Luks si askush tjetër
2023-12-14 10:57:58


Foto nga China Daily

Në kufijtë e modës dhe artistikes, Muzeu Start në Shangai, i dekoruar që t'i ngjajë një treni në stilin e vjetër, i çon vizitorët në një udhëtim nëpër historinë e markës luksoze italiane, “Prada”.

“Pradasphere II”, një ekspozitë që paraqet botën e Prada-s përmes tregimeve, objekteve dhe ideve të nxjerra nga arkivi i markës, u hap më 7 dhjetor. Eventi në Shangai pason “Pradasphere”, e cila u mbajt në Londër dhe Hong Kong në vitin 2014.

Ekspozita është organizuar si një depo pune e prodhimit kreativ të kuruar nga bashkëdrejtorët kreativë Miuccia Prada dhe Raf Simons. Pjesa kryesore e ekspozitës është një kronologji e punës e nxjerrë nga çdo koleksion i rëndësishëm i Prada-s.

Në këtë rrëfim gërshetohen fragmente të hapësirave emblematike të Prada-s, nga butiku origjinal i vitit 1913 dhe galeritë e “Fondazione Prada”, deri në kabinën e jahtit të Kupës së Amerikës, “Luna Rossa”.

Gjëja e parë që bie në sy është hyrja e gjelbër prej kadifeje, që shfaq një fotografi të Andreas Gursky të një muri emblematik nga një prej dyqaneve të hershme të shitjes me pakicë të markës.

Foto nga China Daily

Brenda, në korridorin kryesor rreshtohen rreth 200 imazhe. Ato u zgjodhën me kujdes nga Simons dhe shtrihen nga koleksioni i parë i markës deri në ditët e sotme.

Ato i bëjnë vizitorët të përshkojnë përmes më shumë se 400 veprave të artit fizik dhe digjital, së bashku me koleksionet nga arkivat e modës dhe dekadat e bashkëpunimit ndërkufitar me sektorët e artit, arkitekturës, kulturës dhe sportit. Ekspozita do të zgjasë deri më 21 janar dhe teksa zhvillohet festa e shumëpritur e kulturës së modës, ajo gradualisht po qartëson qëllimet e markës.

Me besimin se ruajtja e rëndësishme kulturore dhe ripërcaktimi i luksit janë strategjia më e rëndësishme e Prada-s përtej inovacionit dhe investimit në zinxhirin e furnizimit, Gianfranco D'Attis, shefi ekzekutiv i markës, zbulon se kjo është dhe arsyeja kryesore e “Pradasphere II”.

“Unë mendoj se vizioni i Miuccia Prada-s është ta bëjë kulturën tërheqëse. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse arti, kultura dhe moda në botën e sotme janë shumë të ndërlidhura dhe pasqyrojnë momentin bashkëkohor në të cilin po jetojmë”,- deklaroi D'Attis.

Ai përkufizon një citim nga Miuccia Prada: “Shqetësimi im kryesor në rolin tim janë idetë; kjo është arsyeja për gjithçka. Thellësisht, qëllimi im me Prada-n është ta bëj artin dhe kulturën tërheqëse. Nëse, nuk janë, askush s’do të ketë interes”.

“Kjo është arsyeja kryesore që ne jemi këtu me “Pradasphere II”. Ne duam të komunikojmë artin dhe kulturën përmes produkteve të Prada-s, për të përcjellë perspektivën tonë në botë. “Prada” nuk është vetëm pozicionimi i markës, nuk është thjesht një mënyrë jetese. “Prada” është reale”,- tha D'Attis.

Përmbajtja e ekspozitës i bën jehonë shpjegimit të D'Attis për arritjet kulturore dhe artistike të markës, si dhe krijimet e saj të reja, të tilla si filmat “Prada” të xhiruara nga regjisorë të famshëm dhe dokumente të pashfaqura kurrë më parë që kanë të bëjnë me projekte të mëdha arkitekturore. Ajo gjithashtu paraqet modele “Re-Nylon” përmes filmave nga bashkëpunimi i markës me “National Geographic”. Një arsye tjetër për mbajtjen e ekspozitës në Shangai është krijimi i një komunikimi më të ngushtë me konsumatorët kinezë dhe vazhdimi i kultivimit të këtij tregu premtues në të ardhmen.

“Kina është një treg shumë strategjik për Prada-n dhe ne po ecim jashtëzakonisht mirë.

Foto nga China Daily

Ambicia është që në thelb të dyfishojmë ekspozimin e markës sonë në të ardhmen afatmesme dhe të investojmë më shumë në Kinë, në “Pradasphere II”, në komunikim dhe në shpërndarje. Ne duam ta bëjmë atë të funksionojë”,- thotë D'Attis.

Që nga futja në Kinë në vitet 1990, “Prada” ka depërtuar ngadalë në tregun e rëndësishëm luksoz kinez. Nga restaurimi i vitit 2017 i “Rong Zhai”, një rezidencë historike e kopshtit në Shangai, deri te bashkëpunimi i këtij viti me ekipin kinez të futbollit për femra, qasja konfirmon fokusin e markës në tregun kinez.

Ndërkohë, reagimet e tregut janë gjithashtu pozitive, me raportet financiare për nëntë muajt e parë të vitit 2023 që tregojnë se rajoni Azi-Paqësor, përfshirë Kinën, u rrit me 21 për qind në bazë vjetore, sipas grupit “Prada”.

“Unë e vizitoj Kinën thuajse një herë në dy muaj dhe çdo herë konstatoj se konsumatori kinez po evoluon. Duke e vizituar shpesh vendin, kemi pasur gjithmonë mundësinë të përmirësohemi, të nxjerrim produkte specifike për tregun, të përmirësojmë të gjitha llojet e përvojave në dyqane dhe të përmirësojmë mënyrën se si të angazhohemi më mirë me klientët tanë. Dhe kjo është arsyeja pse “Prada” është kaq e suksesshme në Kinë. Përmes “Pradasphere II” ne duam t'i japim një mesazh konsumatorit kine dhe botës, se “Prada” ka të bëjë me rëndësinë e substancës dhe kulturës, ka të bëjë me Pradaizmin”,- thotë D'Attis.

Për të kultivuar më tej tregun kinez, D'Attis planifikon të lançojë më shumë kategori produktesh dhe shërbimesh dhe të rrisë numrin e dyqaneve.

“Unë mendoj se ne duam të mbulojmë tregjet ku jemi të nënpërfaqësuar, të përmirësojmë dyqanet tona ekzistuese dhe t'i zgjerojmë ato, të integrojmë më shumë koncepte luksoze bashkëkohore, të integrojmë kategori”,- thotë D'Attis.

Pas prezantimit të dy kategorive të reja - bizhuteri dhe një koleksion shtëpiak - D'Attis po konsideron gjithashtu të lançojë më shumë opsione mikpritjeje, si kafenetë “Prada” në dyqanet ekzistuese në Kinë në dy vitet e ardhshme.

“Ne besojmë se në Kinë kemi potencial të mëtejshëm për të zhvilluar biznesin.

Ne e njohim shumë mirë klientin dhe besojmë se mund të çojmë përpara pjesën e tregut duke përmirësuar marrëdhëniet me klientët tanë dhe duke lançuar produkte dhe shërbime të reja siç po bëjmë tani me “Pradasphere II”. Ky është angazhimi ynë ndaj konsumatorëve kinezë, për t'u ofruar atyre një përvojë më të mirë në përgjithësi”,- shton ai.