante dhe pamjen e rreptë, është në gjendje të shohë aftësitë e secilit prej tyre dhe është e gatshme t’i ndihmojë t’i zhvillojnë ato. Pikërisht këtu, Tea do të gjejë shokët më të mirë që mund të kishte dashur ndonjëherë: djaloshin Noa Karter, që vuan nga paraliza cerebrale, por kur shndërrohet në një gargojl është i shkathët dhe i fuqishëm; Violën, sirenë e gjallë me flokë me ngjyrat e ylberit, e paaftë të ndiejë dhimbje; Viktorin, djaloshi ujk që ka humbur gjymtyrët e poshtme, por ka mësuar të ngrihet përballë çdo vështirësie; Tesën, zanë e bukur dhe e ëmbël me autizëm; magjistarin Morgan, i cili gjen një mënyrë për të bërë magji, megjithëse belbëzon; dhe Xhonatanin, fantazma e ndrojtur që priret të gjejë strehë në jetën e përtejme.
Bashkë me ta, Tea do të mësojë të përballet dhe të kapërcejë mundësitë e veta, veçanërisht kur ujku, një magjistar shumë i fuqishëm, kërcënon fatin e të gjithë komunitetit të krijesave magjike... Një libër motivues dhe frymëzues për mënyrën se si duhet t’i përballim sfidat që na dalin përpara në jetë. Mosha e leximit mbi 10 vjeç.
Romani është shkruar nga Elisa Binda & Mattia Perego, dy bashkëshortë me njëri- tjetrin. Të dy janë të diplomuar për gjuhë të huaja moderne dhe letërsi moderne në Itali dhe ky libër është një dritare frymëzuese për fëmijët që duan librat dhe letërsinë e vërtetë.
Fabrikanti i loteve- foto Shtepia e librit Dituria
Ndërkohë që libri i fundit nga botimet e reja për fëmijët është “Fabrikanti i lotëve”, një libër që si ta lexoni, ashtu edhe nwse e bëni dhuratë, do t’ju falenderojnë pa masw.
Kur dhimbja të djeg shpirtin, sidomos kur bëhet fjalë për shpirtin e një fëmije të braktisur në jetimore që në lindje ose i një fëmije tjetër që përfundon aty sepse ka humbur të dy prindërit, dhimbja shtrembëron çdo ndjenjë, e zmadhon çdo vuajtje që shpesh përpihet nga heshtja e detyruar, që ushtron një ndikim të frikshëm në formësimin e personalitetit dhe karakterit të jetimëve të vegjël.
Nika dhe Rigeli janë dy protagonistët kryesorë, të ndryshëm mes tyre, por e ndryshme edhe mënyra e qasjes ndaj botës dhe njerëzve.
Pikërisht në kërkimin e tyre ndaj ëndrrës dhe asaj që na ofron natyra, lexuesi ndjek personazhet në historinë e tyre. Një dhimbje e rrëfyer me kaq ndjeshmëri dhe delikatesë të pabesueshme deri në arritjen e një analize të përpiktë të rindërtimit të marrëdhënieve jashtë jetimores-burg.
Romani që ka fituar zemrat e miliona të rinjve në botë, është shkruar nga Erin Doom, është përktheyr në shqip nga Xhimi Lazri dhe Laura Baci dhe mund të lexohet nga çdo i ri mbi 14 vjec.
Neritana Kraja