Elikona Hysaj Shala: Kori “Okarina” krijesa ime e katërt
2023-12-17 12:04:21

Elikona Hysaj Shala ka lindur në Prishtinë dhe shkollën fillore e të mesme të muzikës e ka kryer në shkollën “Prenk Jakova”, në degën e kantos. Studimet e larta i kreu në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë dega Kanto, ndërsa studimet pasuniversitare master në Akademinë  e Arteve “ Kiril i Metodij” në Shkup, ndërsa vijon studimet master për regji -teatri pranë Fakultetit të Arteve në Prishtinë. Menjëherë pas përfundimit të studimeve ajo u kthye në Prishtinë për të kontribuar në kulturën vokale në Kosovë, ku si fillim u bë pjesë e Filharmonisë së Kosovës  që nga viti 2005 ku vazhdon të jetë pjesë. Që nga vitin 2007 Elikona është pedagoge në muzikologji në nivele të ndryshme arsimore, si dhe pranë Kolegjit universitar “AAB”. Elikona Hysaj Shala ka realizuar disa koncerte solistike me orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, por ka pasur dhe paraqitje të shumta në aktivitete kulturore. Në kuadër të bashkëpunimit mes Operës së Kosovës dhe Fakultetit të Muzikës, me studentë nga dega e Kantos, u realizua Opera “Lo Speciale” ku Elikona Hysaj Shala ishte në rolin e regjisores,. Ajo është themeluese dhe udhëheqëse e Korit të Fëmijëve “Okarina“ që nga viti 2014, ndërsa në vitin 2022 Elikona Hysaj Shala themeloi edhe  Korin e Grave “Okarina”, ku ndër vite ka realizuar mjaft koncertete e  aktivitete  të shumta në bashkëpunim me figura të mëdha të kulturës kombëtare dhe ndërkombëtare si Inva Mula, soprano Dëshira Ahmeti, etj.  Kori i Fëmijëve “ Okarina”  ka interpretuar pjesën korale të fëmijëve nga Opera “Dasma Arbëreshe”, bashkëpunimi me Filharmoninë e Kosovës duke u bërë kështu pjesë e veprës botërore “Carmina Burana” nga Carl Orff në një projekt të madh me rreth 300 muzikantë në Sheshin “Skënderbeu”. Projekti i dytë ishte me Filharmoninë e Kosovës në veprën e madhe vokalo-instrumentale “Messa da Requiem” të G.Verdit.  Koncerti Gala me tenorin e madh boteror Ramë Lahaj & friends në Sheshin “Skenderbeu” u realizuar në  korrik të vitit 2022, gjithashtu një tjetër bashkëpunim i suksesshëm u realizua me baritonin Gëzim Myshketa në koncertin “Ta zbardhi fytyrën”  organizuar nga KultPlus, si edhe shumë koncerte të tjera. Përpos këtyre aktiviteteve “Kori i Fëmijëve “Okarina“ numëron koncerte të pafundme  si, pjesëmarrje në festival mjaft të njohura, etj.  Së fundmi Kori i fëmijëve “Okarina” ka realizuar edhe disa këngë me videoklip dhe nëpërmjet Operës së Kosovës është pjesë e projektit pilot “Arti në shkolla”, organizuar nga Ministria e Kulturës dhe Ministria e Arsimit. Në prill 2023  Kori i Grave “Okarina” u bënë pjesë e Koncertit “One beat Ballkan”, ndërsa në muajin maj u ngjit në skenë me violonçelisten e mirënjohur nga Kosova Rina Kaçinari -Austri, në kuadër të Festivalit “FemArt”. 

CMG: Urimee për punën tënde për koncertin e fundit me korin e fëmijëve "Okarina"! Ndoqa në rrjetet sociale, interpretimin e tyre bashkë me artisten Elbenita Kajtazi. Si ishte për ty ky bashkëpunim?  

