Armela Toska, është një vajzë 23 vjeçare e lindur në qytetin e Beratit, por e rritur në Tiranë. Ajo me familjen prej katër anëtarësh, ku është vajza më e vogël. Armela e do shumë punën dhe i pëlqen të jetë e integruar në shoqëri. Armela është një vajzë, e cila pavarësisht se nuk ka pasur shumë besim më parë tek vetja sot kupton që ka arritur shumë dhe ndihet që ka vetëbesim. Aktualisht ajo punon në Revistën më të njohur ekonomike në Shqipëri "Monitor" , por aktivizohet edhe si freelancer ku jep kontributin e saj.
Armela Toska (Foto personale)
Armela është përpjekur të mësojë dhe të arrijë ato që prindërit e saj nuk kishin mundësi të vazhdonin në jetë. Përveç se nje profesioniste, Armela ka një pasion të patjetërsuar për të udhëtuar.
CMG: Armela a mund të ndalemi shkurtimisht tek rrëfimi i jetës suaj?
Armela Toska: Unë kam qenë një vogëlushe jo si gjithë të tjerat dhe nuk i kam pasur këto kushte që kanë fëmijët sot, përpos faktit që kam pasur një familje e cila është përpjekur shumë dhe ka dashur gjithmonë të mirën e jetës sime.
Në moshën 4 vjeçare pësova një aksident rrugor dhe aty nisi kthesa në jetën time. Makina me goditi në mes të rrugës dhe më bëri që të përjetoj probleme të mëdha me shëndetin. Këtë gjë e kuptova kur shkoja tek mjeku më shpesh se fëmijët e tjerë, më duhej të kushtezohesha për shumë gjëra në jetën time, por me ndihmën e familjes e kalova këtë sfidë të madhe të jetës sime.
CMG: Cila ka qenë sakrifica më e madhe që keni bërë në jetë ?
Armela Toska : Prindërit e mi gjithmonë kanë punuar si shitës ambulatorë, për shkak se nuk mund t'i japin makinës dhe mua më nisën përgjegjësitë për të punuar dhe për të dhënë kontributin brenda në familje që në moshë të vogël. Shpesh ndihmoja babin të mbante karrocën me mallra dhe ka qenë e vështirë, por jo gjëja më e vështirë në botë. Një nga gjërat që më ka bërë të qëndroj fort në këmbë ka qenë besimi tek ëndrrat e mia. Një moment shumë sakrifikues në jetën e të gjithë familjes ka qenë kur shtëpia jonë u dogj nga flaket dhe na u desh që ta rindërtonim atë.
Më pas kam humbur mundësinë për të ndjekur studimet në informatikë ekonomike dhe ka qenë edhe kjo një goditje e rradhës. Por mendoj se kjo jetë që kam jetuar më ka bërë sot me të fortë.
CMG: Kush është njeriu më i rëndësishëm i jetës suaj ?
A. Toska në Tiranë (Foto personale)
Armela Toska: Njeriu më i rëndësishëm për mua është motra ime. Ajo është kujdesur për mua dhe shëndetin tim. Mami im është detyruar të punojë qëkurse unë kam qenë dy apo tre vjeç, ndërsa motra ime pesë vjeç. Prindërit u detyruan ta heqin motrën time nga kopshti që të kujdesej për mua. Imagjinoni tani një vajzë pesë vjeç që rrit një vajzë tre vjeçare. Është komike, por edhe emocionale ndaj dhe lidhja me të është shumë e ngushtë dhe mund të them me bindje që është njeriu më luftarak që unë njoh.
CMG: Çfarë ju identifikon?
Armela Toska : Mua më identifikon fakti që nuk vrapoj pas turmës, nuk e kam këtë parim për jetën time.Përpiqem që të kufizoj veten time drejt largimit nga çdo gjë që të tjerët e bëjnë. Madje edhe në gazetari preferoj të nxjerr artikuj të veçantë dhe unik, përpos faktit që zgjodha gazetarinë e shkruar pasi edhe kjo e bën të veçantë në vetvete.
CMG: Si është ndjesia për të punuar vetëm me tema dhe terma ekonomikë?
Armela Toska: Nuk dua ta komentoj gjatë pasi mund të them thjesht dhe vetëm që është një përgjegjësi e madhe dhe të bën të punosh me seriozitet të lartë.
CMG: Cila është një ëndërr që e keni kuptuar me kalimin e viteve?
Armela Toska: Sa më shumë kalojnë vitet unë kuptoj kapacitetin që kam dhe dëshirën për të bërë gjithnjë e me tepër gjëra të reja, kështu që kam kuptuar që dua të vijoj të marr dije dhe të merrem me realizimin e dokumentarëve për mjedisin. Mjedisi gjithnjë më ka tërhequr dhe mendoj se do të ishte një nga ëndrrat më të bukura të plotësuara që të merresha me mjedisin dhe nxjerrjen e të dhënave apo problematikave mbi mjedisin.
CMG: Ju keni një pasion të madh për udhëtimet, pse?
Armela Toska: Une kam udhëtuar për herë të parë jashtë Shqipërisë në moshën 12- vjeçare dhe ka qenë shumë bukur, ndërsa kam kuptuar që preferoj të zbuloj dimensione të reja të jetës.
Revista Monitor
Nga udhëtimet që kam bërë kam kuptuar që preferoj dhe më pëlqen pa e zëvendësuar me asgjë tjetër kulturën europiane. Çdo fundjavë jam diku, brenda apo qoftë jashtë Shqipërisë. Duke qenë që kam udhëtuar shumë edhe kam mësuar shumë. Kam mësuar që nuk është diçka pozitive që të udhëtosh thjesht dy apo tre ditë për punë, sepse është shumë e lodhshme përkundër të gjitha udhëtimet mbeten shumë të bukura sepse ti mëson diçka të re. Të punosh dhe të udhëtosh është një praktikë shumë e mirë.
CMG: A ke një mesazh për të rinjtë e tjerë ?
Armela Toska : Kam një mesazh për të rriturit, për mënyrën se si i shohin të rinjtë I gjykojnë të rinjtë për gabimet e tyre, por kur do të mësojnë të rinjtë, nëse nuk gabojnë?! Si do mësojnë të rinjtë të rriten përmes gabimeve? Ndaj, do t’i sugjeroja të rinjtë të bëjnë gabime për të mësuar.
Intervistoi Megi Latifi