Florjan Plaka, një këngë të re dedikuar prindërve
2023-12-16 12:54:26

Këngëtari i muzikës popullore nga Mallakastra Florjan Plaka ka disa vite që është në tregun muzikor me këngën popullore, kryesisht të trevës së jugut. Ai që në moshë të vogël ka qenë i pasionuar pas këngës polifonike dhe asaj popullore, pasi këtë zhaner muzikor e ka të trashëguar nga familja e tij. Florjani është i pranishëm në koncerte dhe gëzime familjare, ku interpreton për dashamirësit e tij këngën e bukur popullore. Një tjetër pasion i tij është dhe letërsia dhe  ka realizuar mbi 400 tekste këngësh duke u  vlerësuar me çmim të parë në një konkurs poezie. Së shpejti Florjani premton  të sjellë një këngë të re dedikuar prindërve, por dhe projekte të tjera për vitin 2024. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për fillimet me këngën popullore, aktivitetet ku ka qenë i pranishëm si dhe projektet në të ardhmen.

CMG: Si lindi dëshira për të interpretuar këngën popullore?

Florjan Plaka: Unë jam rritur me muzikën e jugut në familjen time, sidomos me këngët polifonike. Duke u rritur kuptova që muzika është pjesë e imja dhe unë pjesë e saj. Natyrisht si çdokush hapat e para janë nuk e dija sesi do të reagonin, do më prisnin mirë apo ndoshta nuk do ju pëlqeja. Mirëpo shtysa më e madhe ka qenë shoqëria, rrethi miqësor dhe familja ime. Më vonë rastësisht u takova me mësuesin tim të shkolës fillore, të cilit i fola për pasionin që kisha. Ai më prezantoi me një mikun e tij kompozitor, Edi Qafokun të cilin dua ta falenderoj. Edi më tha se duhet të më dëgjonte se si këndoja. Këndova dy këngë fillimisht me piano dhe pastaj më tha për të bërë një provë të fundit me tastierë, dhe duke kënduar më ndërpreu dhe më tha se ti nuk je për mua. Aty pata frikë, sepse e kuptova që do më thoshte që nuk vlej për të vazhduar muzikën, por më tha që jam direkt për në studio, ngaqë isha në rregull me ritmin dhe notat muzikore. Edi më tha se nuk kam se çfarë të të përgatis ty, por është koha që të vazhdosh me këngën. Ai ka qenë shtysa më e madhe.

CMG: E ke trashëguar muzikën nga familja?

Florjan Plaka: Unë jam rritur në familje me këngët polifonike dhe në gëzimet familjare e këndonin këngën labe. Kam dy dajat të cilët e këndojnë shumë mirë, babai po ashtu, dhe mendoj se nga ata e kam trashëguar edhe unë.

CMG: Ti vetë këndon këngë polifonike?

Florjan Plaka: Fillimisht kam kënduar këngë polifonike me disa grupe të vogla dhe më pas vazhdova me muzikë popullore të jugut.

CMG: Cila ka qenë kënga e parë që je prezantuar në publik, si është pritur nga artëdashësit?

Florjan Plaka: Kënga e parë që jam prezantuar me publikun ka qenë një këngë të cilën unë ja kam dedikuar vajzave të Vlorës. Gjatë arsimimit tim shkollor kam pasur shumë shkokë nga Vlora dhe më vonë u bëmë rreth miqësor  dhe u përshtata më shumë me zonën andej. Këngën e parë doja që ta bëja për Vlorën, dhe kur e kam publikuar është pritur mirë nga njerëzit, kam marrë shumë komente pozitive. Kjo ka qenë forca që më ka bërë që të vazhdoj të eci përpara.

CMG: Produksionet tuaja muzikore janë krijimtari e re popullore, apo ke dhe materiale të bazuara në këngët e vjetra popullore?

Florjan Plaka: Kohët e fundit shoh që shpeshherë këngëtarët këndojnë këngët e njëri-tjetrit ose këngët e vjetra, duke i sjellë në mënyrë më të përparuar. Unë gjithmonë kam dashur që kur publiku të më dëgjojë kur këndoj, të kuptojë dhe të thotë që këtë këngë po e këndoj unë  dhe mos të thotë që e ka kënduar edhe dikush tjetër. Pra të gjitha këngët e mia janë të reja sepse dua të bëj diçka të re.

