Foto nga koncerti Kur më shko sokakut (Foto nga facebook)
Këtë fundvit janë mbajtur mjaft veprimtari në qytetin e Korçës dhe së fundi koncerti “Kur më shkon sokakut”, nën kujdesin e kompozitorit Josif Minga. Koncerti u hap me interpretime me mandolina, të cilat u ktheyen në skenë pas 36 vitesh. Sipas kompozitorit Minga “Janë disa këngë të cilat duhet të shpluhurosen, që vijnë nga memoria artistike e viteve të mëparshme. Këto këngë kanë përcjellë emocione në kohën e tyre, por tashmë është e këshillueshme që t’ia tregojmë brezit të ri. Kemi të drejtë të krenohemi me zëra të mirë, që vërtetë të emocionojnë”. “Kur më shkon sokakut”, ka mbledhur artistë të njohur të këtij qyteti, por edhe artistë të rinj në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi”. Në koncert u interpretuan dhe materiale muzikore të viteve ’30-’40 të orkestruara nga mjeshtri Minga.
Publiku mirëpriti këngët qytetare, të punuara me mjeshtëri nga kompozitori Josif Minga. Serenatat dhe këngët qytetare korçare i kanë rezistuar kohërave, duke u interpretuar të skena ku ka shqiptarë, ndërsa interpretohen sot nga artistët më të mirë të skenës. Të ftuar për të interpretuar këto këngë të bukura ishin këngëtarët korçarë Bledi Polena, Olsa Pema, Stelio Tollkuçi, si dhe kori. I ftuar special i koncertit ishte dhe këngëtari nga Gjakova Artan Bakija. Në intervistë për Radio Ejani dhe CMG ai na tregon më tepër për këtë koncert.
CMG: Ishe pjesë e koncertit "Kur më shkon sokakut" mbajtur në qytetin e Korçës. Le të flasim për këtë koncert dhe këngët që interpretove?
Artan Bakija: Të shtunën që shkoi isha pjesë e një koncerti gjiganz, i konceptuar me veprat e kompozitorit dhe artistit të madh Jusif Minga, mbajtur në teatrin “Andon Zako Çajupi” në Korçë. Vitin e kaluar kam qenë në qytetin e Korçës me rastin e 150-të vjetorit të lindjes së poetit të madh Asdrenit, koncert i cili gjithashtu u organizua nga i nderuari Josif Minga, që më premtoi se në koncertin e tij artistik recital që do të më ftonte të këndoja disa këngë. Mirëpo asnjëherë nuk e kam menduar një sfidë te tillë, të këndoj dy këngë tipike korçare të atij niveli. Kënga e parë ishte “Këngë e Kapedanit”, një këngë me ritme, formë dhe modalitet shumë burrëror dhe kënga e dytë, “O bo bo ky gjumë i rëndë”, me ritme shumë modikë dhe me motive dashurie.
Në foto Afrim Ajdari, Josif Minga dhe Artan Bakija (Foto nga facebook)
CMG: Cilat janë përshtypjet e tua rreth koncertit? Si t’u duk ndërthurja me artistët e rinj?
Artan Bakija: Padyshim që janë përshtypjet më të mira, duke pasur parasysh qytetin e Korçës dhe traditën e korçarëve, ndjesinë që korçarët kanë për artin, e veçanërisht për muzikën, ndaj u ndjeva shumë mirë. Ajo çfarë më bëri përshtypje ishte influenca dhe ndikimi i profesor Josifit tek gjeneratat e reja. Dëgjuam disa zëra fantastikë, disa përpunime të nivelit të Broduejit, të kënduara me mjeshtëri nga zërat që ishin prezent aty. Sinqerisht që kam mbetur i mahnitur me kapacitetin e tyre interpretues dhe artistik.
CMG: Në një prononcim për mediat, më bëri përshtypje fraza juaj; "Nëse ju humbet ndonjë këngë korçare, hajdeni se e gjeni në Gjakovë"...
Artan Bakija: Nuk është hera e parë që e them një gjë të tillë, pasi Gjakova është në të vërtetë një Shqipëri e vogël, si nga ndërthurja e komunitetit që është në Gjakovë, pasi është një komunitet i përbërë nga fise të ndryshme që kanë ardhur nga rajone të ndryshme, e kanë mbetur në Gjakovë. Sa i përket nivelit artistik, e asaj që kam thënë: “Nëse ju humbet ndonjë këngë, hajdeni në Gjakovë”, e kam shprehur për shkak se i kemi të ruajtura. Kjo është një e vërtetë tashmë e dokumentuar, pasi gjakovarët mbesin fanatikë e ndjekës të jashtëzakonshëm të muzikës shqiptare. Pa marrë parasysh trevën se nga vjen ajo këngë, shumë thjeshtë po e rithem, për të gjithë ata që po e ndjekin këtë intervistë: Po deshët ndonjë këngë, atëherë lajmërojuni në Gjakovë, pasi ne do t’ua risjellim. I kemi të paketuara e të ruajtura shumë mirë në ambjentin më muzikëdashës që ka shqiptarija, që padiskutim është Gjakova.
CMG: Faleminderit dhe suksese në vazhdim!
Artan Bakija: Faleminderit që përcillni aktivitetet e mia artistike dhe më jepni mundësinë që përmes valëve tuaja të Radio Ejani, të përcjell të gjitha emocionet e mia, apo ato aktivitete që po zhvilloj kohët e fundit.
Josif Minga “Mjeshtër i Madh”, e nisi karrierën artistike në moshën 19-vjeçare, kur preku për herë të parë skenën e festivalit e Festivalit të 11-të të Këngës, madje ka qenë i pari që e hapi mbrëmjen konkuruese. Ai u cilësua si krijuesi më i ri me këngën “Sonte u takoj të gjithëve”, e kënduar nga Zija Saraci. Në Festivalin e 12-të të Këngës, materiali muzikor i krijuar nga Minga u këndua nga Vaçe Zela dhe Alida Hisku. Kompozitori ka pasur fatin që këngët e tij të interpretoheshin nga artistët më të njohur shqiptarë, ndër to edhe Afërdita Zonja, Lindita Theodhori, Eli Fara, Vëllezërit Prifti, etj. Këta të fundit për herë të parë janë ngjitur në skenën e festivalit me një këngë të Josif Mingës.
Për kompozitorin Minga, kontaktet e tij të para me muzikën ishin nëpërmjet instrumentit të fizarmonikës dhe më pas me krijimtarinë muzikore. Në vitin 1976 ai mbaroi Institutin e Lartë të Arteve në degët teori dhe kompozicion me profesor Çesk Zadeja, duke vijuar punën si pedagog dhe kompozitor i lirë. Ai ka realizuar shumë vepra muzikore gjatë karrierës së tij të gjatë artistike. Ka përpunuar rreth 120 këngë qytetare dhe popullore shqiptare. Për aktivitetin dhe kontributin e tij është vlerësuar me çmime dhe medalje të ndryshme.
Intervistoi: Sava Lena