Foto ilustruese Librat e Krishtlindjes - foto world book
“Kënga e Krishtlindjes”, nga Charles Dickens, përkthyer nga Virgjil Muçi;
“Derrkuci i Krishtlindjes”, nga Jk Rowling, përkthyer nga Anxhela Cikopano dhe
“Planeti i pemëve të Krishtlindjeve”, shkruar nga Gianni Rodari e përkthyer nga Orjela Stafasani janë tre ndër më të zgjedhurit e periudhës së Krishtlindjes për t’ia bërë dhuratë fëmijëve.
Po afrojnë festat e fundvitit dhe të gjithë ndihemi të përfshirë. Kudo shihen përgatitjet, rrugët po ndriçohen e zbukurohen, dyqanet gjithashtu. Flitet për organizim festash, pushime, dhurata, ushqime të veçanta, pra njerëzit janë të përfshirë nga gëzimi i pritjes së festive. Por jo të gjithë e dinë se ndër dhuratat që do t’u bëni fëmijëve, nipërve dhe mbesave, është mirë të përfshini edhe librin.
Në vazhdën e kësaj ideje ne kërkuam në libraritë e Tiranës për të marrë disa këshilla librash, por jo vetëm për fëmijë.
Tre titujt e librave për fëmijë të permenduar më sipër nuk janë të panjohur për lexuesit e vegjël, madje edhe për prindërit dhe gjyshërit e tyre. Tregimi “Një këngë Krishtlindjeje” është një libër i dashur për breza e breza të tërë lexuesish.
Protagonisti kryesor i këtij romani është Skruxhi, një njeri në moshë, i varfër në shpirt, cinik, i vetmuar e pa miq.
Në një natë të ftohtë të Krishtlindjeve, tri shpirtra e çojnë atë në një udhëtim të papritur, ku ai ka mundësi të shohë si në një film, mënyrën e gabuar të jetës së tij të mëparshme. Pikërisht ky udhëtim e bën atë të reflektojë.
Duke analizuar të kaluarën e tij, të tashmen dhe të ardhmen, Skruxhi fillon t’i gjykojë festat nën një këndvështrim të ri, si një gëzim i jetës, si një pasqyrim bamirësie dhe solidariteti midis njerëzve.
Libri tjetër që vjen nga një shkrimtare shumë e dashur për fëmijë është “Derrkuci i Krishtlindjes”. Libri vjen nga gjenia krijuese e J.K. Rowlingut e cila ka shkruar një nga tregimet më të bukura të Krishtlindjes shkruar ndonjëherë, i mbushur me butësinë e parezistueshme të fëmijërisë përballë misterit të madh të humbjes. Një aventurë emocionuese për dashurinë e një fëmije për gjënë e tij më të çmuar dhe se sa larg do të shkojë për ta gjetur. Një përrallë për të gjithë familjen, nga njëra prej tregimtareve më të mëdha në botë.
Xheku e adhuron lodrën e tij prej lecke, Derrkucin, që e thërret Dër, shkurt DD. Derrkucin e ka pasur pranë, në të mirë e në të keq. Derisa një natë Krishtlindjesh ndodh diçka e tmerrshme: DD-ja humbet. Por nata e Krishtlindjes është një natë mrekullish, kur zgjidhen edhe rastet e pashpresa, një natë kur të gjitha gjërat mund të marrin jetë... edhe lodrat.
Dhe lodra më e re e Xhekut, Derrkuci i Krishtlindjes, ka një plan të guximshëm: së bashku do të nisin një udhëtim magjik në Vendin e të Humburve, për të shpëtuar mikun më të mirë që Xheku ka njohur ndonjëherë...
Imagjinata e pashtershme dhe dhembshuria e autores për njerëzit e dashur dhe objektet që thithin ndjenjat njerëzore, është një himn për ngrohtësinë e familjes, për kujdesin për tjetrin. Me ilustrime të bukura nga artisti i shumëvlerësuar Jim Field, Derrkuci i Krishtlindjes është i destinuar të bëhet një klasik i dashur për të gjithë.
“Planeti i pemëve të Krishtlindjeve” shkruar nga Giani Rodari është një përrallë që përfshin fantashkencën dhe botën e përmbysur; rrugëtimin e një fëmije në hapësirë, i cili ndeshet me alienët në një planet ku gjithçka është falas dhe gjithmonë është ditë feste.
