Brenton Bënja, pasioni për teknologjinë dhe krijimi i Geek Room
2023-12-13 11:16:14


Foto nga Brenton Benja 

Teknologjia po ndikon në jetët tona çdo ditë e më shumë dhe pa e kuptuar ne jemi pjesë e këtij ndryshimi. Sot, për të qenë në hapin e duhur, më shumë se gjithçka na duhet informacioni për zhvillimet e reja që ndodhin dhe që lidhen me teknologjinë. Duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me produkte apo shërbime që shpeshherë nuk i kuptojmë dhe kemi vështirësi t’i përdorim, ne kemi nevojë për dikë që të na orientojë. Në Shqipëri Geek Room është themeluar në vitin 2018 nga Brenton Bënja, dhe ka mbi 100 mijë ndjekës në rrjete sociale, mbi 1500 artikuj të publikuar në vit, mbi 360 video të prodhuara në vit dhe mbi 10 evente ndërkomëbetare të ndjekura në vit. Geek Room përfaqëson sot median lider në Shqipëri në fushën e teknologjisë. Themeluesi dhe Kryeredaktori i Geek Room Brenton Bënja në një inervistë për Radio Ejani tregon për pasionin e tij për teknologjinë si dhe krijimin e medias online Geek Room.

Brenton Benja ne interviste per CMG

CMG: Flasim për eksperiencën tuaj në media dhe pasionin për teknologjinë.

Brenton Bënja: Sot që flas unë jam 31 vjeç, por eksperienca ime në media ka nisur që në moshën 14-15 vjeçare. Mendoj se më ka ndihmuar fakti që unë kam lindur dhe një pjesë të kohës e kam jetuar në Durrës. Në Durrës kam pasur mundësinë të punoj në televizionet lokale, sepse na jepnin mundësinë ne të rinjve. Pasionin për median e kam zhvilluar që atëhere. Megjithatë Geek Room-i nisi para tetë vitesh, kur unë punoja në IN TV, një televizion muzikor. Unë aty organizoja të gjitha intervistat me artistët, klipet e reja, pra kisha një pozicion prapaskene, që sigurisht më pëlqente dhe më shijonte, por pasioni im për median dhe teknologjinë ka qenë gjithmonë. Kështu që mendova të propozoja krijimin e një emisioni që ishte rreth teknologjisë, ku prezantues të emisionit ishtin të tjerë dhe unë kam qenë autor i emisionit që në momentin e parë të themelimit. Megjithatë angazhimi im gjatë kësaj periudhe tre vjeçare ka qenë shumë i vogël, sepse duke qenë se ishte thjesht një emision një herë në javë dhe unë duhet të gjeja thjesht artikujt kryesorë. Kështu që nuk ka qenë një angazhim i madh, por që kam patur për të bërë një punë tjetër në televizion.

CMG: Si lindi ideja për të hapur një media online në fushën e teknologjisë?

Brenton Bënja: Në momentin që ky televizion u mbyll për arsye të ndryshme, unë pashë që kishte një interes shumë të madh tek ndjekësit e emisionit deri në atë moment. Një emision apo një media të mirëfilltë ashtu sikur unë doja ta krijoja dhe ashtu si e krijova më vonë rreth teknologjisë, nuk kishte. Personat që kishin punuar me mua deri në atë moment ishin të gatshëm ta vazhdonin këtë projekt. Kështu që mu duk si momenti më i mirë për ta lançuar si një media të mirëfilltë online. Në atë periudhë, por edhe sot jam gjithmonë me mendimin që duhet të shkoj apo jo sërish në televizion si emision, por mendoj që jo sepse ata që janë të apasionuar pas teknologjisë janë gjithë kohën online me telefonë, dhe informacioni i duhet i shpejtë. Kështu që u fokusuam shumë dhe themeluam “Geek Room” online.  

Brenton Benja gjate nje prezantimi per Geek Room 

CMG: Ka qenë e vështirë në fillim kur e krijuat këtë media online, si dhe për rritjen e numrit të ndjekësve?

Brenton Bënja: Ka qenë e vështirë sepse që të mbash një media dhe të mbulosh shpenzimet sado të vogla të duhet gjithmonë të kesh një mbështetje financiare. Gjithashtu dhe numri i ndjekësve ka qenë i vështirë të rritet në fillim. Ndoshta kam patur pak fatin që ishte e krijuar si imazh, pra kisha tre vite që punoja për krijimin e këtij imazhi. Në momentin që dolëm online, patëm një numër të caktuar ndjekësish. Megjithatë na është dashur një kohë e gjatë për të kuptuar dhe ne sesi duhet të vijë informacioni online, sa shpejt duhet të reagojmë gjatë një ngjarje që po ndodh në prezantimin e një produkti të ri. Me eksperiencën erdhi përmirësimi i gjithë kësaj gjëje.

