Autoritetet shëndetësore: Numri i infeksioneve të COVID-19 në Kinë mbetet në nivel të ulët
2023-12-18 11:59:06

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Numri i infeksioneve të COVID-19 në Kinë ka mbetur në një nivel të ulët dhe nuk janë zbuluar viruse e baktere të reja të panjohura në rastet e sëmundjeve të rrugëve të frymëmarrjes në vend, tha të dielën një zyrtare kineze e shëndetësisë. 

Në një konferencë shtypi të zhvilluar në Pekin, Chang Zhaorui, studiuese në Qendrën Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, theksoi se, megjithëse rastet e infektimeve prej nënvariantit JN.1 të COVID-19 janë raportuar në shumë vende anembanë botës, rreziku i përgjithshëm ndaj shëndetit publik prej tij është i ulët.

"Nënvarianti JN.1 i COVID-19 i përket variantit 'Omicron' BA.2.86. Rezultatet globale të mbikëqyrjes tregojnë se, që nga fillimi i nëntorit, përhapja e BA.2.86, veçanërisht e nënvariantit JN.1 të tij, është përshpejtuar dukshëm dhe ai është bërë një nga variantet mbizotëruese në disa vende," tha Chang. 

Më 21 nëntor, Organizata Botërore e Shëndetësisë e ripërcaktoi BA.2.86 nga një variant nën mbikëqyrje në një variant interesi. Rreziku i infektimit klinik të rëndë prej tij dhe rreziku i tij i përgjithshëm ndaj shëndetit publik janë vlerësuar si të ulët, shtoi ajo.

Rezultatet e mbikëqyrjes së Kinës lidhur me variantet e COVID-19 treguan se, që nga rasti i parë me burim nga jashtë vendit i shtamit mutant BA.2.86 që u raportua më 31 gusht, 160 raste infektimi nga BA.2.86 dhe nënvariantet e tij janë raportuar në mbarë vendin, duke përfshirë 148 raste me burim nga jashtë e 12 raste me burim të brendshëm, si edhe nuk janë gjetur raste të rënda dhe kritike. 

Në Kinë ka pasur gjithashtu një prirje që ka ardhur në rënie për sa i përket numrit të përgjithshëm të rasteve të diagnostikimit dhe të trajtimit lidhur me sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes në repartet e urgjencës e në shërbimin ambulator të institucioneve të ndryshme mjekësore, bëri të ditur Mi Feng, zëdhënës për Komisionin Kombëtar të Shëndetësisë të Kinës, duke vënë në dukje më tej se të ashtuquajturat "klinika të etheve" në nivel parësor i kanë përmbushur në mënyrë efektive nevojat mjekësore të pacientëve.