Xhevat Limani, mjeshtër i interpretimit në artin skenik
2023-12-18 10:15:39

Aktori dhe regjisori i njohur Xhevat Limani është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Prishtinë  dhe mbi 30 vite punoi në teatrin shqiptar në Shkup. Ka luajtur në rreth 100 premiera teatrore dhe ka prezentuar artin shqiptar nëpër botë, ku është pritur me ovacione nga publiku dhe me vlerësime kulminante nga kritika teatrore. Si regjisor ka realizuar mbi 30 vepra. Është vlerësuar me shumë medalje kombëtare dhe ndërkombëare si aktor dhe regjisor, për kontributin e tij të vyer në artin shqiptar. Ai ka realizuar kryepoemën kombëtare “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” si autor i tekstit, regjisor dhe aktor, të cilën e ka shfaqur në shumë vende të botës.

Xhevat Limani ka dhënë shfaqje në mbi 130 shtete të botës, duke u mirëpritur nga publiku i huaj për mjeshtërinë artistike në interpretimet e tij. Edhe  publiku kinez ka mirëpritur artistin shqiptar. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për rrugëtimin e tij artistik, por dhe për botimet që ka sjellë në fushën e letërsisë.  

CMG: Një jetë e mbushur me qindra role në teatër në skena kombëtare dhe ndërkombëtare. Si ndjeheni për arritjet tuaja?

Xhevat Limani: Unë jam artist shqiptar  dhe në gjithë betejat e mia mundohem të jem vetvetja dhe nëse e arrij këtë atëhere e kam arritur qëllimin dhe misionin tim. Unë në botë vlej si artist shqiptar, pa marrë parësysh se në cilën gjuhë luaj apo në cilat projekte, por në gjenetikën e AND-së të aktrimit unë prezantoj shpirtin e protagonistit shqiptar.

CMG: Në sa vende të botës keni luajtur teatër dhe si jeni pritur nga publiku i huaj?

Xhevat Limani: Unë kam luajtur teatër në më shumë se 130 vende të botës. Vetëm projektin e fundit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” e kam luajtur në mbi 100 vende të botës. Kam qenë nëpër festivale në të gjithë Europën, Azinë dhe SHBA-në, por ajo që më ka lënë më shumë përshtypje është shfaqja e Gjergj Kastrioti Skënderbeut tek arbëreshët në Kalabri dhe Siçili, të cilëve unë iu fala 10 shfaqje gratis. Gjithashtu jam themelues i teatrit shqiptar në SHBA dhe Skënderbeun e kam shfaqjen që e luaj 10 vjet pa ndalur nëpër botë, madje tani kam akoma një turne në Brazil ku do të luaj pesë shfaqje, në Argjentinë tre shfaqje, si dhe në Australi jam në marrëveshje për dy shfaqje të tjera. Pastaj kam dhe një shfaqje që do ta luaj në Islandë.

Unë shkoj ku kam ftesa dhe nuk mërzitem shumë se kush do të mbulojë shpenzimet. Teatri im apo teatri me të cilën unë merrem e paguan vetveten. Unë kam shumë public  dhe kur shoh që ankohen aktorët në kuptimin se nuk merr vesh publiku apo nuk ka shije publiku, unë mendoj se nuk ka publik që nuk kupton teatër, por ka vetëm aktorë që nuk dinë të luajnë teatër. Aktorët e mirëfilltë po të dinë të luajnë teatër, e sjellin publikun në teatër. Dua të sjell një shembull karakteristik, ku dikush më tha përpara se të shkoja në një koncert në Librazhd se ku po shkoja, sepse në Librazhd nuk ka teatër dhe njerëz. Unë i thashë se shkoj si artist dhe publiku do më njohë kur të ngjitem në skenë.

Artisti është vetëm në skenë  dhe kur del në rrugë artisti është personalitet privat. Kështu që për atë publik të Librazhdit që njerëzit më thonin mos të shkoja, më duartrokiti dhe më priti mirë. Kjo është kënaqësia ime, dhe kjo është shenjë verifikimi që unë jam mirë me veten, me mjeshtërinë e aktorit, me imagjinatën time dhe bindjet e mia. Teatri për mua është vetëm një bindje, është filozofia e jetës, dhe ai që arrin që këtë filozofi ta bëjë pjesë të vetvetes, ai noton mirë.

Xhevat Limani ne rolin e Skenderbeut (Facebook)

CMG: Jetoni prej shumë vitesh në SHBA. Keni mall për të dhënë shfaqje për publikun shqiptar?

Xhevat Limani: Kthehem me shumë mall dhe kam shkruar dhe një roman të titulluar “Artisti pa atdhe”. Unë gëzohem shumë kur vij dhe luaj para publikut tim, ku në çdo rikthim kam një pikëllim të madh sepse dua shpesh herë të vizitoj të gjithë shokët, por shoh që një pjesë e madhe e miqve kanë ndërruar jetë dhe kjo më dëshpëron shumë. Megjithatë unë artin tim ia dedikoj miqëve të mi, sepse arti ka një mision ku njeriu duhet ta ruajë fisnikërinë e shpirtit. Unë mundohem që t’i nderoj  dhe nëse nuk pata mundësi t’i nderoja aq shumë sa ishin gjallë, t’i nderoj pas vdekjes. Kjo është detyrë e një artisti të mirëfilltë. Artisti duhet në radhë të parë të jetë njeri i mire, duhet ta dojë popullin e vet me të gjitha gabimet e veta. Mendoj se nuk është artist shqiptar ai që nuk i shërben popullit të vet.

