Diaspora shqiptare, kontribut në procesin e integrimit europian
2023-12-14 09:45:23

Samiti i diaspores (Foto Shqiptarja.com)

Samiti i diaspores (Foto Shqiptarja.com)

Diaspora përfaqëson një kapital të madh njerëzor, social dhe ekonomik, i cili mund të sjellë përfitime të shumëfishta për ekonominë e vendit, por mund të shërbejë edhe si urë lidhëse me tregjet jashtë. Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, organizuan panelin “Diaspora Shqiptare për Zhvillimin e Qëndrueshëm”, në kuadër të Samitit III të Diasporës. Gjatë fjalës së tij Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete tha se sot më shumë se asnjëherë tjetër, diaspora duhet të japë rolin e saj në ndërlidhjen e tregjeve sa kohë që  Komisioni Evropian ka lancuar edhe fondin për për vendet e rajonit përpara hyrjes zyrtare në BE për të nxitur rritjen ekonomike të këtyre vendeve.

 

“Procesi i integrimit dhe negociatat kanë pasur ecuri të kënaqshme dhe kjo u konstatua edhe në në Raportin e fundit të Komisionit Evropian. Plani i ri i Rritjes, i prezantuar nga Komisioni Evropian, ku parashikohen 6 miliardë euro grante dhe kredi për vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të shërbejë gjithashtu si një ankorë për të përshpejtuar më tej reformat. Ky plan synon të sjellë për vendet e rajonit disa nga përfitimet e anëtarësimit, përpara hyrjes zyrtare në BE, të nxisë rritjen ekonomike dhe të përshpejtojë konvergjencën socio-ekonomike. Ky moment i mirë integrues, që kërkon në thelb ndërlidhjen e tregjeve të rajonit me tregjet e Bashkimit Europian dhe që synon konvergjencën ekonomike të këtyre vendeve me vendet anëtare të BE-së, është një mundësitë e mirë për përfshirjen e energjive, kapaciteteve njerëzore dhe financiare, por edhe të njohurive të Diasporës shqiptare në këtë drejtim.”, u shpreh ministry Mete.

 

Në këtë mënyrë diaspora ka një rol të rëndësishëm në procesin e integrimit europian.

 

“Diaspora shqiptare ka rol të posaçëm edhe në procesin e integrimit evropian, kjo edhe për faktin se Shqipëria renditet mes shteteve me numrin më të lartë të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijtë në raport me ata që jetojnë brenda vendit. Në këtë drejtim, sipërmarrësit, personalitetet, profesionistët shqiptarë, të cilët janë integruar në shtetet ku jetojnë, janë ambasadorët më të mirë të vendit, si në kuadër të imazhit, ashtu edhe sa i përket kontributit konkret që mund të japin në këtë proces të rëndësishëm. Diaspora ka gjithashtu një rol kyç në zhvillimin e mëtejshëm social e ekonomik të vendit, duke kontribuar në sektorë si energjia, turizmi, inovacioni dhe aftësitë, arsimi, angazhimi i të rinjve, kultura, etj. Përtej dërgimit të remitancave, diaspora shqiptare ka potencial për të promovuar sipërmarrjen dhe investimet e huaja direkte.”

 

Ministri Mete në Samit (Foto Scan tv)

Ministri Mete në Samit (Foto Scan tv)

Një mundësi e mirë është edhe investimi në sektorë prioritarë nga sipërmarrësit shqiptarë të diasporës. 

 

“Në këtë kontekst, ekzistojnë mundësitë dhe hapësirat për një përfshirje edhe më të gjerë të diasporës, përmes projekteve dhe investimeve në sektorët prioritarë. Gjithashtu, procesi i ndërkombëtarizimit të bizneseve konsiderohet një element kyç sa i përket zhvillimit ekonomik, duke përfshirë zgjerimin e pjesëmarrjes së bizneseve në tregjet ndërkombëtare përmes eksportit, partneriteteve dhe përdorimit të teknologjive të avancuara për të rritur konkurrueshmërinë. Besoj se duhet të kalojmë në konkretizim, duke angazhuar strukturat që janë ngritur, Dhomën e Biznesit të Diasporës, Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, që në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrin e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit të përkthejmë eksperiencën dhe mësimet e nxjerra gjatë kësaj periudhe në veprime konkrete që bazohen në modelet më të mira që kanë funksionuar edhe në vendet e tjera. Kjo është ajo çka pres dhe dëshiroj të jetë fokusi i panelit në vijim. Për gjithë sa më sipër, ju siguroj se angazhimi i Ministrisë që përfaqësoj dhe i Qeverisë do të jetë maksimal” garantoi ai.

 

Mete u ndal edhe tek vlerësimet e ndërkombëtare për performancën ekonomike të Shqipërisë.

 

“Është kënaqësi pjesëmarrja në Samitin e tretë të Diasporës dhe në veçanti në këtë forum të posaçëm diskutimi dedikuar ndërveprimit ekonomik me Diasporën. Samiti i Diasporës, i kthyer tashmë në traditë. Kjo është një mundësi shumë e mirë për të thelluar më tej komunikimin dhe bashkëpunimin me qëllim përfshirjen sa më të gjerë të Diasporës në zhvillimin e vendit. Diaspora përfaqëson një kapital të madh njerëzor, social dhe ekonomik, i cili nëse vihet në funksion në mënyrën e duhur, mund të sjellë përfitime të shumëfishta për ekonominë e vendit, por edhe për kontribuuesit nga Diaspora. Ekonomia shqiptare po kalon një momentum pozitiv. Ajo është vlerësuar së fundmi si një nga ekonomitë më rezistente të rajonit, ndërkohë që kemi hyrë tashmë në një fazë të re zhvillimi. Vlerësimet pozitive në seri të institucioneve ndërkombëtare, që nga FMN, Banka Botërore, rishikimi në rritje i perspektivës nga agjencitë e vlerësimit, si edhe dalja nga lista gri e FATF/MONEYVAL janë të gjitha zhvillime, që konfirmojnë këtë momentum pozitiv, por edhe që pritet të ndikojnë në aspekte që kanë të bëjnë me përmirësimin e klimës së biznesit dhe investimet e huaja.”

Ministri Mete (Foto financa.gov.al)

Ministri Mete (Foto financa.gov.al)

 

Ekonomia  shqiptare  pritet të vijojë trajektoren rritëse.

 

“ Projeksionet për rritjen ekonomike janë mesatarisht 4% për periudhën afatmesme. Për gjysmën e parë të këtij viti, investimet e huaja arritën në rreth 700 milionë euro ose 7.5% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Gjithashtu, të dhënat e fundit për numrin e vizitorëve të huaj për janar-tetor 2023 janë shumë pozitive, me rreth 9 milionë vizitorë të huaj, me një rritje të konsiderueshme krahasuar me një vit më parë. Pritshmëritë janë që këtë vit të tejkalohet shifra prej 10 milionë vizitorë të huaj”, tha ministri i Ekonomisë dhe Financave Ervin Mete.