Sfida e qarkullimit të parave jashtë bankave, masat që po merren
2023-12-11 10:08:38

Pagesat në ATM  (Foto Scan tv)

Pagesat në ATM  (Foto Scan tv)

Paraja jashtë kanaleve bankare vazhdon të jetë fenomen shqetësues  në ekonomi edhe pse shifrat e fundit duket se janë më optimiste. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për të katërtin muaj radhazi ka patur një rënie të qarkullimit të parasë cash, duke zbritur në 390 miliardë lekë.  Në një intervistë për mediat eksperti i ekonomisë, Adrian Civici thotë se kultura e pagesave elektronike  ende nuk ka marrë përmasat e duhura.

“ Duke parë në këndvështrimin e qarkullimit monetar, mendoj që ne jemi në një fazë tashmë që duhet të reflektojmë një sërë masash dhe një serë objektivash jo vetëm të Bankës së Shqipërisë, pro edhe të Ministrisë së Financave dhe institucioneve financiare dhe monetare të vendit, për të disiplinuar nëpërmjet kanaleve bankare qarkullimin monetar në Shqipëri, ose e thënë më thjesht kryerjen e pagesave të ndryshme. Natyrisht krahasimi 4 mujor nuk është periudhë e gjatë për të parë nëse ky është trend i qëndrueshëm, por një element rastësor por gjithsesi edhe në frymën e asaj që po ndodh pothuaj në shumicën e vendeve të botës apo BE-së, por dhe në disa vende të rajonit tonë, tendenca është gjithnjë e më tepër që çdo pagesë të kryhet nëpërmjet sistemit bankar dhe sistemi elektronik, duke zvogëluar në minimum paranë kesh që përdoret në gjithë transaksionet ekonomike të një vendi.”- tha Civici.

Kjo është sfidë edhe për vende të tjera, të cilat e kanë në objektiv luftën ndja këtij fenomeni për të disiplinuar transaksionet vetëm nëpërmjet kanaleve bankare.

“Vendet si Suedia, Norvegjia apo vende të tjera e kanë shpallur vitin 2025 si viti cash free. Pra do të thotë që paraja cash të zhduket fare nga qarkullimi, duke bërë vetëm pagesa elektronike me karta apo formave të tjera dhe për të bërë një disiplinim brenda kanaleve të sistemit bankar. Përjashtim në këtë rast bëjnë vetëm kriptomonedhat që janë kthyer në problem për mungesën e transparencës dhe informalitetit të tyre që lidhet pastaj dhe me rregullat e reja që po vendos jo vetëm BE-ja, por edhe gjithë shtetet e tjera.”

Lidhur me uljen e përdorimit të parasë cash ka patur fushata edhe nga Shoqata Shqiptare e Bankave për të ulur kufirin e parasë cash në përdorim.

“Kjo bën pjesë tek kultura financiare që ka çdo shoqëri ku nuk bën pjesë dhe shoqëria shqiptare dhe nga mënyra sesi ne sillemi me paranë. Që të bëhemi pjesë e një sistemi të tillë, që është natyrisht masë shumë e mirë, masë kufizuese, në shumë vende kanë shkuar deri atje sa kanë kufizuar prerjet e mëdha të monedhave siç është rasti i monedhës 500 euro, por edhe në një rast tjetër në SHBA nuk ka monedhë më të madhe se 100 dollarë dhe një nga arsyet në vazhdimësi të këtyre gjërave ka qenë për të frenuar mundësinë e pagesave kesh në shuma të mëdha. Natyrisht që është një masë që nëse nuk shoqërohet me masa të tjera, sidomos me kulturën bankare, kulturën e bankomatit, e kartës së kreditit apo depozitës bankare, kulturën e pagesave direkt nëpërmjet sistemit bankar, do të jetë e vështirë që të funksionojë ose të realizohet në një periudhë afatshkurtër sepse që njerëzit të kryejnë pagesa mbi 750 euro apo lekë apo në bazë të pagës mesatare që kemi, kur shumë blerje të mëdha dihet që ekzistojnë dhe bëhet fjalë për vlera që kalojnë edhe 100 mijë lekë të reja ose edhe më shumë, njerëzit duhet të kenë, individët familjet apo dhe një kategori të bizneseve apo biznese të vogla llogari dhe depozita bankare që t’i kryejnë këto shërbime.”- shprehet eksperti.

