Unaza e Madhe e Tiranës, investim i rëndësishëm për ekonominë e vendit
2023-12-19 09:32:51

Më 12 dhjetor 2023, ZvKryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, vizitoi kantierin e punimeve të Unazës së Madhe të Tiranës. Unaza e Madhe e kryeqytetit përbën një segment rrugor të gjerë dhe me standarde, mbi 28 kilometra të gjatë. Ky segment do të lehtësojë ndjeshëm trafikun për të hyrë dhe për të dalë nga Tirana, si dhe do të lidhë kryeqytetin me të gjitha rrugët dalëse kombëtare. Llogaritet se hyrja dhe dalja nga Tirana për çdo qytetar, lehtësohet me një të tretën e kohës që deri tani, për shkak të mungesës së kësaj vepre, qytetari ishte i detyruar të harxhonte me makinën e tij, për të hyrë dhe për të dalë nga Tirana në drejtime të ndryshme.

Ndërtimi i Unazës lehtëson trafikun dhe shkurton distancat, sidomos për mjetet që kalojnë tranzit në Tiranë, apo lëvizin nga periferia jashtë Tiranës. Kjo unazë do të bëjë të mundur një shpërndarje të trafikut dhe do të krijojë mundësi të reja hyrjeje për në Tiranë.

Ministrja Belinda Balluku gjatë inspektimit të punimeve (Foto ATSH)

Ministrja Belinda Balluku gjatë inspektimit të punimeve (Foto ATSH)

Unaza e Madhe e Tiranës përfaqëson një vepër madhore infrastrukturore të vendit, me vlerë  373 milionë euro. Ajo i ofron shërbim infrastrukturor jo vetëm kryeqytetit, por të gjitha autostradave kryesore të vendit, që janë të lidhura me të, si ajo Durrësit që shkon drejt jugut apo e Elbasanit, që shkon drejt juglindjes. Të gjitha arteriet kryesore rrugore të vendit, ku qarkullon më shumë se 80 përqind e tregtisë dhe biznesit të Shqipërisë, lidhen me Unazën e Madhe të Tiranës.

Ky projekt ka dhe një veçanti tjetër. Krahas fondeve të Buxhetit të Shtetit të Shqipërisë, Unaza e Madhe e Tiranës, ajo që ndryshe thirret edhe si “By-Pass-i i Tiranës”, po ndërtohet edhe me kontributin e fondeve të Axhendës së Konektivitetit të Procesit të Berlinit.

Me fjalë të tjera, Bashkimi Evropian ka konsideruar që kjo vepër ka rëndësi rajonale, edhe për vendet rreth Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor, krahas ndihmës për ekonominë e Shqipërisë.

Pamje nga projekti i Unazës së Madhe të Tiranës (Foto Revista Monitor)

Pamje nga projekti i Unazës së Madhe të Tiranës (Foto Revista Monitor)

Qeveria shqiptare ka ecur mirë në përthithjen e fondeve për vepra infrastrukturore, në kuadër të Procesit të Berlinit dhe planit të tij kryesor të investimeve, që është Axhenda e Konektivitetit. Nga rreth 7 përqind të totalit të fondeve të angazhuara nga kjo Axhendë deri në vitin 2018, pjesa e Shqipërisë në financimet e infrastrukturës rajonale është rritur në 13 përqind, ose 44 përqind më shumë se pesë vite më parë. 

Veprat e artit të Unazës së Madhe të Tiranës, pra veprat kryesore inxhinerike, urat, rrugët dytësore, etj., janë drejt përfundimit. Të gjitha kilometrat e shtruara të japin të kuptosh se kjo vepër po shkon drejt kompletimit të saj.

Sipas ZvKryeministres Balluku, që të gjithë kantierët ku ende punohet, po ecin me ritme të kënaqshëm. Qeveria është kujdesur për strehimin e banorëve, në shtëpitë e të cilëve kalon rruga, për të gjithë periudhën e akomodimit të tyre, përmes bonusit të qirasë, si dhe për legalizimin e shtëpive, për të pasur mundësi që banorët e prekur ta marrin të plotë vlerën e shpronësimit.

