Përparimet teknologjike kanë nxitur industrinë hapësinore komerciale të Kinës
2023-12-18 15:44:45

Raketa "SQX-2Y" u lëshua nga Qendra e Lëshimit të Satelitëve e Jiuquan-it në Kinën Veriperëndimore, më 10 dhjetor 2023. / foto nga "iSpace"

Industria hapësinore komerciale e Kinës ka arritur përparime të rëndësishme në vitin 2023, duke kryer një serë lëshimesh të suksesshme të raketave mbartëse.

Një sërë lëshimesh të raketave mbartëse në 10 ditët e para të dhjetorit dëshmojnë përparimin e shpejtë të industrisë hapësinore komerciale të vendit.

Kostoja e lartë e lëshimit të raketave konsiderohet si një pengesë për hyrjen masive në hapësirë dhe përdorimi i përsëritur i raketave mbartëse është mënyra më e rëndësishme për uljen e kostove të tilla.

Përparimet teknologjike nuk mund të arriheshin pa mbështetje politike. Pas hapjes së sektorit hapësinor të vendit nga qeveria kineze në vitin 2014, u krijuan shpejt një numër kompanish të fluturimeve hapësinore.

Kina lëshon raketën "ZQ-2 Y2" nga Qendra e Lëshimit të Satelitëve e Jiuquan-it në shkretëtirën e Gobit të Kinës Veriperëndimore, më 12 korrik 2023. / foto nga "LandSpace"

"SQX-2Y", raketa e ripërdorshme komerciale e Kinës, përfundoi fluturimin e dytë provë në Qendrën e Lëshimit të Satelitëve të Jiuquan-it në Kinën Veriperëndimore javën e kaluar, që është përdorimi i parë i një rakete të tillë në Kinë.

Raketa, me një motor me karburant metan-oksigjen të lëngshëm, u zhvillua nga kompania "Interstellar Glory Space Technology Ltd." e Pekinit, që njihet më shumë si "iSpace". Ajo përfundoi gjithashtu një fluturim vertikal provë të nisjes e zbritjes më 2 nëntor.

Ndërkohë, raketa mbartëse "Zhuque-2 Y-3" u lëshua në hapësirë më 9 dhjetor nga Qendra e Lëshimit të Satelitëve e Jiuquan-it.

Ky ishte fluturimi i tretë i raketës "Zhuque-2", duke e bërë atë raketën e parë mbartëse komerciale të Kinës me karburant të lëngshëm që krye lëshime në seri.

Miniatura e raketës së ripërdorshme "ZQ-3 " me karburant metan-oksigjen të lëngshëm. / foto nga LandSpace

Zhvillimi i motorit të riciklueshëm dhe të ripërdorshëm është një detyrë e domosdoshme për kompanitë komerciale të fluturimeve hapësinore brenda e jashtë vendit, që synojnë raportin më të lartë investim-prodhim, tha Ji Haibo, kryeprojektuesi i raketës "SQX-2Y" i "iSpace"-it.

Dy lëshimet e fundit kanë vërtetuar ripërdorshmërinë e shpejtë të raketës, gjë që do të thotë se "iSpace" ka bërë përparime në zotërimin e një sërë teknologjish kyçe për kthimin nga hapësira e ulët dhe zbritjen e raketave të ricikluara dhe ripërdorimin e tyre, shtoi Ji.

Kina lëshoi një raketë mbartëse "CERES-1 Y1" nga një platformë e lëvizshme në Detin e Verdhë në bregdetin e provincës Shandong të Kinës Lindore, duke dërguar katër satelitë në orbitën e paracaktuar, më 5 shtator 2023. / foto nga CGTN

Raketat janë mjetet më të rëndësishme për zbatimin e programeve hapësinore dhe aktualisht klientët kryesorë të kompanive të fluturimeve hapësinore komerciale janë kompanitë satelitore komerciale.

Raketat dhe satelitët komercialë janë të dy pjesë përbërëse të rëndësishme të industrisë hapësinore komerciale të Kinës dhe përmasa e këtij tregu në Kinë tani i ka kaluar një trilion juanët (rreth 141 miliard dollarë amerikanë), me mbi 400 ndërmarrje të regjistruara dhe me funkionim normal. (Wang Lei/ Artan)