Kinë: Ekonomia mëkëmbet në nëntor, ndërsa makropolitikat nisin të japin frytet e tyre
2023-12-15 19:17:59

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Ekonomia kineze u rimëkëmb në nëntor, me treguesit kryesorë që patën rritje, treguan të premten të dhënat nga Zyra Kombëtare e Statistikave (NBS). 

Muajin e kaluar prodhimi industrial u rrit 6.6 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vjetshme, duke kaluar parashikimin për një rritje 5.6 për qind sipas një sondazhi të "Reuters"-it.

Shitjet me pakicë u shtuan 10.1 për qind në nëntor, ndërsa në 11 muajt e parë të vitit, investimet në pasuritë fikse u rritën 2.9 për qind në krahasime me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. 

"Në përgjithësi, në nëntor ekonomia kineze vazhdoi të mëkëmbet dhe të përmirësohet," tha Liu Aihua, zëdhënëse e NBS-së. "Por është gjithashtu e rëndësishme të vëmë në dukje se mbeten pasiguri të jashtme dhe që kërkesa e brendshme është ende e pamjaftueshme. Themelet për rimëkëmbjen ekonomike ende duhet të konsolidohen."

Të dhënat treguan gjithashtu se, sa i përket rimëkëmbjes, spikatën sidomos industritë e teknologjisë së lartë. Vlera e shtuar e ndërmarrjeve të mëdha të prodhimit të teknologjisë së lartë në nëntor u rrit me 6.2 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, 4.4 pikë përqindjeje më shumë se rritja në muajin e mëparshëm. 

Treguesi mesatar i çmimeve të konsumit (CPI) i Kinës u rrit 0.3 për qind në 11 muajt e parë të vitit në krahasim me të njëjtën periudhë vjet. CPI bazë, e cila përjashton çmimet më të luhatshme të ushqimit dhe të energjisë, u rrit 0.7 për qind në të njëjtën periudhë.