“Vivienne Westwood”,një event për të përmirësuar marrëdhëniet me Kinën
2023-12-14 11:04:39


Foto nga China Daily

Marka britanike e veshjeve “Vivienne Westwood” organizoi një event në nëntor në dyqanet e saj kryesore në Pekin dhe Shangai, me modele të kryeveprave të pasarelave dhe imazhe paraprake të koleksionit pranverë-verë 2024.  Andreas Kronthaler, drejtori kreativ i markës, mori pjesë në këtë event, duke shënuar vizitën e tij të parë në Kinën kontinentale në më shumë se një dekadë.

Pas vdekjes së themelueses së markës dhjetorin e kaluar, Kronthaler si partneri i saj në jetë dhe në punë rishikoi stilimet e saj, ndër të cilat ai zgjodhi dhe ripunoi 39 veshje që tani përbëjnë thelbin e koleksionit pranverë-verë 2024 “Andreas Kronthaler për Vivienne Westwood”. “Kur po shikoja veshjet e saj, fotografova dhe arkivova të gjitha modelet nga 40 vitet e fundit. Dhe aty më lindi ideja se kjo duhet të ishte baza për koleksionin e ardhshëm”,- tha Kronthaler.

Duke e pasur të vështirë të shikonte rreth 250 veshje që nga koha kur ishin bashkë, Kronthaler përqafoi një qasje ndryshe, duke nxjerrë rastësisht numra nga një kapele, e cila përcaktonte rendin në të cilin do të paraqiteshin modelet.

Bazuar në modelet origjinale të Westwood, ai parashikoi gjithashtu se si do t'i riinterpretonte ato dhe bëri modifikime në disa prej tyre, në pëlhurë, prerje dhe koordinim, duke i bërë homazh trashëgimisë së Westwood dhe gjithashtu duke i dhënë jetë të re modeleve.  Dy dynaqet kryesore të Pekinit dhe Shangait u hapën në fillim të vitit 2022, duke ofruar koleksione me koncept uniseks “Andreas Kronthaler për Vivienne Westwood”, linjën kryesore të veshjeve të gatshme “Vivienne Westwood” për burra dhe gra, si dhe aksesorë, këpucë dhe bizhuteri.  Në të dy dyqanet do të hapen edhe kafene, për të ofruar një përvojë të pasur për klientët. Dyqani i Pekinit do të ketë edhe një kat nëntokësor, ku do të ekspozohen fustane nusërie.

Foto nga China Daily

Marka po planifikon gjithashtu të realizojë një pasarelë në një javë të modës në Kinë vitin e ardhshëm.  Përveç eventeve të vetë markës, Kronthaler mori pjesë edhe në Konferencën Globale të Veshjeve, e organizuar në Dongguan, në provincën Guangdong, nga 16 deri më 18 nëntor.

Pasi mësoi për sektorin e madh të prodhimit të pëlhurave dhe veshjeve të Dongguan, Kronthaler tha se ai sheh mundësi të jashtëzakonshme në industri dhe ndërgjegjësimin drejt qëndrueshmërisë në Kinë.

“Ishte vërtet e rëndësishme për mua ardhja në Kinë, të takoja njerëzit, të prekja realitetin dhe të kuptoja më thellë. Ardhja në Kinë më dha ide dhe më ndihmoi të arrija një drejtim të ri në nivelin personal”,- tha ai.

Kronthaler kujtoi gjithashtu se Westwood kishte një pasion të zjarrtë për kulturën tradicionale kineze, duke ditur përmendësh shumë poezi kineze dhe shpesh duke praktikuar shkrimin e karaktereve kineze me furça boje. Kjo lidhje me kulturën tradicionale kineze pritet të zgjasë, duke gjetur përfaqësim në modelet e ardhshme të markës.

“Do të doja të punoja me artizanë vendas, të përpiqem të lidhem me teknikat tradicionale kineze dhe të shoh nëse mund t'i fus ato në një koleksion. Një detaj interesant është qëndisja, sepse qëndisja e hollë e mëndafshit në Kinë është në një nivel tepër të lartë. Zakonisht bëhet në një mënyrë shumë tradicionale, por ndoshta mund ta përshtasim disi ndryshe”,- tha Kronthaler.