Automjeti i ri elektrik i "Wolkswagen"-it në Ekspozitën Ndërkombëtare të Importit në Shangai / foto nga CFP
“Qysh prej Reformës dhe Hapjes të Kinës, ‘Volkswagen’-i ka qenë përherë një anëtar i rëndësishëm i industrisë së automjeteve të Kinës dhe, në të ardhmen, duke shfrytëzuar forcën novatore vendëse, do t’u përgjigjemi më aktivisht kërkesave të konsumatorëve kinezë,” i tha Grupit Mediatik të Kinës (CMG) të hënën Ralf Brandstaetter, kryetari i bordit dhe kryeekzekutivi i grupit “Volkswagen” (Kinë).
Sivjet është 45-vjetori i Reformës dhe Hapjes, politika që jo vetëm ka ndryshuar thellësisht pamjen e Kinës, por edhe i ka dhënë botës mundësitë e përfitimeve të përbashkëta. Veçanërisht gjatë 10 vjetëve të fundit, Kina ka zbatuar një strategji më aktive të hapjes dhe, për rrjedhojë, shumë kompani shumëkombëshe, si “Volkswagen”, kanë përfituar mjaft, komenton CMG.
Gjatë këtyre 10 vjetëve, Kina ka krijuar 22 zona të tregtisë së lirë, ka përshpejtuar ndërtimin e portit të tregtisë së lirë në Hainan, ka zvogëluar pandërprerë listën negative për hyrjen e investimeve të huaja në tregun kinez, ka publikuar “Ligjin e investimeve të huaja” dhe ka ndërtuar bashkërisht e në mënyrë cilësore “Një brez, një rrugë”. Gjatë 10 vjetëve, Kina u nis nga hapja josistemore në mallra dhe faktorë prodhimi në hapjen institucionale në rregulla, administrim e standarde.
Zona e tregtisë së lirë në Shangai / foto nga CFP
"Atëherë, sa e rëndësishme është hapja e nivelit të lartë e Kinës për botën?" pyet CMG-ja në komentin e vet.
Në radhë të parë, ekonomia e hapur e Kinës ka dhënë kontribut për ekonominë botërore. Gjatë 10 vjetëve të kaluar, pesha specifike e vëllimit të përgjithshëm të ekonomisë kineze kundrejt ekonomisë botërore u ngrit nga 12.3 për qind në mbi 18 për qind dhe kontributi mesatar për rritjen e ekonomisë botërore i kaloi 30 për qind në vit. Kina është bërë partnerja tregtare kryesore për mbi 140 vende e rajone të ndryshme. Sipas parashikimit të FMN-së, edhe këtë vit kontributi i ekonomisë kineze në rritjen e ekonomisë botërore do ta kalojë përsëri 30 për qind.
Së dyti, shumëkombëshet kanë përfituar pjesën e tyre nga rritja e ekonomisë kineze dhe kanë gëzuar një hapësirë të gjerë zhvillimi në Kinë. Gjatë 10 vjetëve të fundit, përqindja e investimeve të huaja të thithura nga Kina kundrejt shumës së përgjithshme të investimeve në mbarë botën u ngrit nga 8.2 për qind në 11.4 për qind. Sivjet, shumë ndërmarrje të huaja, si BASF, “Schneider Electric“, “Danfoss” etj., shtuan investimet në Kinë. Sipas një sondazhi në tremujorin e tretë të këtij viti nga Shoqata e Nxitjes së Tregtisë e Kinës, afro 90 për qind e ndërmarrjeve me investime të huaja të pyetura parashikojnë ruajtjen e nivelit ekzistues të fitimit ose një fitim më të lartë në pesë vjetët e ardhshëm. Zj. Wang Na, mbikëqyrësja e tregut e degës së kompanisë së Singaporit “Dole" në Kinë i tha CMG-së që është shumë optimiste për tregun kinez dhe ka ndier thellësisht se kërkesat e konsumatorëve kinezë për fruta cilësore i kanë krijuar kësaj kompanie më shumë mundësi zhvillimi.
Fabrika e prodhimit të qëlizave fotovoltaike në qytetin Dongying të provincës Shangdong të Kinës Lindore / foto nga CFP
Hapja e Kinës ka drejtuar edhe rrymën e gjelbërimit dhe të digjitalizimit. Sivjet, tre “produktet e reja” - automjetet elektrike, bateritë e litiumit dhe qelizat fotovoltaike - janë bërë mallrat e mirëpritura kineze për eksport.
Në vitin 2022, ekonomia digjitale e Kinës zuri 41.5 për qind të PBB-së së vendit, duke u renditur në vendin e dytë në botë. Teknologjitë digjitale kineze u kanë sjellë të mira edhe vendeve të tjera, si spitali inteligjent në Azinë Juglindore, sistemi inteligjent i administrimit digjital të logjistikës në Nigeri, sistemi i mbrojtjes së mjedisit ekologjik të pyllit tropikal me teknologji digjitale në Brazil e në Ekuador etj.
Më e rëndësishmja është që ndjekja me vendosmëri prej Kinës e konceptit të hapjes dhe përpjekjet e saj për ndërtimin e një ekonomie të hapur botërore i kanë sjellë një pamje të re sistemit të qeverisjes globale. Gjatë 10 vjetëve, Kina ka paraqitur nismën “Një brez, një rrugë”, Nismën e Zhvillimit Global, Nismën e Sigurisë Globale dhe Nismën e Qytetërimit Global, ka zhvilluar një sërë ekspozitash ndërkombëtare, si Ekspozita Ndërkombëtare e Importit, Ekspozita Ndërkombëtare për Tregtinë në Shërbime etj., dhe ka nënshkruar ose ka nxitur një sërë marrëveshjesh, si RCEP, CPTPP, DEPA etj.
Duke marrë si shembull ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë”, në komentin e CMG-së vihet në dukje se, gjatë 10 vjetëve të fundit, kjo nismë ka nxitur afro një trilion dollarë amerikanë investime, ka krijuar 420 mijë vende pune për vendet pjesëmarrëse, si edhe ka shkëputur nga varfëria afro 40 milionë banorë. (Wang Lei/ Artan)