Siguria ushqimore, problem kapacitetet laboratorike për kontrolle
2023-12-20 10:00:51

Siguria ushqimore vijon të jetë një problem i prekshëm në Shqipëri për disa faktorë. Në një intervistë për mediat Ana Vuksani, eksperte për sigurinë ushqimore u shpreh se kapacitetet laboratorike janë një nga arsyet e mosverifikimeve dhe kjo bën që konsumatori të mos jetë i sigurtë shpesh për produktet që konsumon.

“Normalisht siguria ushqimore është siguri kombëtare, është konsideruar si e tillë nga qeveria dhe duket që në termin siguri kombëtare sa i rëndësishëm është ky element. Aktualisht siguria ushqimore ka problemet e veta, duke filluar që nga problemi më i madh i kapaciteteve laboratorike, për faktin që ne sot nuk jemi në gjendje që të bëjmë analiza për aditivët ose siç thuhen ndryshe ngjyruesit e konservantët që shtohen në ushqimet e përpunuara”

Analizat laboratorike të ushqimeve (Foto Lapsi.al)

Analizat laboratorike të ushqimeve (Foto Lapsi.al)

Vuksani sqaron konkretisht se ku qëndron problemi me kapacitetet laboratorike.

“Ka laborator që është ISUV, por nuk ka kapacitete për t’i kryer këto analiza dhe sot ne nuk jemi në gjendje për të thënë nëse një bukë që ne e konsiderojmë të zezë është si rezultat i miellit që përdoret, pra i grurit apo është si rezultat i ngjyruesve të shtuar. Institucionet sot nuk janë në gjendje për ta verifikuar nëse kjo është një shtesë, një ngjyrues i shtuar apo është si rezultat i grurit cilësor të përdorur. Gjithashtu ne kemi një problem tjetër për vajin e palmës që e diskutojmë çdo ditë. Problemi me vajin e palmës është se një produkt që i shtohet vaj palme nuk mund të quhet më produkt me origjinë shtazore, pra nuk mund të quhet më as djathë, as salcë kosi, as gjizë. Do të quhet produkt i përbërë, sepse në momentin që një produkt me origjinë shtazore i shtohet një produkt me origjinë bimore, siç është vaji i palmës, në këtë rast ky produkt nuk është më djathë, pra ne nuk mund të shkojmë në një supermarket dhe të blejmë një produkt të përbërë, të shënuar djathë dhe në etiketë. Në rastet kur në etiketë është shënuar që ka një përqindje të caktuar 3% apo 5% në bazë të kartës teknologjike që shoqëron produktin ne nuk jemi në gjendje, nuk kemi kapacitete laboratorike për të përcaktuar. ISUV e detekton që ky produkt ka vaj palme, por nuk është në gjendje të përcaktojë në çfarë sasie ka.”

Ekspertja flet hollësisht për rregullin e etiketimit për produktet që përmbajnë vaj palme.

Ekspertja Ana Vuksani (Foto 55 news) (1)

Ekspertja Ana Vuksani (Foto 55 news) (1)

“Ju e dini që në të gjithë Evropën, apo të gjithë botën shënohet, tek produkti shënohet nëse  ka ose nuk ka vaj palme. Ka dy kategori, në momentin që do ketë vaj palme nuk do quhet as kaçkavall as djathë. Konsumatori duhet ta dijë që nuk po ha më djathë, por një produkt të përbërë. Pra bëhet fjalë për etiketimin përveç emrit komercial”- tha ekspertja.

Mos sqarimi në etiketë, sipas ekspertes, bën që qytetarët të paguajnë për një produkt që nuk është 100% siç shitet.

“Së pari, ne nuk po blejmë produktin që po paguajmë, e dyta nuk i humbasin vlerat ushqimore por ka një shtesë tjetër, dhe nuk mund të konsumojmë një produkt që ka etiketën djathë apo salcë kosi apo gjizë. Ky do të quhet një produkt i përbërë dhe jemi koshient që ka vaj palme. Nëse produkti nuk e ka të shënuar, kompanitë duhet ta shënojnë produkt i përbërë. Ne nuk jemi në gjendje të kuptojmë se realisht kjo etiketë që na ofrohet me gjithë se na është thënë se është produkt i përbërë apo ka vaj palme ne nuk jemi në gjendje për ta kategorizuar përqindjen  e saktë. Detektojmë se ka vaj palme por se dimë sa. Nuk ka asnjë laborator në Shqipëri që të kryejë analizat përkatëse dhe janë kryer në Maqedoninë e Veriut.”, u shpreh ajo.

Siguria ushqimore (Foto Klikoje) (1)

Siguria ushqimore (Foto Klikoje) (1)

Mungesa e laboratorëve të specializuar për të nxjerrë disa tregues bën që analizat të kryhen në vendet fqinje por kjo ka kosto shtesë.

“Patjetër sepse nuk janë vetëm analizat që shkojnë në atë laborator, por  ne duhet ta dimë që produktet me origjinë shtazore kanë rregulla specifike të mënyrës që dërgohen, kushteve të ruajtjes, ndërsa kostoja e transportit i shtohet analizës. Për ngjyruesit dhe konservantët, në përgjithësi aditivët, në Shqipëri nuk kryhen analiza  dhe ky është një problem që ka siguria ushqimore sot”, ka theksuar në intervistën për mediet Ana Vuksani, eksperte për sigurinë ushqimore.

Treg fruta-perimesh(Foto Gazeta Dita)

Treg fruta-perimesh(Foto Gazeta Dita)