Ndërtim i një komuniteti me një të ardhme të përbashkët Kinë-Vietnam
2023-12-13 11:46:32

Kina dhe Vietnami pranuan të martën të krijojnë një komunitet me një të ardhme të përbashkët me rëndësi strategjike.

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Të dyja palët shpallën pozicionimin e ri të marrëdhënieve ndërmjet dy partive e dy vendeve, duke rënë në një mendje për të ndërtuar një komunitet Kinë-Vietnam me të ardhme të përbashkët që mbart një rëndësi strategjike, mbi bazën e thellimit të partneritetit të bashkëpunimit të gjithanshëm strategjik.

Njoftimi u bë gjatë vizitës shtetërore në Vietnam të Xi Jinping-ut, sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe presidenti kinez.

Gjatë bisedimeve të tij me sekretarin e përgjithshëm të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Vietnamit (PKV), Nguyen Phu Trong, Xi propozoi  krijimin e një komuniteti me të ardhme të përbashkët Kinë-Vietnam në gjashtë fusha kryesore, duke përfshirë politikën, sigurinë, bashkëpunimin praktik, mbështetjen publike, çështjet ndërkombëtare e rajonale dhe çështjet detare.

Ai theksoi se, në fushën politike, të dy palët duhet të mbajnë drejtimin e duhur dhe duhet ta mbështetin me vendosmëri njëra-tjetrën në problemet e rëndësishme që lidhen me interesat thelbësore të tyre, për të mbrojtur së bashku barazinë e drejtësinë ndërkombëtare.

Nga ana e sigurisë, duhet të thellohet besimi i ndërsjellë. Kina e përkrah me vendosmëri Vietnamin që të mbrojë qëndrueshmërinë shoqërore e unitetin kombëtar dhe shpreh bindjen se Vietnami do të vazhdojë ta përkrahë Kinën në kundërshtimin e ndërhyrjes së huaj dhe nxitjen e ribashkimit të vendit.

Xi bëri thirrje gjithashtu që të dy vendet të përmirësojnë dhe të ngrenë nivelin e bashkëpunimit praktik të tyre. Kina mirëpret Vietnamin të ndajë mundësitë për të realizuar zhvillimin e përbashkët, duke kërkuar sinergji me tetë veprimet për ndërtimin me cilësi të lartë të “Një brez, një rrugë” dhe duke zgjeruar bashkëpunimin dypalësh në fusha të reja si ekonomia digjitale e zhvillimi i gjelbër. Të dy palët duhet të zbatojnë bashkërisht Partneritetin e Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP) për të mbrojtur sistemin global të tregtisë së lirë e për të krijuar zinxhirë globalë të prodhimit dhe të furnizimit të sigurt, të qëndrueshëm, të lirshëm, të efektshëm, të hapur, përfshirës dhe me përfitime të përbashkëta. Kina do të vazhdojë t’i inkurajojë ndërmarrjet kineze të investojnë në Vietnam dhe shpreson që Vietnami do t’u krijojë ndërmarrjeve kineze një mjedis të mirë tregtar.

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Xi bëri thirrje gjithashtu për të nxitur forcimin e mbështetjes popullore për miqësinë dypalëshe. Bashkëpunimi Kinë-Vietnam duhet të zhvillohet kryesisht në fusha që lidhen me jetën e njerëzve, si bujqësia, arsimi dhe mjekësia, e po ashtu duhet të forcohet bashkëpunimi dypalësh për sa u përket të rinjve, turizmit dhe pushtetit vendor. Duhet të shtohet njohja prej të dy popujve e komunitetit me të ardhme të përbashkët Kinë-Vietnam dhe miqësia tradicionale ndërmjet dy partive e dy vendeve, si edhe duhet të thellohen ndjenjat midis rinisë së të dy vendeve, për të forcuar themelin e miqësisë kino-vietnameze.

Për sa u përket çështjeve detare, Xi Jinping theksoi se duhet të vihen nën kontroll mosmarrëveshjet. Të dyja palët duhet të eksplorojnë dhe të zhvillojnë më shumë projekte bashkëpunimi, duke nxitur së bashku shfrytëzimin e përbashkët të detit, për t’i shndërruar sfidat përkatëse në mundësi për të thelluar bashkëpunimin dypalësh.

Lidhur me çështjet ndërkombëtare dhe rajonale, duhet të thellohet bashkërendimi. Arritjet mbresëlënëse të Kinës dhe Vietnamit janë rezultat i përpjekjeve të tyre në një botë të hapur e përfshirëse, sidomos në një mjedis të qëndrueshëm e paqësor të Azi-Paqësorit. Kina nuk synon formimin e qarqeve të vogla përjashtuese, as politikat grupore dhe kundërvënien mes kampesh, dhe është e gatshme të forcojë bashkëpunimin shumëpalësh me Vietnamin, duke ruajtur multilateralizmin e vërtetë dhe duke rritur të drejtën e fjalës dhe ndikimin e vendeve në zhvillim në çështjet ndërkombëtare.

Nguyen Phu Trong u shpreh nga ana e tij se Vietnami i përmbahet me vendosmëri parimit të "Një Kine", pranon se Tajvani është një pjesë e pandarë e territorit të Kinës, mbështet kauzën e madhe të ribashkimit të Kinës dhe kundërshton me vendosmëri aktivitetet separatiste të çdo forme  të "pavarësisë së Tajvanit". Çështjet që përfshijnë Hong-Kongun, Xinjiang-un dhe Tibetin janë punë të brendshme të Kinës. Vietnami kundërshton ndërhyrjen nga çfarëdo forcë në punët e brendshme të Kinës dhe beson se Kina do të ruajë qëndrueshmërinë, zhvillimin dhe begatinë. Vietnami i përmbahet një politike të jashtme të pavarur dhe e konsideron zhvillimin e marrëdhënieve me Kinën si përparësinë e vet kryesore dhe një zgjedhje strategjike. Vietnami është i gatshëm të punojë me Kinën për të ndërtuar një komunitet me një të ardhme të përbashkët me rëndësi strategjike, të udhëhequr nga të ashtuquajturat "gjashtë të mëtejshme", të forcojë në mënyrë gjithëpërfshirëse bashkëpunimin politik, ekonomik dhe tregtar, në siguri dhe fusha të tjera, duke krijuar një model përfitimi reciprok, në përputhje me interesat e përbashkët të të dy vendeve dhe popujve. "Dallimet detare janë vetëm një pjesë e marrëdhënieve vietnamezo-kineze dhe unë besoj se të dy palët mund t'i trajtojnë  ato siç duhet në frymën e besimit dhe respektit të ndërsjellë. Vietnami dhe Kina ndajnë të njëjtat koncepte në mbrojtjen e multilateralizmit dhe drejtësisë ndërkombëtare, si dhe promovimin e paqes, bashkëpunimit e zhvillimit," tha Trong.

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Pas bisedimeve, të dy sekretarët e përgjithshëm morën pjesë bashkërisht në nënshkrimin e një sërë dokumentesh të bashkëpunimit dypalësh në më shumë se 30 fusha, që përfshijnë ndërtimin e përbashkët të "Një brez, një rrugë", inspektimin dhe karantinën, bashkëpunimin për zhvillim, ekonominë digjitale, zhvillimin e gjelbër, transportin, bashkëpunim ndërmjet pushteteve vendore, fushën e mbrojtjes, sigurisë e të zbatimit të ligjit dhe bashkëpunimin detar.

Xi mori pjesë gjithashtu të martën në një ceremoni mirëseardhjeje dhe një banket të shtruar për nder të tij nga pala vietnameze.(Zhang Yan/Artan)