Alternativat turistike në shërbim të shqiptarëve janë duke u shtuar gjithnjë e më shumë dhe kjo ka nxitur prej disa vitesh gjetjen e ofertave, sipas buxhetit, për secilin udhëtar. Zgjedhjet flasin për të njëjtat tendenca si vitet e mëparshme: rajoni për ski, sërish rajoni për natën e ndërrimit të viteve e deri te destinacionet ekzotike, ku një përqindje e ulët u lejojnë vetes luksin e 10 ditëve pushime.
Agjencitë turistike në Tiranë përmendin edhe një tjetër fenomen të viteve të fundit. Me rritjen e përdorimit të teknologjisë, përqindja e udhëtarëve është më e vështirë të përllogaritet, duke marrë në konsideratë se një pjesë e mirë e tyre i presin biletat dhe hotelet vetë, jo më nëpërmjet një agjencie turistike.
Viti i ri në Korcë- foto travelbar.al
Paketat turistike të Vitit të Ri kanë vertetuar faktin se: Korça e pas saj Durrësi, janë qytetet më të pëlqyera brenda vendit, për të kaluar pushimet e dimrit dhe netët festive të dhjetorit.
Nëse Korça mbetet e preferuar për shqiptarët dhe aty ka përfunduar me kohë çdo rezervim, duke mos lënë as edhe një vend të vetëm të lirë, në Durrës, si qytet me potencial turistik më të madh, gjatë ditëve të dhjetorit, pritet një fluks i madh tuirstësh, të cilët kanë prenotuar në resortet e bregdetit shqiptar për festimet e natës së ndërrimit të viteve.
Po cilët janë turistët që preferojnë pushimet vendase, në lokalet apo resortet made in albania? Në mungesë të shifrave zyrtare, ajo që mund të jepet më shumë si perceptim, lidhet me numrin e madh të shqiptarëve që festat e fundvitit përgatiten t’i kalojnë në atdhe. Bëhet fjalë për shqiptarë që ndonëse mbajnë një pasaportë të huaj, ata preferojnë t’i bëjnë pushimet në atdhe, duke festuar me familjarët apo miqtë e tyre në lokale apo resorte luksoze, në Durrës, Golem e deri te Gjiri i Lalëzit.
Viti i Ri ne Durres - foto Travelbar.al
Në krye të listës së vendeve që pret një nuëmr shumë të madh të turistëve të huaj të rajonit për të kaluar pushimet e Vitit të Ri, është Durrësi, i aftë të mirëpresë rreth 30000 – 40000 turistë në njësitë eveta akomoduese. Këta turistë kryesisht vijnë nga rajoni, nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bullgaria, etj.
Ndërkohë ka edhe një tjetër kategori pushuesish: ata që preferojnë të largohen edhe të kalojnë festat jashtë atdheut. Kryeisht ata synojnë vendet e rajonit, duke qenë se ofertat janë disi më ekonomike. Kur flasim për vendet e rajonit, kemi parasysh Malin e Zi me Kaloshinin dhe Budvën, Kosovën me Brezovicën, Greqinë me Selanikun dhe Korfuzin, Maqedoninë e Veriut me Mavrovën dhe Ohrin, etj. Bëhet fjalë për paketa 4-5-ditore, të gjitha të përfshira, duke i shtuar edhe sportin e preferuar të skive, që u mungon në atdhe dhe që shqiptarët e gjejnë në resortet e Mavrovës, Brezovicës, apo Kaloshinit.
Viti i Ri ne Stamboll - foto travelbar.al
Me organizime të mira për festa, Mali i Zi, Kroacia, Maqedonia e Veriut por edhe Serbia kanë pasur rezervime të shumta nga shqiptarët, për pushimet e fundvitit. Faktor kyç, sipas agjencive është afërsia, sidomos për familjet, edhe me fëmijë, që mund të zgjedhin të udhëtojnë me makinën e tyre drejt këtyre destinacioneve.
Infrastruktura e mirë dhe çmimi i leverdishëm e ka vendosur Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, me resortet e tyre të skive, në listën kryesore.
Po kështu ndër preferencat e shqiptarëve është edhe Bansko në Bullgari, pasi këtu gjenden resorte shumë të mirë dimërore dhe shqiptarët kanë filluar t’i pëlqejnë ato.
Viti i Ri ne Paris - foto Travelabr.al
Gjithashtu, mjaft të pëlqyer mbeten kryeqytetet evropiane, të cilët kanë pasur shumë kërkesa, si Stokholmi, Roma, Milano, Firence, Parisi, Vjena, etj. Duke qenë se në vendin tonë operojnë dy kompani low coast, kompanitë e fluturimeve rezervojnë çmime më të lira, për ato që i kanë rezervuar paraprakisht biletat e tyre për fluturimet e fundvitit.
Pjesë e ofertave të fundvitit janë edhe destinacione si Malta, Praga, Varshava, Bukureshti, Stambolli, por nuk mbeten pas as Dubai apo Egjipti. Në Stamboll, që ngelet destinacion i preferuar për shqiptarët, në hotele të mëdha më emër, organizohet darka e Fundvitit, një nocion i panjohur dhe i pafestuar për vendasit.
Shqiptarët gjithmonë kanë dashur dhe duan të udhëtojnë. Problemi qëndron se nuk janë të edukuar që të rezervojnë paraprakisht dhe gjithçka e lënë për momentin e fundit, duke rrezikuar të mos marrin hotelin, ose shërbimin që ata duan, ose ta marrin me çmim më të shtrenjtë.
Nga të gjitha agjencitë pohohet një rritje e ndjeshme e çmimeve për paketa turistike, nisur nga kostot e hoteleve që ofrojnë shërbim, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.
Neritana Kraja