Elikona Hysaj Shala:  Faleminderit shumë për urimet tuaja! Kënaqësi të arrijmë përmes rrjeteve sociale të transmetojmë ngjarjet kulturore që zhvillohen gjithandej dhe kjo na bën të njohim dhe më shumë vlerat muzikore interpretative nga artistë të ndryshëm e me ndikim pozitiv për shoqërinë tone. Ky bashkëpunim me sopranon e mirënjohur Elbenita Kajtazi ishte ngjarje kulturore e organizuar nga Ardiana Pajaziti dhe KultPlus, një bashkëpunim tejet emocional dhe mbresëlënës, që motivoi dhe më shumë fëmijët të vazhdojnë të ëndërrojnë për skenat e mëdha botërore.  Elbenita atë natë u bë inspirim për fëmijët e korit “Okarina”. 

CMG: Si e priti Elbenita Kajtazi bashkëpunimin me fëmijët? 

Elikona Hysaj Shala: Elbenita ishte shumë e entuzismuar për këtë paraqitje në skenë me fëmijët. Këtë opinion ajo e shprehu dhe përgjatë bashkëbisedimit në skenë me gazetaren deri sa po shpaloste kujtime dhe histori të ndryshme suksesi. Entuziasmi iu shtua edhe më shumë pasi realizuam dy intepretime radhazi. Për Elbenitën erdhi si një ogur i mirë intepretimi me fëmijët, në këtë paraqitje me korin, që kishte kohë që e kishte pritur dhe erdhi momenti ta realizonte me Korin e Fëmijëve “Okarina”.  

CMG: Elikona, ju keni vite që punoni me Korin e  Fëmijëve 'Okarina'. Si lindi ideja për t’u angazhuar me një kor kaq të madh? 

Elikona Hysaj Shala: Po bëhen gati 10 vite që unë ndjej kënaqësi pafund me punën që bëj me korin e fëmijëve. Ata janë ushqimi im shpirtëror. Po nëse nuk do të punoja me korin e fëmijëve për kaq vite, unë nuk e di se në çfarë mase do të kisha ndjerë zbrazëti shpirtërore. Profesioni im si këngëtare lirike dhe anëtare e Korit të Filharmonisë, sigurisht që nuk më la rehat që ta mbaj vetëm për vehte mjeshtërinë për teknikën vokale. Dhe këtu zë vend ideja ime se, gjithë atë kënaqësi që ndjeja përgjatë këndimit në kor, dëshiroja që dhe fëmijët të mund të përjetonin një ndjesi të tillë.  Arsyeja tjetër pse mora përsipër të formoj korin e fëmijëve sa më shpejt, ishte se në atë kohë më irritonte fakti që dëgjoja kore fëmijësh që këndonin playback.  

Kjo ishte për mua gjëja më e trishtë që mund t’i ndodhte një kori fëmijësh. E ndjeja një obligim moral dhe profesional të merrja masa më herët  që  t’i ofroj vendit tim më të mirën. Dëshiroja që të kthehej përsëri koha kur kultura korale të çmohej dhe të punohej shumë nga udhëheqës -dirigjent koral, të cilët për ne ishin bërë frymëzim. Këtë pasuri profesionale që mora nga pedagogët e mi të zellshëm, sigurisht që duhet të bartej tek brezat e rinj, të formosh artistë të rinj, atëherë do të ngrihet niveli kulturor në vend, do të ngrihet edhe më shumë vetëdija kolektive, për të respektuar artin dhe për t’u marrë më profesionalisht me të.  

CMG: Dhe jo vetëm me fëmijët, por ju jeni angazhuar edhe me grupin e grave 'Okarina'. Si ecën puna me to?  

Elikona Hysaj Shala: Me Korin e Grave “Okarina” po bëhen gati 2 vite që punoj dhe kjo është një tjetër kënaqësi. E bukura dhe e veçanta e këtij kori është që unë gjendem përballë grave të cilat kanë talent dhe aq shumë pasion për muzikën, mbarojnë punën kudo që ato janë të punësuara dhe vijnë në prova me një vullnet të jashtëzakonshëm. Ato janë një tjetër frymëzim i imi! Ky është një kor amator, vetëm 20 përqind e korit janë gra që kanë mbaruar shkollë muzike, ndërsa të tjerat janë të gjitha gra, të cilat që nga fëmijëria u ka mbetur peng ëndrra dhe dashuria që të merren me muzikë. Skena ato i bën edhe më të lumtura, më të forta, më të dashura, më energjike, i bën të jenë më produktive në profesionin e tyre.   