CMG: Geek Room përveç informacionit të shpejtë sjell dhe foto e video të ndryshme për fushën e teknologjisë?

Brenton Bënja: Mendoj se videot janë mënyra më e mirë që mund të përdorësh për të rritur numrin e ndjekësve për shumë arsye. Së pari sepse duhet t’i bësh qejfin rrjeteve sociale, duhet të dish si kuptojnë rrjetet sociale në mënyrë që ta përshtasësh kontentin dhe të bësh atë lloj publikimesh që janë më të thjeshta të bëhen virale. Sot Tik-Tok është një nga rrjetet sociale më të mëdha në botë, dhe është rrjeti social që ne kemi hapur së fundi. Kemi numrin më të madh të ndjekësve, sepse për shkak të videove që publikojmë dhe formës sesi duhet të jetë videoja dhe sa e shkurtër dhe e shpejtë, apo si duhet dhënë informacioni, është shumë më e thjeshtë që të krijosh një bazë ndjekësish. Kështu që videot janë një nga asetet kryesore të Geek Room, dhe ne mundohemi të fokusohemi në dy pjesë të ndryshme. Në pjesën më të madhe të videove tona ne spjegojmë sesi të përdorni më mirë pajisjet tuaja teknologjike, smartphone, laptop, që në fakt janë këshilla të shkurtëra por që ju vlejnë shumë njerëzve sepse këto lloj videosh nga statistikat e rrjeteve sociale na tregojnë se bëhen shumë shpërndarje, ku njerëzit ja dërgojnë njëri-tjetrit. Pastaj formati tjetër i videove janë video ku ne bëjmë përshkrime të produkteve teknologjike, që mund të jenë kryesisht Smartphone sepse këto janë produkte që kanë më shumë interes, por edhe laptop, televizor, së fundi edhe makina. Mundohemi ta zgjerojmë pak më shumë edhe këtë lloj formati të videove që janë pak më të gjata, ku kërkojnë më shumë punë por mendoj se kanë më shumë vlerë për ndjekësit.

Brenton Benja gjate nje aktiviteti

CMG: Cila janë grupmoshat që ndjekin më tepër Geek Room?

Brenton Bënja: Mesatarisht është mosha 35 vjeç, pra nuk kemi një bazë ndjekësish të grumoshës 13-18 vjeç. Ndoshta sepse kjo grupmoshë nuk po përdor më sot Instagram, sepse ky rrjet social të jep të dhëna kaq të sakta. Në Tik-Tok ne kemi më shumë ndjekës, diku te 80 mijë ndjekës, ku aty është akoma më shpërndarë, por mesatarisht ndjekësit tanë janë diku tek 35 vjeç.

CMG: Keni statistika për ndjekësit e Geek Room, janë më tepër femra apo meshkuj?

Brenton Bënja: Me krenari do të them që së fundi është rritur shumë numri i ndjekëseve femra, ku kemi diku tek 30 për qind, por që gjithësesi është numër i ulët në krahasim me 70 për qind të ndjekësve që janë meshkuj. Unë personalisht do të thoja që nuk ka femra që rrinë online, por mendoj se teknologjia është një lloj fushe që meshkujt kanë më shumë interes. Me Mira Muratin, që po tregon që mund të jetë një femër shumë e mirë në teknologji, apo me shumë organizime që po bëhen herë pas here në Shqipëri, për të nxitur më shumë vajzat që të afrohen në fushën e teknologjisë. Ne po mundohemi t’i përcjellim dhe t’i përkrahim sadopak të jenë këto rastet, ku po mundohemi të tregojmë shembuj të mirë të grave që janë në teknologji dhe mendoj se dhe kjo do të përkthehet në interes.

Brenton Benja ne nje aktivitet 

CMG: Je i kënaqur me arritjet personale të deritanishme dhe nivelin profesional që ke arritur në drejtimin e kësaj media online?

Brenton Bënja: Jam i kënaqur sepse shoh që dhe kolegët e mi janë njësoj të devotshëm sa unë për tu angazhuar me gjithë projektin që kemi. Kështu që së pari janë djemtë e tjerë që punojnë tek Geek Room-i, që më motivojnë, ku dhe në momente të vështira të nxisin për të vazhduar dhe për të punuar. Padiskutim që jam i kënaqur, dhe mendoj se jam pak me fat sepse është shumë e vështirë nga ana financiare që të ngresh një media sot, sado e vogël që është kjo e jona por që ka shpenzime. Për një kohë shumë të gjatë mua më është dashur të mbaja edhe një punë tjetër, që më mbulonte shpenzimet e mia. Kjo më ka ndihmuar që mos ta le, sepse shumë njerëz që krijojnë një media online apo një biznes, në fazat më të hershme është jashtëzakonisht shumë e vështirë nga ana financiare për ta mbajtur të gjallë. Kështu që duhet patjetër të gjesh një burim tjetër financiar. Unë personalisht kam gati një vit që jam shkëputur nga çdo gjë tjetër dhe merrem vetëm me Geek Room-in, por që kjo ndodhi pas tre viteve.