CMG: Ruani kujtime me aktorë të njohur të teatrit dhe kinematografisë shqiptare?

Xhevat Limani: Kam kujtime shumë të bukura, kam pasur shumë miq aktorë dhe artistë të mëdhenj, nga të cilët kam mësuar shumë. Dija është pa kufi, dhe për fat të keq personazhet si Naim Frashëri, Ndrek Luca, Kadri Roshi, Sandër Prosi, Robert Ndrenika e të tjerë nëse do të kishin jetuar jashtë Shqipërisë do të ishin më përpara aktorëve amerikanë.

CMG: Jeni vlerësuar me mjaft çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, ku keni marrë dhe medaljen “Urdhëri i Kalorësi të Skënderbeut” nga Presidenti i Shqipërisë. Si ndjeheni  me vlerësimet e marra për kontributin tuaj në artin skenik?

Xhevat Limani: Kam mbi qindra çmime, kam fituar në shumë festivale, dhe nuk jam modest sepse kam merituar më tepër. Kur Presidenti i Shqipërisë Z.Ilir Meta më dha “Urdhërin e Kalorësit të Skënderbeut”, që e meritoj se nuk dua të jem modest, sepse modestia është një varfëri shpirtërore. Unë ju drejtova Presidentit, duke i thënë Presidenti im, sepse unë për herë të parë vlerësohesha nga një president që ishte i gjakut tim, që ishte dhe atdhetar, njerëzor dhe kombëtar. Unë jam artist shqiptar dhe e dua popullin tim sepse është populli im.

CMG: Përveç angazhimit tuaj disavjeçar si aktor dhe interpretues, keni shkruar dhe disa libra. Flasim për botimet tuaja të tanishme, dhe nëse keni akoma ide për botime të tjera. 

Xhevat Limani: Unë mundohem që në kohën e lirë të shkruaj libra për të lënë gjurmë dhe për të dëshmuar, ku gjithë librat kanë një motiv konkret. Të gjitha gjërat i bëj vetëm për të dëshmuar, ku momentalisht kam botuar 14 libra. Gjithashtu kam dhe 7 libra gati për botim, por kam shumë ide dhe tema për të arritur te 50 libra sepse kam gjëra me shumë interes. Unë jam në fazën e rilindjes së krijimit imagjinativ, sepse jam në gjendje çdo detaj të rinisë time ta risjell, dhe të risjellësh gjërat që duken si të humbura është invencioni i krijuesit. Mendoj se trurin tonë duhet ta vëmë në shërbim të popullit tonë, pastaj dhe të vlerave civilizuese sepse vetëm atëhere e kemi kryer misionin.

Xhevat Limani duke interpretuar ne skene (facebook)

CMG: Keni qenë dhe në Kinë me shfaqje për të interpretuar për publikun kinez?

Xhevat Limani: Kam dhënë në Murin e Madh Kinez  shfaqjen “Hëna mbi mur”. Në  Kinë shkova me këshillat e mikut tim Prof.Dr. Agron Fico, i cili ka ndërruar jetë para pak vitesh. Ne u takuam në SHBA, sepse ai formoi katedrën e gjuhës shqipe në Detroit dhe Nju Jork. Kishte formuar katedrën e gjuhës shqipe në Kinë, ku mbante dhe radion, që sot të gjithë ato gazetarë të Radios së Jashtme të Kinës flasin shqip të mësuar nga Profesor Agron Fico. Unë kam shumë respekt për Kinën, për popullin kinez, për kulturën e madhe, për atë enciklopedi apo galvanizëm të madh receta ushqimesh dhe veshjesh.

CMG: Si e priti publiku kinez shfaqjen tuaj në Kinë?

Xhevat Limani: Na priti shumë bukur, ku shfaqja ka qenë e përkthyer dhe është një përjetim i rrallë, sepse janë kultura të veçanta. Gjithashtu kam dhënë shfaqje dhe në Japoni, dhe këto janë përvoja të ndryshme. Të gjitha këto përvoja artisti i mirë duhet të dijë se çfarë të marrë dhe çfarë të vejë në shërbim të popullit të vet dhe kulturës së vet. Kjo është ajo që quhet eksperiencë ndërkombëtare.

CMG: Cili do të ishte mesazhi juaj për aktorët e rinj?

Xhevat Limani: Aktorët e rinj duhet ditë dhe natë të bëjnë prova, duhet të pranojnë me vetëdije rolin e sakrificës, mos të rrinë në rrjetet sociale dhe në kafene, se asnjë artist nuk është bërë në Facebook apo kafene. Nuk ka nevojë të konsumohen  rrugëve, por duhet të vdesin në skenë sepse artist është vetëm ai që di të vdesë në skenë.

CMG: Faleminderit për intervistën dhe ju uroj suksese gjithmonë.

Xhevat Limani: Faleminderit shumë. Uroj së pari të ketë shëndet populli im, që është Zoti im të cilit unë i falem.

Intervistoi: Gazmend Agaj