Rona Nishliu (Foto nga facebook i Rona Nishliu)
Rona Nishliu, ndër përfaqësueset më të duartrokitura shqiptare në Eurosong, në ditët e para të dhjetorit erdhi në Tiranë me një koncert me muzikë jazz, mbajtur në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Eshoqëruar nga “The New Orchestra” në dirigjimin e Edon Ramadanit, Rona përcolli një emocion të bukur në publik perms interpretimeve të muzikës së mirë shqiptare, e ndërthurur me muzikën jazz. Harmonia në skenë e Rona Nishliut me muzikantët ishte mjaft mbresëlënëse. Koncerti u mundësua falë mbështetjes së organizatës SinfoArt-Albania dhe Alma Musa, Ministrisë së Kulturës, Bashkisë Tiranë, Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor, RTSH, etj.
Rona Nishliu në Eurovizion (Foto Shqiptarja .com)
Ministrja Kulturës, Elva Margariti shkroi në rrjetet sociale për artisten Rona Nishliu: “Këngëtarja që na ka bërë krenarë në skenën e madhe të Eurosongut, ngjitet sot në skenën e Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor”. E sjellë me një kombinim mjaft të bukur, publiku shijoi ndërthurrjen e muzikës së vjetër shqiptare me muzikën jazz. Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, këngëtarja Rona Nishliu solli një repertor nga këngët e vjetra shqiptare të interpretuara më parë nga Tefta Tashko, Vaçe Zela, si materiale muzikore të riorkestruara.
Gjatë koncertit Rona rrëfeu për publikun; “Ky është koncerti im i parë me bileta, sepse gjithmonë kam menduar se muzika e mirë duhet të jetë falas për audiencën. Se me thënë të drejtën ka vërshuar shumëllojshëmëri muzike, që duket e paketuar shumë bukur, e thjeshtë për t’u kapur, e pjesa tjetër mbetet pak në hije” .
Rona Nishliu (Foto nga facebook)
Ndërsa pas koncertit Rona u shpreh për mediat: “Kjo muzikë nuk ka audiencat masive, por e rëndësishme është që ta dokumentojmë, të lemë një dëshmi që kjo muzikë ka ekzistuar, në këto kohë që po jetojmë, prandaj më pëlqen që të realizoj këto projekte”
Pas një shkëputje në muzikë, kohët e fundit artistja Rona Nishliu ka qenë më aktive në skenën artistike me disa projekte muzikore. Vetëm disa muaj më parë ajo organizoi në qytetin e saj të lindjes në Mitrovicë, festivalin ndërkombëtar të muzikës jazz, “Mitrovica International Jazz Days”. Rona Nishliu ka triumfuar në skenën e Festivalit të ‘50 të këngës në Radio Televizionin Shqiptar, ku me këngën “Suus”, kompozuar nga Florent Boshnjaku, me tekst nga vetë ajo, si dhe orkestrim nga Shpëtim Saraçi fitoi çmimin si “Interpretuesja më e mirë”, por edhe çmimin e festivalit.
Rona Nishliu (Foto nga facebook)
Rona vazhdon të jetë artistja që ka arritur nivelin më të lartë të Shqipërisë në Eurovizion, ku në vitin 2012 u rendit në vendin e pestë, duke i bërë krenarë të gjithë shqiptarët. Me talentin e Ronës ne jemi njohur në spektaklin e talenteve të reja “Ethet e së Premtes”, e më pas me prezantimet e saj në festivalin e Rtsh-së. Kënga “Suus”, është pëlqyer shumë nga publiku shqiptar dhe me votat e jurisë Rona Nishliu arriti ta fitonte çmimin e madh që përfaqësoi Shqipërinë në kompeticionin më të madh te muzikës evropiane, në Eurovizion, i cili atë vit u zhvillua në Baku të Azerbajxhanit.
Sava Lena