CMG: Cilët kanë qenë bashkëpunëtorët tuaj për realizimin e materialeve muzikore?

Florjan Plaka: Kam punuar me kompozitorë të ndryshëm, por kompozitori i parë ka qenë Vani Rushiti, që ka kompozuar këngën që i dedikohet vajzave të Vlorës. Gjithashtu më pas kam punuar me mjeshtrin e madh dhe profesorin Genci Malaj, që është një kompozitor shumë i mire,  i cili më ka dhënë shumë këshilla në lidhje me muzikën dhe disa sekrete të vogla që jo çdokush t’i tregon për zanatin. Unë nuk kam bërë shkollë muzike dhe Genci më ka mësuar gjëra të reja, të cilat nuk i kam ditur  dhe e falenderoj pafund.

CMG: Keni marrë pjesë në koncerte jashtë Shqipërisë?

Florjan Plaka: Unë jam akoma në rrugën e fillimit të muzikës dhe jashtë shtetit nuk kam pasur ftesa deri tani, por në Shqipëri kam pasur shumë punë dhe njerëzit më kanë pritur shumë mirë.

CMG: Keni menduar të realizoni në të ardhmen duete me këngëtarë të tjerë të muzikës popullore?

Florjan Plaka: Deri tani nuk e kam menduar, por do ta shoh si mundësi për më vonë.

CMG: Përveç aktiviteteve muzikore besoj se keni qenë i pranishëm dhe në gëzimet familjare. Si ka qenë sezoni i dasmave këtë vit për ju?

Florjan Plaka: Kam pasur dasma dhe kam ngelur i kënaqur, por më shumë kam marrë pjesë në raste fejesash dhe ditëlindje. Gjithashtu jam pjesë e koncerteve dhe muzikës live.

CMG: Kostumin popullor e keni veshur ndonjëherë?

Florjan Plaka: Kostumin popullor e kam veshur vetëm njëherë kur kam bërë xhirimet e këngës time të fundit dhe më dha një ndjesi lumturie, duke qenë se kam kënduar dhe këngë popifonike.

CMG: Ka shumë këngëtarë që i marrin këngët polifonike dhe i bëjnë këngë të muzikuara. Mendoni se duhet kënga polifonike të kthehet e muzikuar?

Florjan Plaka: Unë nuk jam dakort që këngët labe ne t’i këndojmë duke i kthyer me muzikë popullore, pasi ato këngë ashtu i kanë kënduar të parët dhe janë trashëguar brez pas brezi. Nuk është mirë që t’i ndryshojmë.

CMG: Ku do të jeni për të kënduar në festat e fundivitit?

Florjan Plaka: Kam pasur disa ftesa, por akoma nuk e kam vendosur se ku do të shkoj. E sigurtë është se njerëzit do të më shohin duke kënduar pranë tyre.

CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore për vitin 2024?

Florjan Plaka: Unë jam tekstshkrues dhe këngët e mia i kam shkruar të gjitha vetë. Kam shkruar shumë tekste këngësh, deri tani kam 400 tekste të shkruara, si dhe shumë projekte të reja. Së afërmi do të sjell një këngë për prindërit që titullohet “Prindërit e mi”, por nuk ia dedikoj vetëm prindërve të mi, por të gjithë prindërve, pasi për sakrificën që kanë bërë për fëmijët e tyre meritojnë një këngë të tillë dhe mendoj se do jetë një nga këngët më të bukura. Këtë këngë e kompozojnë Geraldo Çunaj dhe Kristi Çunaj nga Tepelena.

CMG: Keni shkruar tekste këngësh për këngëtarë të tjerë?

Florjan Plaka: Normalisht që kam shkruar, por më të shumtat i bëj kur kam kohë të lirë. Fokusohem tek shkrimi i teksteve dhe kam marrë një çmim të parë në një konkurs poezie.

CMG: Një mesazh urimi për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj?

Florjan Plaka: Në radhë të parë dua të përshëndes familjen time, e cila më ka mbështetur shumë. Së dyti përshëndes të gjithë artdashësit e mi, duke ju uruar nga zemra festat e fundvitit.