CMG: Mendon se krijimi i Geek Room erdhi në momentin e duhur të kohës që po jetojmë sot, të teknologjisë dhe informacionit të shpejtë?

Brenton Bënja: Mendoj se informacioni duhet të jetë i shpejtë, por duhet të jetë edhe i saktë. Kohët e fundit po shohim që ka interes dhe për këto studimet që lidhen gjithmonë me teknologjinë, dhe ne nëse nëse gjejmë një artikull në gjuhë të huaja mbi një studim, parimi jonë kryesor është që të vendosim aty linkun e studimit. Pra nuk duam që informacioni të jetë i shpejtë. Duhet të jetë i shpejtë kur prezantohet një Smartphone i ri, dhe po ndodh live ku ne duhet patjetër të flasim dhe të tregojmë se çfarë ndodhi. Në momentin që ne flasim për studimet, që janë shumë të rëndësishme, ne sigurohemi mbi të gjitha që mos të jetë i shpejtë, por të jetë i saktë, ku ai që dëshiron të thellohet më shumë dhe të ketë mundësi ta klikojë studimin për ta lexuar. Ne mundohemi të jemi sa më të saktë në dhënien e informacionit.

Brenton Benja duke punuar 

CMG: Sa është e aftë Shqipëria që të përshtasë teknologjinë e re me infrastrukturën që ka me të rinjtë?

Brenton Bënja: Mendoj se të rinjtë janë të gjithë shumë të interesuar mbi teknologjinë, dhe kjo është një gjë shumë mirë. Nëse sot flasim për teknologjinë, e lidhim gjithmonë me inteligjencën artificiale. Fatmirësisht kjo teknologji zhvillimin e saj më të madh e ka online, ku çdo lloj teknologjie që është online infrastruktura egziston. Ne kemi të gjithë aksesin online, ku një njeri që ka një kuriozitet, ka pasion, apo mbi të gjitha i duhet për ta ndihmuar në punën e tij të përditëshme, e ka mundësinë ta aksesojë këtë lloj teknologjie. Kështu që në këtë aspekt aksesi i teknologjisë, të paktën i inteligjencës artificiale egziston dhe shoh një interes të madh ndaj të rinjve.

CMG: Çfarë mund të sjellë përsa i përket inteligjencës artificiale viti 2024?

Brenton Bënja: Mendoj se ka të mira, por ka dhe të këqija, por një gjë është e sigurtë që do të jetë akoma më e saktë. Kjo saktësia do na e bëjë akoma më të vështirë ta kuptojmë se një imazh apo një tekst është gjeneruar nga inteligjenca artificiale, dhe ky është problem. Ndërsa në momentin që inteligjenca artificiale bëhet shumë më e shpejtë për t’u gjeneruar dhe më e saktë, atëhere unë do t’i këshilloja të gjithë që do ishte shumë mirë që ta përdorin në të mirën e punës dhe të përditëshmes së tyre. Një nga grupet që mund të përfitojnë më shumë nga inteligjenca artificiale janë të gjithë financierët, bankierët, sepse inteligjenca artificiale është shkencë egzakte. Gjithashtu dhe gazetarët, dhe nuk do t’i këshilloja një gazetari që është i interesuar për këtë fushë që të gjenerojë artikuj nga inteligjenca artificiale, por ajo që mund të bëjë inteligjenca artificiale është që ti mund të vendosësh një studim 100 faqe online, dhe inteligjenca artificiale të bën një përmbledhje të atij studimi. Pra këtu ti i kursen vetes tënde kohë, që ti mund ta shfrytëzosh si për punë, po ashtu dhe për kohën tënde të lirë. Kështu që inteligjenca artificiale po na i jep të gjitha mundësitë pozitive, që ne duhet të jemi shumë të zgjuar ti përdorim, por po na jep dhe ato negative që duhet të jemi gjithësesi shumë të zgjuar që të paktën ti kuptojmë dhe mos të biem prehë e personave që po e keqpërdorin këtë teknologji.

CMG: Faleminderit shumë për intervistën dhe ju uroj suskese.

Brenton Bënja: Shumë faleminderit për ftesën, ishte një intervistë shumë interesante për mua ku tregova disa gjëra që besoj se do të kenë vlerë për ndjekësit, të cilëve gjithashtu ju uroj një vit të ri sa më të suksesshëm dhe mbi të gjitha sa më të shëndetshëm.

Intervistoi: Gazmend Agaj