Qendra Kombëtare e Makinave të Borës dhe të Slitave me Skelet Çeliku në distriktin Yanqing / foto nga Xinhua
Në mes të nëntorit, garat e Kupës së Botës të Makinave të Borës dhe të Slitave me Skelet Çeliku u zhvilluan në Qendrën Kombëtare të Makinave të Borës dhe të Slitave me Skelet Çeliku në distriktin Yanqing në periferinë veriore të Pekinit, që ishte edhe vendi i zhvillimit të garave përkatëse të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit 2022.
Këto gara tërhoqën shumë banorë të distriktit Yanqing. Zhang Yuhan, nxënës i shkollës së mesme, është njëri prej tyre. Së bashku me shokët dhe shoqet e veta të shkollës, ai pa nga afër stërvitjen e sportistëve dhe komunikoi me ta. "Kjo ishte hera e parë për mua që shihja stërvitjen e sportistëve nga shumë aftër. Në një mjedis me temperaturë aq të ulët, ata stërviteshin me gjithë shpirt, çka është për t'u admiruar shumë," vuri në dukje ai. Zhang-u shprehu shpresën gjithashtu se do të ketë më shumë raste për të njohur dhe për të shijuar nga afër sportet dimërore, në të mirë të shëndetit dhe qëndrueshmërisë së vet.
Mësohet se distrikti Yanqing do të provojë të krijojë skuadrën e të rinjve të makinave të borës dhe të slitave, që të përhapë më tej sportet dimërore.
Qysh prej nëntorit, në objektet e dikurshme të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit 2022 u zhvilluan një sërë veprimtarish ndërkombëtare të sporteve dimërore, duke nisur stinën e re të sporteve dimërore në Kinë.
Pistat në Pallatin Kombëtar të Patinazhit të Shpejtësisë "Shiriti i akullt" / foto nga Xinhua
Po në dhjetëditëshin e dytë të nëntorit, garat e fazës së Pekinit të Kupës së Botës të Patinazhit të Shpejtësisë u zhvilluan në Pallatin Kombëtar të Patinazhit të Shpejtësisë "Shiriti i akullt", pistat e akullta të të cilit quhen "akulli më i shpejtë". Qysh prej korrikut 2022, "Shiriti i akullt" u hap për publikun dhe ka pritur mbi 500 mijë vizitorë deri më sot. "Akulli më i shpejtë" është shndërruar në "akullin e publikut".
Falë olimpiadës dimërore 2022, gjithnjë e më shumë veprimtari të sporteve dimërore janë zhvilluar në Kinë. Tani kinezët mund të shijojnë lehtësisht garat e nivelit të lartë dhe njëkohësisht sportet dimërore po i afrohen më shumë jetës së banorëve të thjeshtë.
Pjesëmarrja e publikut në sportet dimërore është një nga trashëgimitë e çmuara të mbetura Kinës nga Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit.
Në sezonin e parë të dëborës pas lehtësimit të masave kontrolluese të epidemisë së COVID-19, qendrat e skive në krahinat veriore të Kinës, si Pekin, Hebei dhe Jilin, u hapën të parat. Ndërkohë, edhe në krahinat jugore janë në përgatitje aktivitetet e sporteve dimërore.
Qendra e Skive “TaiU” në distriktin Chongli të provincës Hebei, më 9 dhjetor 2023 / foto nga CFP
Në distriktin Chongli të qytetit Zhangjiakou të provincës Hebei, që është fqinj i Pekinit, u zhvilluan një pjesë garash të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit. Qysh nga mesi i nëntorit, në Chongli u futën në funksionim disa qendra skish, që çdo fundjavë kanë pritur mbi 20 mijë vizitorë nga mbarë vendi.
"Filluam punën e përgatitjes së dëborës që nga 14 nëntori dhe tani janë hapur 13 pista dëbore, si dhe parku i dëfrimit në dëborë," bëri të ditur Ren Xiaoqiang, përgjegjësi i marketingut i Qendrës së Skive "TaiU". Ai tha se sivjet në këtë qendër u përmirësuan edhe mjediset argëtuese, përfshirë spa, bar, KTV, kinema 6D etj., që të pasurohet më tej jeta e "pushimeve të bardha".
Qendra e Skive "Fulong", që ka qenë e parapëlqyer prej shumë të rinjve vitet e fundit, importoi në këtë sezon mbi 30 marka restoranti dhe ka përmirësuar shërbimet në hotel. Menaxheri i përgjithshëm i kësaj qendre Zou Zhongqiao tha: "Këtë verë, në qendrën tonë u pritën afro 700 mijë klientë dhe kjo na dha besim për biznesin në dimër."
Qendra e pushimit për ski "Uanke" në liqenin Songhua të provincës Jilin, në nëntor 2023/ foto nga Xinhua
Provinca Jilin e Kinës, që ndodhet në "brezin e artë të gjerësisë gjeografike për sportet dimërore", zhvilloi më 18 nëntor ceremoninë e nisjes së stinës së dëborës. Sipas të dhënave jo të plota, këtu janë krijuar 75 pista skish, 14 pallate për patinazh, mbi 400 pista patinazhi, si dhe afro 100 parqe dëbore për dëfrim, të cilat mund të plotësojnë kërkesat e larmishme të turistëve.
Edhe në qytetin Chongqing, në Jugperëndim të Kinës, u hap më 22 nëntor stina e 25-të e akullit dhe e dëborës në malin Jinfo. Në këtë pikë turistike, turistët jo vetëm mund të provojnë sportet dimërore, si skitë dhe motoçikletat e dëborës, por edhe do të shijojnë panoramën e bukur në malin me dëborë.
Sipas platformës së blerjes në grup në internet "Meituan", që nga fillimi i nëntorit, porositë e biletave për pistat e skive u rritën 209 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2009.
Në shumë krahina kineze po kërkohet modeli "akull e dëborë+", duke integuar sportet dimërore me produktet turistike e kulturore, si llamba akulli, bujtina, llixha, aktivitete folklorike etj., për të nxitur zhvillimin cilësor të sporteve dimërore, të industrisë kulturore dhe të sektorit përkatës të prodhimit, duke e shndërruar "burimin e të ftohtit" në "efekt të nxehtë". (Wang Lei/ Artan)