Gianni Rodari është shkrimtar dhe gazetar Italian, i cili njihet shumë mirë për letërsinë e fëmijëve, kështu që ky libër fanta-shkencë ka një trillim interesant brenda që të mban të mbërthyer, fëmijë apo i rritur qofsh. Marko, protagonisti i ri i këtij romani, përballet me një udhëtim të gjatë në hapësirë duke hipur në kalin e tij varëse dhe zbulon një planet përrallor ku jeta ka ngjyrën e solidaritetit, aromën e miqësisë: robotë ndihmës përmbushin dëshirat e banorëve, teknologjia është në dispozicion për të. të gjithë, nuk ka konflikte. Gianni Rodari, i cili mundi të hynte në realitet nga "dritarja" e fantazisë, ia kushtoi planetin e tij "fëmijëve të sotëm, astronautit të së nesërmes" dhe foli me butësi dhe humor për tema të rëndësishme si paqja dhe shkenca në shërbim të njerëzimit.
Foto ilustruese per librat e Krishtlindjes - foto Virgilo sapere
Krahas librave për fëmijë, nuk mungojnë klasikët, që trajtojnë temën e Krishtlindjes, e që ne propozojmë që t’I bëni edhe dhuratë.
Tradita e dhënies së dhuratave për Krishtlindje erdhi shumë e shumë kohë më parë. Fillimisht, ajo ishte e lidhur me historinë biblike, ndërsa tani është kthyer në një traditë të mrekullueshme.
Lidhur me atë që njerëzit mund të dhurojnë në mënyrë që të sjellin gëzim të vërtetë tek të dashurit e tyre e gjejmë në tregimin e O. Henry "Dhuratat e Magjistarëve".
Tregimi flet për historinë e një çifti të varfër, të ri në moshë, Xhim dhe Della, që duan të blejnë dhuratat e Krishtlindjeve për njëri-tjetrin, por nuk kanë para të mjaftueshme. Një prozë e shkurtër, me temën e dhuratës e të dhurimit.
Siç e thamë Dela e Xhimi, që e duan fort njëri–tjetrin, por nuk kanë asnjë kacidhe në xhep... E duhet të mendojnë për dhuratat e Krishtlindjes. Ajo flijoi gjënë më të
çmuar: flokët e saj të gjatë valë valë, që të blinte një zinxhir ari, për orën e djaloshit. E ai, shiti pikërisht orën, për t’i blerë asaj, që e donte aq shumë, karfica të arta për flokët, në një dyqan të Broadway-t.
Por në ditën e Krishtlindjes kur duan të shkëmbejnë dhuratat, ata kuptojnë se kanë shitur dy gjëra me shumë vlerë për të blerë dy dhurata, që gjithsesi nuk mund t’i përdorin dot…
Pavarësisht kësaj, ata përpiqen të kënaqin njëri-tjetrin duke bërë dhurata. Dhe për këtë ata duhet të sakrifikojnë atë që është e dashur për ta. Dhuratat nuk janë gjëja kryesore, sigurisht, por kryesorja është vëmendja, kujdesi dhe dashuria që ndien heronjtë tanë. Ata e kuptojnë lumturinë e vërtetë.
Një tregim i mbushur me emocion pozitiv, kënaqësi, ngrohtësi dhe vërtetësi, siç atmosfera e festave na përcjell. A nuk ju duket ky tregim, pjesë nga libri “Nga dashuria për artin” si një propozim shumë i mirë për t’ia bërë dhuratë një të dashuri tuaj? Tregimi ka më shumë se 100 vjet që është shkruar, por u përket atyre librave që nuk kanë moshë. Krshtlindja është momenti për tia dhuruar dikujt, apo për ta rimarrë në duar.
Po sa rrëfime të tilla ka në letërsinë botërore që u kushtohen Krishtlindjeve? Mund të lexoni romanin “Gratë e vogla” të Louisa May Alcott; “Krishtlindja ime në Uells”, e Dylan Thomas e, sidomos, nga letrat e shekullit të XIX, “Këngën e Krishtlindje” të Charles Dickens, që vijon të shfletohet nga lexuesit e mbarë botës, si libri më i rëndësishëm me temën e Festës.
Po ka edhe më. Në e shfletoni librat e Krishtlindjes, do të mund të lexoni edhe tregimet “Këmbanat në festë”; “Njeriu i vizituar nga fantazmat”; “Beteja për jetën” dhe akoma më shumë…. E nëse ju pëlqejnë rrëfimtarët e shekujve të kaluar, mund të shfletoni “Krishtlindja e Martinit” shkruar nga Leon Tolstoi.
Atmosfera thellësisht misterioze e festës ka hyrë madje deri te librat policorë, duke dëshmuar se tema e Krishtlindjes ngelet ndër më të preferuarat, si për autorët, edhe për lexuesit e tyre. E sidomos kur bëhet fjala për dhuratat, ata janë gjithmonë aty, të gatshëm për të zënë miq të rinj.
Neritana Kraja