CMG: Një vëmendje mjaft të madhe u ke dhënë korit të fëmjëve dhe  korit të  grave "Okarina",  flasim për këto nisma? 

Elikona Hysaj Shala: Shtylla e shoqërisë së një vendi është një grua e edukuar, e arsimuar e me një nivel kulturor të ngritur. Prandaj kjo nismë ka qenë për mua një përgjegjësi profesionale dhe ideal i lartë.  

Kudo në botën e civilizuar nuk mund të mos ju bien në sy aktivitete të shumta kulturore, që në fokus kanë gruan. Gjithandej mund të dëgjoni kore grash të cilat tingëllojnë aq bukur, të shtojnë jetën vetëm t’i shohësh se sa bukur interpretojnë .  

CMG: Gjithashtu së fundi  ke interpretuar edhe 'Seguidilla' nga opera 'Carmen'. Çfarë emocioni është për ty interpretimi i veprave operistike?   

Elikona Hysaj Shala: Për mua interpretimi i veprës brilante “ Seguidilla” nga Opera “Carmen” do të thotë shumë, e aq më tepër e shoqëruar nga orkestra harkore nën dirigjim të Maestro Zhani Cikos. Emocion i veçantë e po ashtu përgjegjësi e madhe, ishte interpretimi i veprave operistike për mua. Është një tjetër dimension, është kënaqësi, është liri e zërit dhe emocion i papërsëritshëm. Teatri i Operas në Kosovë për mua ka qenë ëndërr, e cila tani po bëhet realitet, me aktivitetin e shtuar nga Opera e Kosovës.  

Po bëhen gati 20 vite që nga diplomimi im në drejtimin e Kantos në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe gjithë ajo ëndërr e imja ishte të kthehesha në Kosovë dhe të kontribuoja me sa forcë që kisha. Nga pamundësia që të rreshtoj rolet në dërrasat e Teatrit Operistik të vendit, sigurisht për shkak të mungesës së teatrit, jam e lumtur që për kaq kohë sa punoj me korin e fëmijëve unë ushqej shpirtin e tyre me interpretim dhe njohuri më të thellë për artin e bukur operistik. Jam e bindur që një pjesë e tyre do të bëhen artistë të ardhshëm të artit operistik në vend.  

CMG: Gjithashtu të shumta kanë qenë edhe projektet me Filharmoninë e Kosovës...  

Elikona Hysaj Shala: Padyshim që Filharmonia e Kosovës zë vend të veçantë në zemrën time. Projektet me Filharmoninë janë tejet serioze dhe profesionale, duke marr parasysh natyrën e punës. Dalja në skenë e korit të udhëhequr nga dirigjentë të shquar më ka dhënë dhe më tej forcë e motiv që të eci më tutje.  

CMG: Satisfaksioni më i madh është te interpretimi i operës tënde të preferuar në skenë, apo puna me korin "Okarina'?  

Elikona Hysaj Shala: Pyetje e vështirë, por do të zgjidhja punën me korin “Okarina”. Është krijesa ime e katërt, prandaj dua që të kujdesem shumë që t’i ngre edhe më lart sesa imagjinohet.  

CMG: Një dashuri midis aktrimit dhe muzikës që në vegjëli, por fitoi kjo e fundit. Sa të ka ndihmuar talenti yt interpretativ në interpretimet skenike? 

