Filmat më të mirë komikë për festat e dhjetorit
2023-12-18 10:03:55

Familja Kuq e Zi - foto nga Anabel

Në kohën e festave të dhjetorit, shpesh është traditë të shijoni disa komedi shqiptare për të përmirësuar atmosferën festive. Disa nga komeditet tradicionale më të mira shqiptare që mund të shikoni në këtë periudhë janë:

Kapedani (1972)

Me regji nga Muharrem Fejzo dhe Fehmi Hoshafi filmi mund të konsiderohet fare mirë si komedia më e dashur shqiptare. Në Shqipërinë e viteve ’70, një hero i Luftës së Dytë Botërore kthehet në shtëpinë e tij në fshat dhe has probleme me revolucionin kulturor dhe të drejtat e grave dhe të burrave. Në një kontrast brilant mes të resë dhe të vjetrës, që e ka bërë publikun të dashurohet pas tij.  

Zonja nga qyteti (1976)

Me regji nga Pirro Milkani, kjo komedi, ndër më të dashurat e komedisë shqiptare, flet për një zonjë qyteti dhe të bijën që shpërngulen nga qyteti për të jetuar në fshat. E bija e Teto Ollgës, zonjës nga qyteti, bie në dashuri me një djalë nga fshati. Ndërkohë, Ollga s’lë gurë pa lëvizur që të bijën ta martojë me dikë nga qyteti. Një histori e vjetër sa kohë, një komedi që të bën për të qeshur çdo herë që e sheh.

Përrallë nga e kaluara (1987)

Ky film vjen me regjinë e Dhimitër Anagnostit. Për të plotësuar dëshirat dhe nevojat e prindërve, Gjino 14-vjeçar martohet me mblesëri me Marigonë 20-vjeçare. Gjino bindet, se është fëmijë, ndërsa Marigoja që dashuron një tjetër, përpiqet me lloj lloj mënyrash për t’u larguar. Filmi eksploron rolin e gruas në shoqëri, shfrytëzimin dhe emancipimin e saj. Hajrie Rondo, Robert Ndrenika dhe Elvira Diamanti janë të shkëlqyer në rolet e tyre.

Dy herë mat (1986)

Me regji të Bujar Kapexhiu, vjen një tjetër komedi e mrekullueshme. Kapexhiu në këtë film ka jo vetëm rolin e regjisorit por edhe rë aktorit keyesor. Ilo Pinci, specialist i midhjes dhe peshkut, njëherazi shahist i njohur, ftohet në një qytet bregdetar për një konkurs shahu. Në të vërtetë, Ilo është më i interesuar për kultivimin e midhjeve dhe i futet konkursit pa teklif, me idenë se do t’i mundë të gjithë pa problem. Rudina e vogël i vërteton të kundërtën.

Komedite e festave - foto ilustruese - revista Class

Tela për violinë (1987)

Një tjetër komedi e Bujar Kapexhiut, i cili me sa kuptohet e ka komedinë një zhanër të preferuar. Andon Ledhi është një i ri që po studion për violinë, për t’u pranuar në konkursin e Akademisë së Arteve të Bukura. Mirëpo, babai i tij mendon se i biri s’mund ta fitojë konkursin dhe për këtë arsye fut miq kudo për Andonin. Kryetari i komisionit, Muço, nuk mund të gjykojë me mendje të kthjellët nga kjo situatë e Andonit dhe e shfryn të gjithë zemërimin tek violinist.

Çifti i lumtur (1975)

Me regji nga Piro Milkani vjen historia e dy të rinjve që vijnë nga besime të ndryshme fetare dhe vendosin të martohen me njëri-tjetrin. Kur këtë ua bëjnë të ditur prindërve, babai i djalit, një konservator, nuk e fsheh dot faktin se nuk e do vajzën që vjen nga një besim tjetër fetar. Ai nis të nxjerrë justifikime që kjo lidhje të bëhet e pamundur. Në fund, ai dorëzohet para dashurisë së dy të rinjve.

Zëvendësi i grave (1987)

Një film nga Fehmi Oshafi. Gjithçka që Maku do është të ketë një punë të përhershme. Gjithçka të tjeret duan për Makun është të gjejë nuse. Teksa vazhdimisht caktohet si zëvendës i grave që marrin lejen e lindjes, Maku nuk e di ç’plane gatuajnë të tjerët për të. Gjithçka që Maku do është të ketë një punë të përhershme.

Edhe kështu edhe ashtu (1989)

Sërish një komedi e Bujar Kapexhiut. Megjithëse Apostol Sako shkruante artikuj dhe jepte leksione mbi dashurinë e lire të rinisë, krejt e kundërta ndodh në shtëpinë e tij, pasi mëson se vajza e tij, Alma, studente e inxhinierisë, dashurohet me një këngëtar. I ati do ta martojë të bijën me një diplomat dhe konfliktet zgjidhen përmes situatave komike.

Por nëse filmat që përmendëm më sipër kanë të bëjnë me nostalgjinë e kinemasë, një gjini e re televizive, komedia e situatës, po bën për vete publikun. Dhe në vitet e fundit janë realizuar disa të tilla.

Komedia O sa  mire- foto Gazeta Blic

"O sa mirë" (2013)

Kjo është një komedi romantike që ka shumë humor dhe është një zgjedhje e mirë për periudhën festive. Eshtë një produksion kosovaro- shqiptar që përmbledh aktorë nga të dyja anët e kufirit. Janë realizuar 4 sezoni dhe janë shfaqur në ekrane të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë, duke u kthyer në një komedi tepër të dashur për publikun.

Familja Kuqezi

“Familja Kuqézi” është një komedi e zhanrit Situation-Comedy, prodhuar dhe realizuar nga Tring, në bashkëpunim me profesionistë të fushës. Sitcom-i ndërtohet rreth realitetit social, familjar dhe kulturor shqiptar dhe përpiqet që përmes situatave të veçanta të argëtojë, por edhe trajtojë probleme të familjeve shqiptare në përgjithësi.

Personazhet janë karizmatikë në karakter, shkaktojnë humor në ndërveprimet e tyre dhe janë lehtësisht të kuptueshëm. Kuqezët janë shembulli i familjes model, jo në kuptimin që nuk bëjnë gabime dhe nuk kanë debate, por për faktin që mbi të gjitha rrethohen nga fryma pozitive.

Humori dhe batutat e Bertit (Gent Kame) dhe Belës (Adelina Muça) janë shumë të ngjashëm me ato të prindërve shqiptarë, ndaj pothuajse të gjithë do të gjeni veten. Nga ana tjetër, fëmijët e tyre, janë të rinj simpatikë që përballen me situate tipike komike mes motrës dhe vëllait. Siç ndodh përherë, ata kanë ku të fshihen kur konfliktohen me prindërit, te xhaxhi Edi (Gent Hazizi), i cili gjithashtu është një personazh interesante.

Ndërthurja e humorit me elemente të natyrës shqiptare dhe situatat e njohura nga jeta e përditshme mund të bëjnë këto filma një zgjedhje të shkëlqyer për netët e festave të dhjetorit. Përfitoni nga këto momente argëtuese me familjen dhe miqtë!

Neritana Kraja