Projekti i Unazës së Madhe të Tiranës (Foto Revista Monitor)

Projekti i Unazës së Madhe të Tiranës (Foto Revista Monitor)

”Bëhet fjalë për Unazën e Madhe. Këtu ndodhemi në pjesën Verilindore të Unazës. Është pjesa që ka ecur më shumë. Këtu kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer, pavarësisht se këtu ishin 133 njësi, apartamente, njësi tregtare, etj., të cilat duhej të spostoheshin, për t’u krijuar shtrati i rrugës.

Njerëzit janë sistemuar me bonus qeraje. Është premtuar edhe akomodimi i tyre në të ardhmen dhe është një shembull për t’u ndjekur. Këtu ndodhemi në lotin e dytë të Unazës së Madhe dhe jemi pothuajse në fazat finale.”

Gjatë inspektimit të kësaj vepre infrastrukturore Zvkryeministrja Balluku theksoi:

“Në projektet e mëparshme të trashëguara kemi patur një problematikë shumë të madhe, që ka të bëjë me izolimin e zonave, apo që banorëve të komuniteteve iu duhet të ecin shumë gjatë, për të arritur në shtëpitë e tyre. Në këtë rast këtu, ne i kemi marrë masat që nga fillimi dhe poshtë kësaj nyjeje është pjesa ku do të bëhet lidhja e të gjitha rrugëve dytësore.

Të gjitha këto vepra, pavarësisht se kjo është një rrugë e Kategorisë A, me një gjerësi 28 metra, kanë një të përbashkët. Pavarësisht se ka karakteristikat e një autostrade, kjo rrugë nuk është trajtuar si një autostradë, por si një rrugë urbane, ku gjelbërimi, ndriçmi dhe akseset për kalimtarët janë të siguruara. Nga ana tjetër, do të kemi dhe një mbikalim për këmbësorët.”

Ajo u ndal në mënyrë të veçantë në dobinë që do të sjellë Unaza e Madhe për qytetarët, sepse do të lehtësojë përdorimin nga ana e tyre e këtij segmenti të rëndësishëm rrugor.

“Të gjitha këto janë elementë urbanë për të facilituar të gjitha zonat e banuara. Kjo, pasi, edhe pse me të vërtetë këto janë rrugë shpejtësie të lartë, që do të krijojnë lidhjet me të gjitha autostradat e vendit, nga të gjitha drejtimet, që vijnë për t’u futur në kryeqytet, nga ana tjetër, këto janë rrugë brenda zonave të banuara. Nuk ka sesi këto rrugë të jenë të bllokuara, pa aksese për kalimtarët, pa gjelbërim dhe pa ndriçimet e duhura.

Këto janë projekte, të cilat, që në gjenezë të tyre, në bashkëpunim me Bashkitë e Tiranës dhe të Kamzës, ne i kemi të gjitha kërkesat, për të qenë rrugë me elementë lehtësues për të gjithë banorët e zonave përreth”.

Numri dy i qeverisë, Balluku foli dhe për rehabilitimin e lumit të Tiranës

Punimet në Unazën e Madhe të Tiranës (Foto ATSH)

Punimet në Unazën e Madhe të Tiranës (Foto ATSH)

“Rehabilitimi i pjesës së lumit është shumë i rëndësishëm. E kemi folur edhe me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, që tashmë, lumi ka dalë në pah. Dikur ai ishte i mbuluar nga plehrat dhe nga bimësia. Me ndërtimin e Unazës së Madhe, ky lumë ka dalë në pah dhe mund të kthehet në një atraksion.Pra, me nje shëtitore që do ta ndjekë, me një rrugë biçikletash.

Duke bashkëpunuar me të dyja bashkitë, unë jam e sigurtë se lumi do të kthehet në një atraksion, por edhe banorëve të zonës apo vizitorëve ai mund t’u shërbejë për mbasditen, apo herët në mëngjes për të vrapuar dhe gjithshka tjetër”, vuri në dukje Balluku.

Unaza e Madhe e Tiranës është drejt përfundimit të saj. Në të gjitha zonat ku kalon, ky segment rrugor gjallëron jetën e komuniteteve dhe rrit me një mesatare dy deri trefish vlerën e pronave dhe të investimeve të banorëve të komuniteteve.  Kjo vepër parashikohet të ndihmojë edhe zhvillimin ekonomik të të gjithë zonës së Tiranës dhe të rrethinave të saj, si dhe të ekonomisë së Shqipërisë në tërësi.

Fatos Çoçoli