Adrian Civici (Foto Universiteti Mesdhetar)

Adrian Civici (Foto Universiteti Mesdhetar)

Këshilli i Ministrave tashmë ka miratuar projektligjin për llogaritë bazike. Nisma ka si synim rritjen e depërtimit të shërbimeve bankare e financiare në popullatë. Objekti i këtij ligji është përcaktimi i rregullave dhe kushteve për hapjen dhe përdorimin e llogarive bankare për konsumatorët dhe rezidentët, pavarësisht nivelit të të ardhurave, statusit të punësimit apo historikut të aftësisë paguese brenda Republikës së Shqipërisë. Në fokus janë të gjithë ata qytetarë që nuk kanë një llogari bankare. Në intervistën për ABC news, eksperti thotë se kjo masë është pozitive.

“ Kjo e ndihmon dhe shpesh herë kemi shifra inkurajuese për numrin e njerëzve që kanë llogari bankare për numrin e transaksioneve që bëhet nëpërmjet kartave të kreditit apo debitit, për numrin e transaksioneve që kryhen direkt në sistem. Është një kulturë e re që po avancon por gjithsesi akoma nuk ka marrë ato përmasa që duhet të kishte në mënyrë që ato masa të tjera që ne po vendosim të japin rezultate të shpejta. Në radhë të parë kultura e të mbajturit të parave në shtëpi është një kulturë që duhet të luftuar për shumë arsye, por është një element dhe ajo që ndihmon në thonjëza këtë lloj pagese me paratë kesh në dorë, duke shmangur gjithë kanalet bankare, pa folur pastaj në nivel më të lartë ose më të madh që një pjesë e madhe e pagesave cash bëhet dhe në mënyrë informale për të shmangur detyrimet fiskale, detyrimet tatimore.”- u shpreh Civici.

Para cash (Foto Shqiptarja.com)

Para cash (Foto Shqiptarja.com)

Transaksionet përmes kartave bankare kanë ndjekur një rritje kryesisht gjatë periudhës së verës me ardhjen e turistëve.

“Patjetër, ky është një presion pozitiv sepse meqenëse një pjesë e konsiderueshme e turistëve që kanë ardhur dhe shqiptarëve që vijnë për pushime, por që kanë vite që jetojnë në vendet e BE-së ose në vende të tjera të zhvilluara, natyrisht vijnë me këtë lloj zakoni apo veprimi për të paguar direkt me kartë dhe besoj që në tërësinë e masave që kemi marrë për sistemin e pagesave, edhe zgjerimi i pagesave me kartë dhe përgatitja që kanë shumë biznese, e ka lehtësuar këtë proces. Lidhet me dy elementë, i pari për të mos pasqyruar xhiron dhe të ardhurat dhe një pjesë kanë të bëjnë me nivelin e kulturës bankare apo financiare që kanë pronarët e bizneseve dhe iu duket diçka e vështirë dhe pranojnë pagesa tradicionale.”- u shpreh ekpserti i ekonomisë.

Kërkesa e vazhdueshme e turistëve për të paguar me kartë për shërbimet e marra ka ndikuar pozitivisht në edukimin e bizneseve për të pranuar, për të pajisur dhe për të shërbyer klientët e tyre me këtë mjet pagese. Ky fenomen rrjedhimisht ka sjellë rritje të shtuar të kërkesës për POS nga tregtarë të ndryshëm, e veçanërisht nga biznese, të cilët operojnë në industrinë e turizmit.