Elikona Hysaj Shala: Një artist duhet të jetë i mirëinformuar dhe i formuar artistikisht që të mund të realizojë interpretime të shumta skenike. Këngëtarët lirikë dhe aktorët duhet të njohin të gjitha artet që të mund të bëjnë lidhjen e bukur në mes tyre, dhe e gjithë kjo njohuri të kontribuojë në ngritje të nivelit artistik të tyre. Unë nuk mund të imagjinoj një dalje timen në skenë pa e plotësuar atë me lojën aktoreske. Është e vërtetë që muzika fitoi nga dy dashuritë që kisha, por dashuria për aktrimin nuk më le rehat përsëri.  Dashuria për aktrimin dhe teatrin më ka bërë që të vijoj dhe mësimet për Master në degën e regjisë së teatrit, e të vë në skenë shfaqje muzikore-skenike.  

CMG: Çfarë do të veçoje të ndaje me ne, disa nga momentet që të kanë mbetur në mendje nga karriera e gjatë artistike? 

Elikona Hysaj Shala: Do të veçoja vënien në skenë të Operes “Lo Speciale” nga kompozitori Jozeph Haydn. Para 6 muajsh, më saktësisht në muajin korrik, një bashkëpunim i mahnitshëm në mes të Operës së Kosovës dhe Fakultetit të Muzikës këtu në Prishtinë, arritën të bashkëpunojnë e të shtyjnë më tej studentët e degës së Kantos, që të paraqesnin punën e tyre me të cilën kishte punuar vokalisht dhe teknikisht me shumë kujdes profesoresha Besa Llugiqi.  

Arrita që me një bashkëpunim të lartë me gjithë trupën pjesëmarrëse, të bëja regjinë e kësaj opere komike. Ato ditë pune përgjatë vënies në skenë të projektit, më dukej vetja si një fëmijë që nuk pyeste për energjinë, lodhjen, por vetëm ndjeja gëzimin e madh që dëgjoja interpretimet brilante të studentëve shumë të talentuar e të shoqëruar nga orkestra e Operës së Kosovës, një trupë e re e plot entuziazëm.  Deri sa i këshilloja studentët rreth lojës skenike, çdo herë hyja në rolet e tyre, që shpalosja karakteret e personazheve, e kjo gjë më plotësonte edhe më tej dashurinë që kisha për aktrimin.  

CMG: Cilat janë planet tuaja në vazhdim, si me grupin "Okarina" ashtu edhe me angazhimet personale si mezzo-soprano në fushën e muzikës operistike? 

Elikona Hysaj Shala: Planet e afërta janë që të realizoj koncertin Gala të 10 vjetorit të Korit të Fëmijëve “Okarina”  me të ftuar artistë të shquar të skenës muzikore, po ashtu të angazhohem dhe më shumë në sferën e karrierës solistike.  

CMG: Si është jesh mami i tre fëmijëve dhe të merresh me art njëkohësisht?  

Elikona Hysaj Shala: Të jesh mami i tre fëmijëve është pasuria më e madhe. Tre fëmijët e mi janë krijimtaria më e bukur e jetës sime. Pas gjithë angazhimit të madh që kam si nënë e tre fëmijëve, me një angazhim të lartë ndaj dy koreve të mëdha, me një aktivitet të ngjeshur,  dhe anëtare e rregullt e Korit të Filharmonisë së Kosovës me gjithë ato dalje skenike të shpeshta, me të vërtetë që është jashtëzakonisht e vështirë të qëndrosh në formën psikologjike dhe solistike të dëshiruar. Është vështirë të mbetesh mirë në formën vokale për shkak të angazhimit të tepërt që kam, por e gjithë kjo sakrificë është vetëm nga dashuria e madhe për interpretimin dhe skenën operistike.  

CMG: A kanë talent për muzikë fëmijët? 

Elikona Hysaj Shala: Kosova është burim i pashtershëm i fëmijëve të talentuar. Mjafton që të punojmë me nder dhe profesionalizëm ndaj tyre, t’ua shtojmë gëzimin e të ngremë vendin edhe më lart.  

CMG: Ku do ju gjejë mbrëmja e ndërrimit të viteve?  

Elikona Hysaj Shala: Në shtëpi, në ngrohtësinë familjare, aty ku unë mezi pres të bëhem bashkë me familjen, e të gëzojmë për të mirat që na sjell jeta.  

Intervistoi: Sava Lena